HomeSportEURO 2025 për Femrat: Riola Xhemaili e çon Zvicrën në eufori, kalon...

EURO 2025 për Femrat: Riola Xhemaili e çon Zvicrën në eufori, kalon për herë të parë në çerekfinalen

Falë golit në minutat e fundit të Riola Xhemailit Zvicra është për herë të parë në çerekfinalen e Kampionati Evropian të Femrave. Lojtarja me origjinë nga Kosova përballet shpesh me armiqësi në rrjetet sociale.

“Ende nuk mund ta kuptoj plotësisht se si ndodhi. Pulsin e kisha ndoshta 200”, tha Riola Xhemaili pas fishkëllimës për përfundimin e ndeshjes. “Është një ëndërr.”Me golin e saj që e bëri në kohën shtesë 1-1 rezultatin në ndeshjen kundër Finlandës, lojtarja zvicerane me origjinë kosovare parandaloi eliminimin e Zvicrës në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian EURO 2025. Tani skuadra zvicerane e futbollit të femrave është për herë të parë mes tetë skuadrave më të mira në një Kampionat Evropian. Në çerekfinale ajo të përballet me Spanjën ose Italinë. “Ky është moment historik”, tha trajnerja e kombëtares së Zvicrës, suedezja Pia Sundhage.

Xhemaili shënon golin vendimtar

“Që kur po bëja nxehjen po mendoja: ‘Pia, më fut në fushë, ndihem mirë’”, tha Xhemaili. “E dija që do ta shënoja atë gol.” Trajnerja Sundhage e zëvendësoi 22-vjeçaren në minutën e 82-të. Në këtë moment zviceranet ishin 1-0 në disavantazh kundër Finlandës. Humbja do të thoshte eliminim nga Kampionati Evropian.

Dhjetë minuta pasi hyri në fushë, Xhemaili jo vetëm që i çoi në eufori 26,388 spektatorët në stadiumin e Gjenevës, por dhe të gjithë Zvicrën: Pas një krosimi të mprehtë të Géraldine Reuteler, ajo ishte në vendin e duhur dhe shënoi gol në portën finlandeze nga një distancë prej katër metrash.

Rrugë jo e lehtë

Karriera e Riola Xhemailit sifutbolliste nuk ishte e lehtë. Pas dy vitesh të mira në klubin gjerman të Bundesligës, SC Freiburg, lojtarja zvicerane u transferua në vitin 2023 në klubin kryesues VfL Wolfsburg. Por atje ajo nuk mundi të afirmonte veten.

Në vitin 2024 klubi Wolfsburg e huazoi Xhemailin te klubi holandez PSV Eindhoven. Aty ajo pati një nisje të shkëlqyer: me 14 gola dhe gjashtë pasime që përfunduan në gola ajo luajti një rol kyç që sezonin e kaluar PSV Eindhoven u bë nënkampione pas FC Twente. Shpërblimi: Eindhoveni ia shndërroi e Riola Xhemailit kontratën e huazimit në  kontratë të përhershme deri në vitin 2028.

Por trajnerja e ekipit kombëtar zviceran, Pia Sundhage, e mbajti atë në pritje për një kohë të gjatë. Vetëm në fillim të qershorit ajo e aktivizoi sulmuesen për herë të parë këtë vit në ndeshjen e Ligës së Kombeve kundër Norvegjisë. Pas kësaj Riola Xhemaili u bë më në fund pjesë e skuadrës së Kampionatit Evropian.

Me vëllain binjak në një ekip

Riola Xhemaili është lindur në Solothurn në vitin 2003. Si shumë shqiptarë të Kosovës edhe prindërit e saj kishin emigruar në Zvicër. Shumë lojtarë kyç në ekipin kombëtar zviceran të meshkujve kanë gjithashtu rrënjë kosovare, ndër ta dhe yjet e Bundesligës Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka.

“Karriera ime filloi në volejboll dhe ishte rastësi që futbolli më hyri në zemër”, thotë Xhemaili.”Kjo ndodhi kur po shikoja vëllain tim binjak, Rion Xhemaili. E pashë kur luante me teknikën e tij të mirë dhe shpirtin e tij luftarak.”

Në fillim, binjakët stërviteshin së bashku në një ekip fëmijësh të Solothurnit. Pastaj shtigjet e tyre të futbollit u ndanë. Vëllai Rion tani luan për ekipin e të rinjve të klubit zviceran të kategorisë së parë FC Winterthur.

Komente plot urrejtje në rrjetet sociale

Në vitin 2020 Riola Xhemaili debutoi për ekipin kombëtar të Zvicrës. Meqenëse ai vendosi të luajë për Zvicrën, ku ishte lindur, në vend të ekipit të Kosovës, futbollistja ende sulmohet shpesh në rrjetet sociale.

Ajo kërcënohet rregullisht dhe familja e saj fyhet, shkroi Xhemaili në Instagram në gusht të vitit 2024: “Unë luaj për Zvicrën për të treguar se jam mirënjohëse që jam rritur në një vend kaq të mrekullueshëm.” Më tej ajo sqaron: “Rrënjët e mia janë nga Kosova. Kjo do të mbetet gjithmonë kështu dhe nuk do të ndryshojë kurrë. Ne të gjithë duhet të ndajmë të njëjtat vlera dhe të mos përhapim urrejtje të panevojshme.”

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular