Eljan Tanini është emëruar Drejtor i ri i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
Lajmi është bërë me dije nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Gonxhja i ka uruar suksese Taninit në detyrën e re si dhe ka falenderuar parardhësen e tij, Marinela Ndria për kontributin që ka dhënë në krye të këtij institucioni.
“Suksese Drejtorit të Ri të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Eljan Tanini!
Artist pamor, gazetar dhe autor projektesh që ndërthurin artin me memorien kolektive, Eljan Tanini vjen në krye të AQSHF me një profil të veçantë dhe një angazhim të hershëm në rrëfimin e Shqipërisë përmes historisë, nostalgjisë dhe arkivës vizuale. Nga krijimet murale e instalacionet publike, te kontributet në media dhe ekspozitat brenda e jashtë vendit, Tanini sjell një vizion artistik dhe narrativ që pasuron më tej rolin e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor.
Falenderojmë gjithashtu znj. Marinela Ndria për kontributin dhe drejtimin e saj gjatë këtyre viteve dhe i urojmë suksese në detyrën e saj të re”, shkruan Gonxhja.