HomeOP ED“Shqipëria 2030 – Sfidat dhe angazhimet vendore”- Performanca e bashkive/Nga Petrit Malaj

“Shqipëria 2030 – Sfidat dhe angazhimet vendore”- Performanca e bashkive/Nga Petrit Malaj

Fjala e Ministrit Petrit Malaj në takimin “Shqipëria 2030 – Sfidat dhe angazhimet vendore”- Performanca e bashkive

Ministri i Financave, z Petrit Malaj, bëri një prezantim të gjendjes financiare të bashkive, në takimin “Shqipëria 2030 – Sfidat dhe angazhimet vendore”, gjatë diskutimit mbi performancën e bashkive dhe grantit të performancës.

Duke iu referuar vlerësimeve të bëra nga Ministria e Financave, z.Malaj tha se performanca e bashkive është rritur që nga viti 2015, vit kur u zbatua reforma administrative territoriale. Kështu, buxheti vendor është rreth 89.9 miliardë lekë në vitin 2025 apo 3 herë më i lartë se sa në vitin 2015, ndërkohë që transferta e pakushtëzuar për pushtetin vendor është rritur në 26.2 miliardë lekë në vitin 2025, nga 12.3 miliardë lekë që ka qenë në vitin 2015.

Ministri tha se një rritje të performancës vërehet edhe sa i përket të ardhurave që realizohen nga vetë pushteti vendor, pasi ato janë rritur me rreth 300 milionë euro ose 3.4 herë më shumë se sa kanë qenë në vitin 2015.

Nga ana tjetër, ka një përmirësim të situatës së shlyerjes së detyrimeve të prapambetura në nivel bashkish, ku stoku i detyrimeve të prapambetura është ulur me rreth 74 %, nga 12.1 miliardë lekë që shënonte në vitin 2015, në 3.2 miliardë lekë në vitin 2024.

Megjithatë, referuar situatës financiare të disa bashkive, Ministri Malaj tha se bashkitë që paraqiten me probleme financiare duhet të miratojnë dhe më pas paraqesin pranë Ministrisë së Financave planin përkatës për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, ndërsa ato bashki që ndodhen në vështirësi financiare duhet të miratojnë dhe paraqesin pranë MF planin e rehabilitimit finanaciar të tyre.

Sa i përket çështjes së taksës së pronës, Ministri informoi se Ministria e Financave është drejt finalizimit të çmimeve të reja të referencës dhe paralelisht do të bëhet edhe prezantimi i nismës së rivlerësimit të pronave, me normë tatimore të reduktuar, nisma këto që do të kalojnë në procesin e konsultimit të gjerë publik.

Fjala e Ministrit Petrit Malaj:

Përsa i përket prezantimit të performancës së qeverisjes vendore, ne jemi përpjekur që të bëjmë një prezantim ose një fotografi të 10 vjeçarit të fundit, që përkon me vitin kur filloi reforma territoriale dhe si paraqitet gjendja financiare e bashkive sot.

Sipas vlerësimeve të bëra nga ana e Ministrisë së Financave, nëse do t’i referohemi buxhetit vendor, buxheti vendor në vitin 2015 ka qenë rreth 34 miliardë lekë, vit që përkon me vitin kur filloi reforma territoriale, ndërkohë që në vitin 2025 pjesa e buxhetit vendor është 89.9 miliardë lekë ose 3 herë më i lartë se sa përpara reformës territoriale.

Përsa i përket transfertës së pakushtëzuar, ajo është rritur nga 12.3 miliardë lekë në vitin 2015 në 26.2 miliardë lekë në vitin 2025 ose rreth 2.1 herë më shumë.

Gjithashtu edhe investimet nga burimet e veta, përsa i përket investimeve infrastrukturore, janë rritur me rreth 3 herë nga viti 2015, pra nga rreth 8 miliardë lekë në 17 miliardë lekë.

Përsa i përket ecurisë së të ardhurave, pra të ardhurat që realizohen nga pushteti vendor, edhe këtu kemi një rritje të performancës së bashkive. Po të shikojmë të ardhurat vendore, nga 2015 në 2025, ato janë rritur me rreth 300 milionë euro ose 3.4 herë më shumë se sa kanë qenë në vitin 2015.

Natyrisht peshën më të madhe në të ardhurat vendore përgjatë vitit 2024 e zë taksa e ndikimit në infrastrukturë që përbën rreth 42 % dhe kjo ndiqet nga taksa mbi ndërtesën që është 13 % si dhe tarifa e pastrimit që është rreth 13 %.

Gjithashtu, kemi marrë në konsideratë edhe historikun e detyrimeve të prapambetura vendore. Sipas historikut mund të shohim se kemi një përmirësim të detyrimeve të prapambetura në nivel bashkish. Stoku i detyrimeve të prapambetura është ulur me rreth 74 %, nga 12.1 miliardë lekë që shënonte në vitin 2015, në 3.2 miliardë lekë në vitin 2024.

Sa i përket statusit të vështirësisë financiare,  ne kemi bërë një vlerësim se si paraqitej në vitin 2015 dhe si paraqitet në vitin 2024.

Kemi klasifikuar si bashki të cilat janë me probleme financiare ato bashki që kanë detyrimeve të prapambetura nga 16-25 %, pra detyrime të prapambetura në raport me shpenzimet faktike.

Konsiderohen bashki të cilat janë në vështirësi financiare ato bashki që kanë detyrime të prapambetura në masën 80 % në raport me shpenzimet e tyre faktike.

Konsiderohen bashki të cilat kanë vështirësi serioze financiare ato bashki të cilat kanë rreth 130 % detyrimeve të prapambetura në raport me shpenzimet faktike.

Të gjitha ato bashki që i kanë detyrimet e prapambetura më shumë se 130 % në raport me shpenzimet faktike konsiderohen bashki në paaftësi paguese.

Në vitin 2015 kanë qenë mbi 30 bashki që paraqiteshin me probleme financiare apo në vështirësi financiare, ndërkohë që në vitin 2024 janë rreth 8 bashki që paraqiten me probleme financiare ose vështirësi financiare.

Bashkia Vorë, Konispol, Pogradec, Peqin dhe Cërrik paraqiten me probleme financiare, ndërkohë që bashkia e Dimalit, Rrogozhinës dhe Kavajës paraqiten si bashki me vështirësi financiare.

Bashkia e Vorës dhe bashkia Cërrik nga bashki me vështirësi financiare në 2023 rezultojnë në bashki me probleme financiare në 2024. 

Detyrimet e prapambetura lidhen kryesisht me detyrime sa i përket vendimeve gjyqësore apo për investime. Në përgjithësi vjetërsia e këtyre detyrimeve varion nga 1 deri në 2 vite.

Masat që duhen të marrin bashkitë respektive, pra bashkitë që paraqiten me probleme financiare, duhet që të bëjnë hartimin e planit të shlyerjes së detyrimeve deri në datën 20 korrik. Këtë plan duhet ta miratojnë në këshillat e tyre përkatës, plan i cili duhet të paraqitet pranë Ministrisë së Financave dhe MF më tej do të duhet të ndjekë realizimin e shlyerjes së këtyre detyrimeve brenda 12 muajve.

Nga ana tjetër, bashkitë që paraqiten me vështirësi financiare duhet të miratojnë planin e rehabilitimit financiar të tyre deri më 20 korrik. Këtë plan duhet ta miratojnë në këshillat e tyre. Më pas  ky plan duhet t’i kalohet Ministrisë së Financave për komente dhe rekomandime, plan i cili më pas nga MF do t’i kalohet degëve të Thesarit për tu ndjekur për zbatim.

Përeveç bashkive që kanë probleme financiare, kemi edhe bashki të cilat kanë pasur performancë të mirë sa i përket realizimit të të ardhurave vendore dhe investimeve. Ato i kemi listuar sipas performancës që kanë kryer. Të gjitha ato bashki që kanë realizuar të ardhurat e tyre vendore apo kanë kryer investime mbi 70 % të buxhetit të tyre të miratuar janë bashkia e Tiranës, Kamzës, Durrësit, Vlorës, Elbasanit dhe Shkodrës. Gjithashtu, edhe në aspektin e investimeve, janë po prapë të njëjtat bashki që kanë realizuar investimet e tyre. Këtu mund të shtojmë edhe bashkinë e Lezhës, e cila ka performuar mirë sa i përket çështjes së investimeve.

Ne jemi drejt financimit të çmimeve të reja të referencës. Vlera e pronave është rritur rreth 26 %, pra është një rritje që besoj do të shtojë dhe vlerën sa i përket të ardhurave në bashkitë. Taksat e pronës është një nga taksat kryesore në të gjitha bashkitë e Europës. Duhet të zërë të njëjtën peshë dhe të njëjtën rëndësi edhe në bashkitë e vendit tonë. Paralelisht me taksën ne do të bëjmë edhe prezantimin e rivlerësimit të pronave, që do të bëhet me një normë tatimore të reduktuar, kështu që do tu japim mundësi të gjithë qytetarëve shqiptarë që krahas vlerës së re të pronës së tyre të bëjnë edhe rivlerësimin e pronave që kanë aktualisht. Kjo është një çështje që ne jemi duke e diskutuar dhe patjetër do ta hedhim edhe në diskutim të gjerë me publikun.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular