Nga Neritan Vladi
Prej më shumë se një jave Edi Rama e ka futur vendin në depresion, duke u shfaqur si reformator radikal në të gjitha fushat e shtetit. Po sillet si një kryeministër që ka ardhur për herë të parë në pushtet. Sikur deri në 12 maj 2025, kishte 12 vite në opozitë dhe papushim në të gjitha mënyrat, kishte denoncuar ndërtimet pa leje, inspektorët që marrin rryshfet, bulmetin dhe qumshtin që shitet në rrugë, drejtorët e ujsjellësve “me 30 këshilltarë”, por që linin qytetarët pa ujë, parkimet dyshe, mungesën totale të planeve zhvillimore, nga Tirana në bregdet e Alpet shqiptare, etj, etj.
Por e vërteta është se Edi Rama dhe “Rilindja” e tij e cila maskohet si Parti Socialiste vetëm gjatë fushatave elektorale, ka plot 12 vite në pushtet e madje fuqiplotë. Ndaj ajo çfarë po i ndodh Thethit dhe gjithë vendit, është thjesht pasojë e mashtrimit parazgjedhor nga kryeministri dhe makineria elektorale e partisë-shtet.
Habia më e madhe është me ata që habiten, kur i njëjti Ramë në mënyrë sistematike në 5 fushata elektorale rresht për zgjedhjet elektorale, plus ato bashkiake, përdor të njëjtën skemë mashtruese dhe “fitoret” i thellon.
Por a duhet akoma dhe si ka mundësi që shqiptarët të vazhdojnë të mashtrohen sistematikisht nga premtimet e po të njëjtit person dhe parti prej afro 2 dekadash?!
Si shjegohet që e njëjta histori e përsëritur shitet e blihet si “mall i ri” çdo 4 vite?!
Avazi është i njëjtë: Rilindja, premton para zgjedhjeve, vjedh dhe blen vota për të rimarë pushtetin gjatë procesit zgjedhor dhe pasi mbaron punë me sukses, masakron direkt pas zgjedhjeve dhe vijon grabitjen edhe më thellë!
Mashtron gjatë mandatit të radhës 4- vjeçar me propagandë dhe
rikthehet, me po të njëtën formë të mashtrimit afër zgjedhjeve të radhës: Premtim- Masakrim-Mashtrim-Vjedhje-Blerje …dhe përsëri nga e para.
Dhe në fund pazëllin e plotëson për mbyllje, opozita berishiste. Kur në Theth dhe në gjithë Shqipërinë bëhet nami me abuzimet dhe arrogancë policore nga qeveria, opozita e Berishës flet për Yuri Kim!
Se çfarë pune ka me hallet tona një zyrtare e DASH dhe se çfarë bën në jetën e saj dhe në karierën e saj pas ikjes nga detyra ku ndikonte në jetët tona për sa kohë ishte perfajqësuese e SHBA në Shqiperi, asnjë shpjegim logjik nuk ka.
Po dakort e zëmë se do të largohet një ditë nga Departamenti i Shtetit, (psh me leje lindje, apo del në pension), përsëri me atë do merremi?!
Ambasadorja Yuri Kim, kur kishte sadopak ndikim mbi ne atëherë, si përfaqësuese e SHBA në Tiranë na tha: Nëse do shkoni mbrapa Sali Berishës dhe berishizmit, do përfundoni duke “ngrënë bar”.
E vërtetë që ishte deklaratë e ashpër për demokratët dhe opozitarët dhe jo me gjuhë diplomatike, por gjithmonë të vërtetat janë te hidhura dhe të dhëmbin fillimisht. Në fakt e vërteta të çliron, mospranimi i saj të robëron dhe të fundos edhe më shumë. Ky është rasti tipik i këtij postulati.
Me sa po duket Kim kishte të drejtë: Ashtu përfunduam e po bëhet më keq se edhe “bari” berishist është tharë e po mbaron.
Por a jemi në të drejtën tonë ne si demokratë dhe shqiptarë të zgjedhim atë që duam?
Patjetër që po, por nuk duhet të ankohemi ndaj atyre që na treguan më parë, se çfarë do të na ndodhte. Ne e zgjodhëm me koshiencë të plotë, “Menu vegjetariane“.
Ky ishte paralajmërimi Ambasadores në atë kohë, kur Berisha nga ana tjetër premtonte se do të rrëzonte Ramën për 6 muaj nëse e rikthenim në krye të PD. Pas 4 vitesh, koha i gjykon të dy. Kush na tha të vërtetën dhe cili i mashtroi demokratët.
Deri më sot nga ai institucion, (Ambasada), që përfaqëson SHBA-në në Shqipëri nuk kemi deklaratë tjetër më të rëndësishme për ne dhe opozitën. Pra Ambasada Amerikane nëpërmjet përfaqësueses së saj në Shqipëri, rezulton se na ka dalë borxhit. Paralajmërimi i saj tragjikisht doli i vërtetë, edhe pse na dhëmb!
Të shohim në vazhdim nëse do na jepet ndonjë paralajmërim-premtim me Menu tjetër. Të shpresojmë, edhe pse kuzhinierët kanë mbetur po ata që nga koha “e barit”, Berisha dhe Rama.
Por të mos harrojmë që në të njëjtën kohë me paralajmërimin “e barit”, amerikanët na dhanë si alternativ edhe një Premtim të madh. Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, (Eskobar- te shkallët e selisë së PD), deklaroi botërisht: Mezi presim të festojmë fitoren me Partinë Demokratike dhe me Lulzim Bashën dhe të bashkëpunojmë me qeverinë e tyre!
Pra më shkoqur dhe në mënyrë eksplicide, nuk kishte ku të shkonte. Na thanë që kishim dy zgjedhje; ose Menu vegjetariane, ose mbështetje të SHBA për fitore në zgjedhjet e radhës, 2025), dhe ardhje në pushtet si partnerë të fortë dhe besueshëm të SHBA.
Ne zgjodhëm të parën. Ta gëzojmë!
Paralajmërimin e “barit” e vërtetuam, e provuam dhe e “shijuam”, ndërsa premtimin për fitore dhe rikthim në pushtet e lamë rrugëve, sepse u zgjodh e kaluara berishiste dhe jo e ardhmja me Bashën, siç na kërkoi “armikja” Kim.
Prandaj Edi Rama i bën të gjitha pa u shqetësuar. Sepse mundet dhe nuk ka kush ta sfidojë, përveç berishistëve që hallin më të madh kanë, se kur do largohet nga zyra Yuri Kim përtej oqeanit Atlantik. Grabiqar i pasurive të shqiptarëve dhe votës, mashtrues recitivist është Rama, por kjo histori, (Sa tragjike aq komike), tashmë është bërë si puna e hajdutit.
Patjetër hajduti ka faj që vjedh, po dhe ne nuk duhet ta “harrojmë” derën fare hapur…1 herë, 2-3-4, 5 herë. Sidomos kur na tregojnë që është hajduti vërdallë dhe vetë hajduti, pa shqetësim, pa frikë e frena, përsërit të njëjtën gjë pambarimisht.
Dhe më tragjikja është se me Ramën pafundësisht në pushtet, kemi arritur në fazën që jo vetëm demokratët, por edhe socialistët dhe gjithë shqiptarët e ndershëm “po hanë bar”!