Një vendim i rëndësishëm pritet të merret të mërkurën nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Gjykata do të shqyrtojë mocionin e mbrojtjes për rrëzimin e disa pikave të aktakuzës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ky vendim do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e mëtejshme të gjykimit.
Procesi gjyqësor ndaj katërshes ka hyrë në fazën përfundimtare dhe vendimi i nesërm do të jetë thelbësor. Avokati Taulant Hodaj shpjegon se kjo fazë shërben si një “filtër” ku gjykata mund të ndërhyjë nëse aktakuza konsiderohet e dobët bazuar në provat e prokurorisë dhe dëshmitë e dëshmitarëve.
“Nesër trupi gjykues mund të rrëzojë disa pika të aktakuzës, mund të mos rrëzojë asnjë ose mund të vendosë të vazhdojë me të gjitha,” deklaroi Hodaj. Ai theksoi se kërkesa e përfaqësuesit të viktimave për të paraqitur fjalën e tij lë të kuptohet se jo të gjitha pikat e aktakuzës do të rrëzohen, ose asnjë prej tyre. Sipas Hodajt, rrëzimi i disa pikave të aktakuzës mund të lehtësojë vendimmarrjen përfundimtare, e cila pritet në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, Dhomat e Specializuara kanë dhënë tashmë një vendim të formës së prerë në rastin e Salih Mustafës, duke konfirmuar dënimin prej 15 vjetësh burgim të vendosur nga Apeli.
Sa i përket rastit të Pjetër Shalës, i njohur si “Ujku”, të cilit Gjykata e Apelit ia ka ulur dënimin nga 18 në 13 vjet burg, përfaqësuesja e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Blendina Veliqi, sqaron procedurat e mëtejshme. Ajo shpjegon se “qoftë mbrojtja, qoftë prokuroria mund të bëjnë ankesë për mbrojtje të ligjshmërisë”.
Në këtë fazë, nuk bëhet vlerësimi i provave, por mund të paraqiten pretendime për shkelje të ligjit. Nëse kjo ndodh, procedurat vazhdojnë në Gjykatën Supreme, e cila ka mundësinë të ndryshojë vendimin, ta kthejë në rishqyrtim, ose të konstatojë se shkeljet nuk ndikojnë në ndryshimin e vendimit të Apelit.
Vendimi i nesërm për aktakuzën e ish-krerëve të UÇK-së do të monitorohet me kujdes nga e gjithë opinioni publik, duke pasur parasysh rëndësinë e tij për drejtësinë dhe historinë e Kosovës.