HomeKryesore“Tarifë 30% ndaj produkteve të BE”, letra që Trump i shkroi von...

“Tarifë 30% ndaj produkteve të BE”, letra që Trump i shkroi von der Leyen-it. Reagon Presidentja e KE, Makron dhe Meloni. Gjermania në alarm

Zbardhet letra e plotë që presidenti i SHBA-ve Donald Trump i ka dërguar presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ku e njoftoi atë se do të vendoste një tarifë 30% ndaj produkteve të BE-së.

Trump i shkruan presidentes së BE-së se “Duke filluar nga 1 gushti 2025, do të aplikojmë një tarifë prej vetëm 30% për produktet e Bashkimit Evropian që eksportohen në Shtetet e Bashkuara, të ndara nga të gjitha tarifat sektoriale. Mallrat që do të ridrejtohen për të shmangur një tarifë më të lartë doganore do t’i nënshtrohen gjithsesi kësaj tarife më të lartë”.

Në letër Trump thotë se ky është reagim ndaj një defiçiti të qëndrueshëm tregtar, që sipas tij është rezultat i politikave mbrojtëse të BE-së. Presidenti amerikan thekson se SHBA mbetet e hapur për bashkëpunim dhe se tarifat mund të rishikohen, në varësi të hapjes së tregjeve evropiane ndaj prodhuesve amerikanë.

Letra e plotë e Trump-it për von der Leyen

E nderuar Zonja Presidente,

Për mua është një nder i madh t’ju dërgoj këtë letër, pasi ajo dëshmon forcën dhe angazhimin e marrëdhënieve tona tregtare, si dhe faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar të vazhdojnë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, pavarësisht njërit prej defiçiteve tona më të mëdha tregtare me Ju. Megjithatë, kemi vendosur të ecim përpara, por vetëm me një tregti më të balancuar dhe të drejtë. Për rrjedhojë, Ju ftojmë të bëheni pjesë e ekonomisë së jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara, që padyshim është numër një në botë.

Kemi pasur vite të tëra për të diskutuar rreth marrëdhënieve tona tregtare me Bashkimin Evropian dhe kemi arritur në përfundimin se duhet t’i japim fund këtyre defiçiteve afatgjata, të mëdha dhe të qëndrueshme, të krijuara nga politikat Tuaja tarifore dhe jotarifore, si dhe nga barrierat Tuaja tregtare. Marrëdhëniet tona, për fat të keq, kanë qenë gjithçka tjetër veçse reciproke.

Duke filluar nga 1 gushti 2025, do të aplikojmë një tarifë prej vetëm 30% për produktet e Bashkimit Evropian që eksportohen në Shtetet e Bashkuara, të ndara nga të gjitha tarifat sektoriale. Mallrat që do të ridrejtohen për të shmangur një tarifë më të lartë doganore do t’i nënshtrohen gjithsesi kësaj tarife më të lartë.

Ju lutem kuptoni se kjo tarifë prej 30% është shumë më e ulët nga ç’është realisht e nevojshme për të eliminuar hendekun e defiçitit tregtar që kemi me BE-në.

Siç e dini, nuk do të ketë tarifa doganore nëse Bashkimi Evropian apo kompanitë brenda tij vendosin të ndërtojnë apo prodhojnë produkte në SHBA dhe, në fakt, ne do të bëjmë çmos për të dhënë lejet e nevojshme shpejt, në mënyrë profesionale dhe të rregullt, me fjalë të tjera, brenda pak javësh.

Bashkimi Evropian do të lejojë akses të plotë dhe të hapur në tregun amerikan, pa na vendosur tarifa doganore, në përpjekje për të reduktuar defiçitin tregtar të lartë. Nëse për ndonjë arsye vendosni të rrisni tarifat tuaja dhe të reagoni, shuma (cilado qoftë ajo) do t’i shtohet tarifës 30% që ne aplikojmë.

Ju lutem kuptoni se këto tarifa janë të domosdoshme për të korrigjuar shumë vite politika tarifore dhe jotarifore, si dhe barriera tregtare të Bashkimit Evropian, të cilat kanë shkaktuar defiçite tregtare të mëdha dhe të paqëndrueshme në dëm të Shteteve të Bashkuara.

Ky defiçit përbën një kërcënim serioz për ekonominë tonë dhe, në fakt, për sigurinë tonë kombëtare!

Presim me padurim të bashkëpunojmë me Ju si partneri Juaj tregtar për shumë vite në vijim. Nëse dëshironi të hapni tregjet Tuaja, deri tani të mbyllura, ndaj Shteteve të Bashkuara dhe të eliminoni politikat Tuaja tarifore, jotarifore dhe barrierat tregtare, atëherë mund të marrim në konsideratë një rishikim të kësaj letre.

Këto tarifa mund të ndryshohen, me rritje ose me ulje, në varësi të marrëdhënieve tona me vendin Tuaj.

Kurrë nuk do të zhgënjeheni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje.

Me urimet më të mira,
Donald J. Trump/

REAGIMI I Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave 30% ndaj produkteve evropiane të importuara në SHBA, duke paralajmëruar se ky veprim do të prishë seriozisht zinxhirët transatlantikë të furnizimit dhe do të dëmtojë ekonominë në të dy anët e Atlantikut.

Ursula von der Leyen

Në një deklaratë zyrtare, von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të marrë masa të nevojshme për të mbrojtur interesat e tij në rast se tarifat hyjnë në fuqi nga 1 gushti.

“Vendosja e tarifave prej 30% mbi eksportet e BE-së do të prishte zinxhirët kryesorë të furnizimit transatlantik, në dëm të bizneseve, konsumatorëve në të dy anët e Atlantikut,” deklaroi ajo.

“Pak ekonomi në botë janë aq të hapura dhe të drejta në praktikat tregtare sa Bashkimi Evropian”, theksoi Ursula von der Leyen.

Von der Leyen shtoi se BE-ja ka qenë gjithmonë në favor të dialogut dhe një zgjidhjeje të negociuar, duke nënvizuar gatishmërinë për të arritur një marrëveshje para afatit të përcaktuar më 1 gusht.

Megjithatë, ajo paralajmëroi se Bashkimi Evropian është i përgatitur për kundërmasa proporcionale nëse SHBA nuk tërhiqet nga vendimi.

“Ne mbetemi të gatshëm të vazhdojmë të punojmë drejt një marrëveshjeje deri më 1 gusht. Në të njëjtën kohë, do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e BE-së, duke përfshirë marrjen e kundërmasave proporcionale nëse është e nevojshme,” thuhet në deklaratë.

Presidentja e Komisionit përmbylli mesazhin e saj duke theksuar se BE-ja do të vazhdojë të thellojë partneritetet e saj globale, të bazuara në rregullat e tregtisë ndërkombëtare dhe respektin e ndërsjellë.

Ky reagim vjen pas vendimit të Presidentit Trump për të vendosur tarifa të reja ndaj Bashkimit Evropian dhe Meksikës, duke ngjallur shqetësime të thella në tregjet ndërkombëtare dhe duke rritur frikën për një luftë tregtare të gjerë mes fuqive ekonomike botërore.

Gjermania “në alarm” për tarifat shtesë nga SHBA ndaj produkteve evropiane: Rrezik ekzistencial për industrinë

Jo vetëm qeveria gjermane, por edhe përfaqësues të ekonomisë dhe industrisë kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimin e administratës amerikane për të vendosur tarifa shtesë ndaj produkteve të importuara nga Evropa.

berlin

Ata flasin për një “rrezik ekzistencial” për industrinë evropiane dhe i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian të zvogëlojë varësinë nga tregu amerikan. Ndërkohë, ekonomistët mbajnë shpresën për një tërheqje të mundshme nga Uashingtoni.

Federata e Industrisë Gjermane (BDI) e quajti këtë masë një “sinjal paralajmërues” për industrinë në të dy anët e Atlantikut.

“Një përplasje tregtare mes BE-së dhe SHBA-ve, që janë dy zona ekonomikisht të ndërthurura ngushtësisht, do të dëmtonte rimëkëmbjen ekonomike, kapacitetin inovativ dhe, në fund, besimin në bashkëpunimin ndërkombëtar,” deklaroi Wolfgang Niedermark, anëtar i bordit drejtues të BDI.

Ai theksoi se “javët e mbetura deri në hyrjen në fuqi të tarifave më 1 gusht duhet të shfrytëzohen për negociata të barabarta”, duke kujtuar se SHBA është partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë.

Nga ana e tij, Shoqata Gjermane për Tregtinë Ndërkombëtare (BGA) kërkoi qasje të ashpër negociuese nga BE-ja, duke e cilësuar lëvizjen e Trump për tarifa 30% si pjesë e një strategjie të qëllimshme negociuese.

“Evropa nuk duhet të impresionohet, por të kërkojë me qetësi një zgjidhje në tryezën e negociatave,” deklaroi presidenti i BGA-së, Dirk Jandura. Ai shtoi se BE duhet të reduktojë varësinë nga tregu amerikan, duke përmendur si hap strategjik krijimin e një zone të lirë tregtare me vendet e ASEAN dhe ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes me Mercosur.

Në të njëjtën linjë, Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHK) kërkoi një marrëveshje gjithëpërfshirëse BE-SHBA për të gjitha sektorët.

“Kompanitë tona kanë nevojë për perspektiva të qarta dhe të besueshme për marrëdhëniet tregtare dhe investimet me partnerin tonë më të madh ekonomik. Vetëm një marrëveshje e fuqishme mund të rikthejë parashikueshmërinë dhe besueshmërinë,” deklaroi Volker Treier, Drejtor për Tregtinë e Jashtme në DIHK për agjencinë Reuters.

Shoqata Gjermane e Industrisë së Automobilave (VDA) paralajmëroi se tarifat mund të kërcënojnë vetë ekzistencën e shumë kompanive. Presidentja e VDA-së, Hildegard Müller, tha për ARD: “Është për të ardhur keq që po afrohet një tjetër përshkallëzim i përplasjeve tregtare. Kostoja për kompanitë tona tashmë ka arritur në miliarda euro – dhe po rritet çdo ditë.”

Ajo shtoi se furnitorët e industrisë së automjeteve po ndiejnë tashmë ndikime të forta edhe nga tarifat për produktet që vijnë nga Meksika.

Shoqata Gjermane e Makinerive dhe Inxhinierisë (VDMA) vlerësoi se tarifat 30% për eksportet drejt SHBA mund të rrezikojnë ekzistencën e shumë ndërmarrjeve.

“Shumë kompani do të mbijetonin me tarifa 10%, por 30% është krejt ndryshe,” deklaroi presidenti i VDMA-së, Bertram Kawlath, për revistën Politico, duke bërë thirrje për më shumë fokus në tregun evropian.

Megjithatë, ekonomistët nuk përjashtojnë një ndryshim qëndrimi nga SHBA, duke u bazuar në përvojat e mëparshme me administratën Trump. Këshilltari i ministrit gjerman të Financave, Jens Südekum, deklaroi për Frankfurter Allgemeine Zeitung: “Trump është i njohur për deklaratat e forta që shpesh i tërheq më pas. Nuk kam arsye të besoj se këtë herë do të jetë ndryshe.”

Edhe presidenti i Institutit të Kielit për Ekonominë Globale, Moritz Schularick, shprehu për FAZ se gjasa për një tërheqje të Trump është e lartë. Por nëse kjo nuk ndodh, paralajmëroi ai, ekonomia gjermane do të pësojë dëme të ndjeshme.

“PBB-ja pritet të rritet 0,5–0,6 pikë përqindjeje më pak në vitin 2026,” parashikoi ai, duke sqaruar se megjithatë nuk pritet recesion, për shkak të programeve shtesë të shpenzimeve të planifikuara nga qeveria federale.

Me heret pati reagim

“Tarifat prej 30% mbi importet nga Bashkimi Evropian, të paralajmëruar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, do të ishin të dëmshme si për Evropën ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara”, u shpreh sot Ministrja gjermane e Ekonomisë Katharina Reiche, duke bërë thirrje për një zgjidhje reale të luftës tregtare në rritje.

Gjermania

“Tarifat do t’i godasin rëndë kompanitë eksportuese evropiane. Në të njëjtën kohë, ato do të kenë një ndikim të fortë në ekonomi dhe konsumatorët në anën tjetër të Atlantikut”, tha ministrja gjermane përmes një deklarate.

“Një rezultat realist në negociata duhet të arrihet shpejt”, shtoi ajo.

Ministrja gjermane e Ekonomisë, Katharina Reiche
Ministrja gjermane e Ekonomisë, Katharina Reiche

Deklarata e ministres Reiche vjen në një kohë kur tensionet midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian janë në rritje, pas paralajmërimit të Trump për vendosjen e tarifave të reja ndaj një sërë produktesh evropiane që nga 1 gushti.

Masat e propozuara pritet të prekin sektorë kyç si industrinë e makinerive, farmaceutikën dhe bujqësinë. Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do të shqyrtojë kundërmasa tregtare, nëse SHBA-ja zbaton tarifat e reja, duke thelluar më tej përplasjen ekonomike ndërmjet dy prej blloqeve më të mëdha tregtare në botë.


Trump shpalli tarifa 30% për mallrat evropiane! Reagon Macron: BE-ja duhet të përgatitet për kundërmasa

Presidenti francez Emmanuel Macron bën thirrje për veprim të shpejtë nga Bashkimi Evropian, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e tarifave 30% mbi mallrat e importuara evropiane.

Macron-Trump

Në një postim në platformën X, Macron theksoi se BE-ja duhet të përshpejtojë përgatitjet për hakmarrje të mundshme tregtare dhe të mbrojë interesat e saj strategjike.

“Më shumë se kurrë, është përgjegjësi e Komisionit të riafirmojë vendosmërinë e Unionit për të mbrojtur interesat evropiane,” shkroi Macron.

Apeli i Macron vjen në një klimë të tensionuar pas njoftimit të Presidentit amerikan Donald Trump për tarifat e reja, që do të prekin ndjeshëm eksportet evropiane në sektorë kyç si farmaceutika dhe bujqësia.

Brukseli ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të fundit të Uashingtonit, por burime diplomatike konfirmojnë se Komisioni Evropian po shqyrton një paketë të mundshme masash reciproke, për të ruajtur ekuilibrin tregtar dhe autoritetin ekonomik të Unionit.

Mbetet për t’u parë nëse BE-ja do të arrijë të ruajë unitetin dhe të reagojë me forcë në përballje me një nga sfidat më serioze tregtare të dekadës së fundit.

Tarifat amerikane kundrejt produkteve evropiane! Meloni bën thirrje për dialog: Të shmangim polarizimin tregtar me SHBA-të

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar ndaj krizës së re tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe fokus tek negociatat.

giorgia meloni

Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e saj pas publikimit të letrës së Presidentit amerikan Donald Trump, ku shpallen tarifat 30% për produktet evropiane të importuara në SHBA, Meloni thekson nevojën për dialog të hapur dhe shmangie të përshkallëzimit të mëtejshëm.

“Është jetike të mbetemi të përqendruar në negociatat tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe të shmangim polarizimin e mëtejshëm,” thuhet në deklaratën zyrtare të Kryeministrisë italiane.

Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, Meloni shpreh besimin se mund të arrihet një “marrëveshje e drejtë” mes BE-së dhe SHBA-së, që do të përmbushë interesat e të dyja palëve pa nevojën e përshkallëzimit të konfliktit tarifor.

Roma konfirmon gjithashtu mbështetjen e saj të plotë për qasjen e Komisionit Evropian në menaxhimin e kësaj krize.

Në deklaratë theksohet se Italia qëndron në krah të përpjekjeve të Brukselit për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme përmes kanaleve diplomatike dhe negociuese.

Reagimi i Melonit vjen në një moment kritik për marrëdhëniet transatlantike, pasi shumë vende anëtare të BE-së po shqyrtojnë opsione të mundshme për kundërmasa ndaj vendimit të njëanshëm të administratës Trump, që kërcënon të godasë rëndë sektorë kyç të ekonomisë evropiane, përfshirë industrinë automobilistike, farmaceutike dhe bujqësore.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular