Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në një deklaratë për mediat ka bërë me dije shkarkimet dhe pezullimet në Policinë e Shkodrës, pas aksionit për ndërtimet pa leje në Theth.
Proda ka njoftuar se është pezulluar menjëherë nga detyra shefi i stacionit të Policisë Theth.
“Besoj se si funksionar me mosveprimin e tij të pajustifikueshëm, e ka zgjedhur rrugën e tij për të mos qenë pjesë e policisë së shteti dhe nuk gjej më asnjë arsye që ai të veshë më uniformën e policisë”, tha Proda.
Po ashtu, ai njoftoi se ndërtimet pa leje nuk mund të mbeten përgjegjësi e vetme e një inspektori zone dhe specialisti krimi, ndaj ka vendosur edhe të shkarkoj nga detyra, Drejtorin e Drejtorisë Vendore Shkodër, si dhe shefin e Komisariatit të Policisë Shkodrës.
“Nëse shefi i komisariatit nuk do të dijë jo se sa veprime pa leje mbi territorin janë bërë gjatë 24 orëve të fundit, por deri edhe se sa karrige lokalesh jashtë apo çadra plazhi të lejuara ka në territorin e mbuluar prej strukturës së tij, atëherë ai nuk do të rrijë më në atë detyrë.
Por ky është një mesazh i qartë edhe për të gjithë Drejtorët Vendorë të Policisë në qarqe që do të mbajnë përgjegjësi direkte nëse symbylljen apo padijen mbi territorin të vartësve të tyre, nuk e konstatojnë ata vetë përpara se ta konstatoj unë apo përpara se sa ta ketë konstatuar i gjithë komuniteti!”, paralajmëroi Proda.