Kryeministri Edi Rama mbërriti sot në Romë ku do të marrë pjesë në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij viti, në mbështetje të Ukrainës dhe rindërtimit të saj pas pasojave shkatërruese të luftës me Rusinë.
Rama u prit në “Ukraine Recovery Conference 2025”, nga kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, e cila do të hapë edhe konferencën.
Në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës pritet që të marrin pjesë liderë botërorë, përfaqësuesve të lartë të BE-së, G7-ës, organizatave ndërkombëtare, institucioneve financiare dhe sektorit privat, për të koordinuar ndihmën konkrete dhe investimet strategjike në sektorët kyç të Ukrainës.

Gjatë konferencës do të mbahen fjalime nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri polak Donald Tusk dhe zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska.
Konferenca e Rimëkëmbjes së Ukrainës është ngjarja kryesore ndërkombëtare mbi rindërtimin e Ukrainës. Edicioni i Romës vjen pas Konferencave të Luganos (2022), Londrës (2023) dhe Berlinit (2024). Qëllimi i konferencës është të vazhdojë mobilizimin e qeverive, sektorit privat, institucioneve financiare ndërkombëtare, komuniteteve lokale dhe shoqërisë civile për rimëkëmbjen, rindërtimin dhe modernizimin e Ukrainës.
Në konferencë pritet të marrin pjesë më shumë se 3500 pjesëmarrës, rreth njëqind delegacione zyrtare dhe 40 organizata ndërkombëtare, 2 mijë kompani (nga të cilat rreth 500 janë italiane), qindra përfaqësues të autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile.

I pranishëm në Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës që mbahet në Romë, Itali në fjalën e tij të shkurtër, Rama u shpreh se ka qenë dhe do të jetë në krah të Ukrainës. Kryeministri theksoi se të flasim për paqen nuk e bën luftën të mbarojë.
Kreu i qeverisë deklaroi se ‘nuk duhet të lëmë askënd gjithashtu jashtë kufijve demokratë të zgjedhjë se çfarë paqa është në vendet tona europiane.
“Shqipëria është një vend i vogël me burime modeste. Asnjë fuqi për të ndryshuar fushëbetejën, por kemi qenë dhe jemi bashkë me Italinë dhe partnerët tanë kudo dhe sido Ukraina të ketë nevojë për ne, që të jemi për ta. Siç na thanë që duhet të flasim tre minuta, thjesht dua të them që kush foli para meje dhe kush do të flasë pas meje ka thënë dhe do të thotë mjaftueshëm që unë mos kem diçka interesante për kohën tuaj.
Kështu që gjithsesi dua ta ndaj me ju që jo shumë kohë më parë ky qytet kishte Papa Françeskun dhe ne duhet të bëjmë më të mirën që nuk duhet ta lëmë paqen në vijën e dytë të mendimeve tona. S’duhet ta lëmë paqen që të ndajë shoqëritë tona demokratike dhe ne nuk duhet të lëmë askënd gjithashtu jashtë kufijve demokratë të zgjedhjë se çfarë paqja është në vendet tona europiane.
Ne nuk jemi një komunitet mes vendeve që janë në luftë, në këtë luftë të mallkuar në dyert e Europës. Askush nuk ka një formulë magjike, por thjesht të flasim për paqen nuk e bën luftën të mbarojë. Vladimir Putin është jo një paqedashës. Dua të përfundoj duke ndarë me ju besimin se teksa ne do të bëjmë gjërat e duhura, të mos e lëmë Ukrainën vetëm nuk do të jemi mjaftueshëm të fortë që t’i japim fund kësaj lufte dhe të shpëtojmë Ukrainën nëse nuk do të kemi një plan të besueshëm për paqe ”, u shpreh Rama.