HomeKulture"Katundi mes malesh" - prezantohet libri i ri me tregime nga Ramiz...

“Katundi mes malesh” – prezantohet libri i ri me tregime nga Ramiz Gjini

Në mjediset e Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, më 11 korrik 2025, u prezantua libri i ri me tregime i shkrimtarit Ramiz Gjini, “Katundi mes malesh”, botim i shtëpisë Botuese M&B.
Znj. Alda Bardhyli, drejtore e QKLL, foli në fillim të takimit mbi njohjen e saj të hershme me tregimet dhe Ramiz Gjinin, duke theksuar njëkohësisht se ishin të nderuar që ky prezantim i librit të ri, bëhej në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Kritiku Agim Baçi foli mbi të veçantat e prozës së Ramiz Gjinit. “Tregimet e Ramiz Gjinit janë krejt origjinale në prozën e sotme shqipe. Ai shkruan me një stil të thjeshtë në dukje, por të ngarkuar me domethënie dhe simbolikë. Gjuha në tregimet e Ramiz Gjinit është e përmbajtur, por mbart ngarkesë të fortë emocionale”.
“Gjatë leximit të tregimeve të Gjinit, lexuesi nuk e kupton kurrë se si do të vijë fundi. Autori luan me detajet dhe të përfshin në narracion, dhe zgjidhja finale e tregimit është një gjë që vetëm Ramizi e di”, vlerësoi mes të tjerash kritiku Agim Baçi.
“Ramiz Gjini nuk është vetëm një shkrimtar modern, por edhe i emancipuar në mendësi dhe këndvështrim, por edhe sidomos në stilin e të shkruarit”, tha gjatë fjalës së tij poeti dhe botuesi Naim Zoto.
“Ramizi, nga trupi ngjan si kreshnik e pasardhës i Mujit, por mendja e tij, d.m.th., pena e tij, është nga më të hollat dhe më ironiket në letërsinë shqipe. Nuk ka asgjë himnizuese dhe idealizuese në letërsinë e tij. Përkundrazi, nga personazhet e peizazhet e rëndomtë, vendosur në periferi, shkrimtari bën zhbirime interesante, thelbësore për sjelljen dhe natyrën e shqiptarit të sotëm”, vlerësoi Naim Zoto.
Botusi Zoto vuri në dukje edhe fjalorin në librat e Ramiz Gjinit.
“Gjini sjell fjalë krahinore, dialektalizma, të cilat bëhet pjesë e letërsisë, si mënyrë për t’u bërë pjesë e përdorimit të përgjithshëm. Unë nuk njoh shkrimtar që te ketë këtë intensitet të futjes në qarkullim letrar aktiv të kaq shumë arkaizmave apo leksikut krahinor”, vlerësoi Zoto.
Më pas, mbi tregimet e Ramiz Gjinit foli edhe shkrimtari Andon Andoni, i cili solli një krahasim mes prozës së Gjinit dhe tregimeve të Mopasanit, Gogolit etj.
Piktori Zaim Elezi solli një lexim të ri të prozës së Gjinit. “Tregimet e tij janë të mbushur me skena, ngjarje dhe histori që, farë thjesht, mund të bëhen filma”, tha piktori Elezi.
Në fund ta takimit, pjesëmarrësit patën mundësi të merrnin libra me firmën e autorit dhe të shkëmbenin përqafime të ngrohta, të cilat vijnë pas një mungese të gjatë të autorit në Shqipëri.
Ramiz Gjini prej 25 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka botuar vëllimet me tregime “Dush varrezash” (1998), “Këpucët e të tjerëve mbi trotuar” (1999), “Atdheu prej dëbore” (2003), “Mendjet e njerëzve” (2005), “Rrëfime në hije” (2008), “Posta që sjell era” (2010) si dhe romanet “Rrëketë” (2004), “Bibollasit” (2010), “Pëllumbat e rrugës” (2015), “Bijtë e Zotit tonë” (2024).
“Atdheu prej dëbore” (Patria de zapada) është botuar në gjuhën rumune i përkthyer nga Marius Dobresku. Ndërsa me romanin “Bibollasit” ka fituar çmim “Petro Marko” si romani më i mirë i botuar gjatë vitit 2010.


Librin e ri të Ramiz Gjinit “Katundi mes malesh” si dhe disa nga botimet e tjera të tij mund ti gjeni te Botimet M&B ose mund ti porosisni online përmes numrit në whatsapp: 0686508441

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular