Pasditen e së mërkurës që lamë pas në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në kryeministri u promovua libri “Në emër të gjakut i Ahmet Prençit. Ishte kjo një mbrëmje e mbushur me biseda frymëzuese dhe reflektime mbi letërsinë shqiptare, një takim i bukur letrar për një nga librat më të spikatur të këtij viti, jo vetëm për nga përmbajtja, por edhe për vërtetësinë e shkrimit. Të pranishmit dhe sidomos për ata që folën, analizuan dhe ndanë opinionet e tyre mbi veçantinë e këtij botimi të rëndësishëm ndër ta, shkrimtarja Diana Çuli, shkrimtari Ermir Nika, shkrimtari Liridon Mulaj, studiuesi Behar Gjoka, si dhe vetë autori Ahmet Prençi si dhe botuesja Elda Vela. Shtëpia Botuese Mediaprint ka mirënjohje për çdo fjalë, reflektim dhe emocion që u ndanë në këtë takim, i cili na afroi më shumë me një të vërtetë të dhimbshme, por të domosdoshme, që ky libër na e sjell kaq fuqishëm. Qendra për Hapje dhe Dialog ku dhe u promovua libri “Në emër të gjakut” i autorit Ahmet Prençi, në shënimin në faqen zyrtare ne FB shkruan: “Është një përmbledhje tregimesh dhe një novelë që na rikthen te vitet e vështira të ’97-ës, me vështrimin e ndjeshëm të një autori që e jeton letërsinë si shprehje origjinale të së vërtetës. Autori Ahmet Prençi ishte i pranishëm për të ndarë nga afër procesin krijues dhe domethënien e këtij libri që ngre pyetje të thella mbi njeriun dhe historinë”. Autori Ahmet Prençi me modestinë që e e karakterizon pasi falënderoi të pranishmit në takim si dhe panelistët që folën për krijimtarinë e tij pohoi se përpiqet të jap më të mirë nga vetja në krijimtari duke mos e konsideruar veten shkrimtar të madh dhe se ndihej i vlerësuar për fjalën e mira që u folën në këtë takim.
Në fjalën e tij shkrimtari Ermir Nika tha se- “Vëllimi me tregime Në emër të gjakut është një botim i cili e konsolidon autorin si prozator, pasi zhanri i tregimit si i tillë, dëshmon ose hedh poshtë përkryerjen stilistikore dhe lojën kompozicionale me subjektin. Në këtë rast, autori ia ka dalë mbanë që nëpërmjet rrëfimeve të tij, të na ofrojë një peizash nga më dramatikët në letërsinë shqipe, duke trajtuar tema dhe rindërtuar karaktere të cilat, çdo autor do të nguronte t’i paraqiste, me përpjekjen për të mos prekur a retushuar pamjen e tyre reale”. Në vijim z.Nika shtoi se –“Ky realitet tronditës, i cili i përket momenteve më përfaqësuese të tranzicionit shqiptar, i përngjan një mozaiku të kahershëm, i cili zbulohet ashtu sikurse është ndërtuar, nga vet natyra njerëzore, kjo e bën edhe më të pabesueshme dhe absurde brendinë e tij. Atë periudhë e njohëm dhe e përjetuam dramatikisht të gjithë, por jo shumëkush mori guximin ta rindërtojë e ta risjellë me një penelatë restauratore, duke ruajtuar me fanatizëm origjinalitetin dhe mesazhin që duhet të përcjellë nga një gjeneratë tek tjetra. Këtë sakrilegj duket se e mori mbi vete dhe e përcolli në bregun tjetër, në një tjetër kohë, shkrimtari Ahmet Prençi”.
Më pas fjalën e mori shkrimtarja Diana Çuli e cila ishte kujdesur për ti dhënë rëndësi këtij evenimenti ku çdo fjalë e kishte të shkruar. Zonja Çuli tha se –“ Ja ku jemi përsëri me librin e tretë të Ahmet Prençit – Në emër të gjakut, një libër me tregime, pasi ka lënë për momentin romanin.
Për këtë libër është folur shumë, ai mori çmimin në Prishtinë, është vlerësuar nga studiues të njohur si Behar Gjoka, i cili e ka përcaktuar librin “Në emër të gjakut” si “një ditar, një pasqyrë ku shihemi çdo ditë, me të cilin Ahmet Prençi ja hoqi petët lakrorit të padrejtësisë.” Ose shkrimtari e poeti Rudolf Marku, që ka shkruar edhe parathënien e ku ka theksuar se: “Autori i këtij libri ka vendosur të flasë përmes gjuhës artistike të tregimit për ca të vërteta të hidhura, për ca karaktere njerëzore që janë pjesë e jona, për ca ngjarje që shumë kush nga ne nuk do t’i donte t’i kujtonte, po ashtu si ca njerëz që do të donin të mos shihnin veten në një fotografi kapur në një moment të shëmtuar dhe kompromentues. Dhe më tej – këtu kemi shkrirjen në një të skenave makabre me humanizmin e thellë të fshehur kujdesshëm, të autorit. ”Më tej shkrimtarja Çuli shtoi se: – “I mora si pikënisje këto dy citime nga dy personalitete të letrave tona, sepse më duken edhe si karakteristika kryesore të veprës së tij. Ahmet Prençi trajton tema të drejtësisë – gjë që tek ne në këto tri dekada rrallë ose asfare nuk janë trajtuar, ose edhe nëse po, nuk kanë lënë gjurmë – ndoshta dhe jam gabim, por asnjëherë me një intensitet të tillë, temë, që te Prençi fillon që te Brenga e prokurorit. Dhe nuk është e lehtë, Gjithashtu, si thotë Rudolfi, edhe mua më duket se humanizmi i fshehur e përshkon si fill i padukshëm letërsinë e tij. Ajo që vërej në këtë libër me tregime e novela, është një kapërcim në stil të autorit. Nëse te Brenga e prokurorit zënë vend edhe kapërcime në kohë, backstory të personazheve, në këto novela – ndoshta nga vetë përcaktimi kohor-viti 1997 – stili është përfshirës dhe me suspense. Atmosfera e të papriturës, e rrezikut, e ankthit është shumë e pranishme. Rrëfimi është mjaft i strukturuar, nuk i shmanget rrjedhës kryesore të narracionit dhe synon të na japë një imazh sa më të gjallë të asaj që po përshkruan e po diskuton së bashku me ne.
Gjuha e personazheve është e drejtpërdrejtë, të përfshin në emocione, dhe subjekti po ashtu i strukturuar mirë, në të gjitha tregimet por edhe në ato që janë më të gjata, në kufinjtë e novelës. Dhe, më kryesorja, personazhet e tij, si policët të cilëve u ka dedikuar dhe këtë libër, si romët me të cilët pak janë marrë dhe që askush nuk kishte folur më parë për atë ngjarje të asaj kohe, si dhe njerëzit e tjerë, të duket sikur i ke para syve dhe nganjëherë përpiqesh të gjesh se më kë personazh real të ngjajnë”.
Diana Çuli më tej shton se: – “Ajo që të bën përshtypje në të gjithë këto tregime, që pasqyrojnë shumica ndoshta periudhën më dramatike e më të vështirë të tranzicionit tonë, e që e kemi jetuar të gjithë, është se nuk të duket si kopje, si përsëritje, por si një realitet i ri, i cili të kthen mbrapsht me pamje të gjalla në realitetin e vjetër,: atë të jetës. Pra fiction-i ia ka arritur qëllimit: një botë e re e krijuar nga autori, por që trajton ato çështje që na rrethonin dhe për të cilat tani reflektojmë ndryshe, analizojmë një në një tjetër mënyrë, në atë që na jep mundësinë letërsia. Ajo që më bën përshtypje në letërsinë e Prençit, është edhe trajtimi i çështjeve etike, të dilemave të prokurorëve, policëve, njerëzve të thjeshtë, por të ndershëm, përpara sfidave që i vendos krimi, shkelja e ligjit, agresiviteti, keqbërja, keqdashja.
Dhe, më e rëndësishmja është mesazhet që ne perceptojmë përmes rrëfimit të këtyre ngjarjeve tragjike e tronditëse, përmes formës që ai i jep tregimit: në këtë realitet specifik ku na fut autori, në këtë moment specifik të historisë sonë moderne, ai ka përdorur një stil e një formë që i bën këto tregime mjaft origjinale. Sepse jo gjithnjë është e lehtë, për asnjë nga ne, që i jetojmë ngjarjet historike, të ruajmë atë peshore të vështirë mes realitetit dhe fictionit, të vërtetës dhe imagjinares dhe këtë peshore mendoj se Ahmet Prençi e ka gjetur me shumë saktësi. Nuk ka rënë në grackën e detajit historik dhe as të fantazisë së shfrenuar, as të hamendjeve kureshtare. Di ta përdorë mjaft mirë letërsinë si një burim edhe informativ mbi historinë dhe historinë për t’i dhënë atij një kontekst të caktuar e një frymëzim për krijimin letrar.
“Dhe ne të gjithë, dëshmitarë të vitit 1997, por edhe të ngjarjeve të pambarimta që prodhon shoqëria jonë e vogël në numër, por e madhe në drama, tragjedi e madje dhe komedi të çuditshme, duke lexuar këtë libër reflektojmë mbi atë që është brenda nesh si shoqëri, mbi përpjekjet që bëjmë për të ndryshuar dhe mbi ato rrënjë që na mbajnë shpesh thellë në të shkuarën apo që kërkojnë të mbijnë në toka jo pjellore. Dhe, me anë të letërsisë, ndoshta, shpresojmë se mund të hedhim pak dritë mbi këto përsiatje tonat e të përparojmë sapak. Siç shkruan edhe studiuesja Ajne Hibërhysaj, Ahmet Prençi “nuk shkruan për të fituar zemrat e lexuesve, por për të zgjuar ndërgjegjen e tyre. Ky libër nuk është një libër që lexohet lehtë, por është një libër që duhet lexuar. Ai nuk kërkon keqardhje, por reflektim.”
Dhe unë jam krejt në një mendje me të” – përfundon fjalën e saj shkrimtarja Diana Çuli.
Studiuesi Behar Gjoka i cili në preferoi të fliste më shumë si lexues në këtë mbrëmje letrare vlerësoi maksimalisht personalitetin e Ahmet Prençit por dhe krijimtarinë e tij ku në romanin “Anja” është dhe redaktor i librit. Duke folur për botimin më të ri të Ahmet Prençit “Në Emër të gjakut”, Behar Gjoka tha se: – “Unë preferoj të flas si lexues. E kam lexuar dy herë librin, herën e parë e lexova për ta vlerësuar, jo si mik, por për ta veçuar, sepse ndjeva një frymë krejt tjetër, integrimin shqip, sepse druaj, se dyshoj se proza e shkurtër ka një lloj lëgate në këtë kohë kur në fakt tregimi është shkolla e prozatorit. Ky libër më dha kënaqësinë duke e lexuar për së dyti në qetësi larg zhurmave, larg bubullimave. Në leximin e dytë kuptova shumëçka, më saktë nisur nga botimi ky është libri i tretë prozë e ka filluar me romanin “Anja” që kam qenë redaktor, pastaj “Brengën e Prokurorit. Tek libri Ahmet Prençi ka një novel që e ka shkruajtur në 2004, pra po të nisemi me radhë e ka filluar më novelë krijimtarinë, po të nisemi nga radha e botimit është libri i tretë prozë, natyrisht ka dhe poezi dhe gjera të tjera, por mendoj që gjurma e vërtet e Ahmet Prençit është tek shkrimi i prozës”.
Edhe shkrimtari Liridon Mulaj në fjalën e tij vlerësoi maksimalisht librin më të ri ”Në emër të gjakut” teksa shtoi se kjo ishte një surprizë për faktin sepse nga informacioni që ai ka, autori Ahmet Prençi pritet të vij sërish përmes krijimtarisë së tij me një tjetër roman, pro siç ai shtoi ardhja e librit me tregime dhe novela veçse një surprizës është dhe një arritje e autorit teksa suksesi i tij ishte i menjëhershëm kjo falë dhe interesit të lexuesit”.







