Shkruan: Çaush KullafiNë një kafe të ngrohtë me poetin Hamdi Skeja, përveç bisedave të zakonshme për jetën, letërsinë, reportazhet dhe ato “shkrime me spec” që ai shpesh i nënshkruan me finesë e ironi nën emrin e personazhit “shoqe”, ndodhi diçka që do më mbetet gjatë në kujtesë. Poeti më dhuroi librin e tij më të ri me poezi: “Jetoj brenda një gruaje”.
E mora me emocion, dhe sapo u ktheva në tavolinën e punës, nisa ta lexoj. Faqe pas faqeje, poezi pas poezie, ndjeva se nuk kisha më në dorë vetëm një libër, por një pasaportë që më fuste thellë në botën shpirtërore të autorit, botën e gruas, të dashurisë, të mallit dhe të trishtimit të bukur.
Që në poezinë “Vajza e luleve”, ku malli bëhet përditë më i madh, ndjeva një stil poetik të qëlluar, një thjeshtësi që nuk e humb asnjëherë thellësinë. Vargjet “çdo mëngjes më mbyt malli” të godasin si një zë i brendshëm që s’gjen qetësi. Më pas, në poezinë “Jemi dy shkëmbinj”, poeti e vendos dashurinë dhe mallin përballë njëri-tjetrit, në një përplasje që rrjedh natyrshëm dhe të lë pa fjalë.
Në poezinë “Sikur të ishte një kohë tjetër”, dashuria shpërthen në formën më të pastër, por gjithmonë me mallin si sfond. Ai nuk shkruan thjesht për gruan, por jeton brenda saj, në ndjesinë, në kujtimin, në mungesën e saj. Ajo është e pranishme në çdo rresht, si një hije drite që mbart dhembje e gëzim njëkohësisht.
Kur arrin te poezia “Malli yt”, ndjen se poeti përdor me mjeshtëri fjalët për të rrëfyer se si një ecje e dikurshme në rrugët e qytetit, sot është shndërruar në një kujtim që gërryen.
Në vargun “Sot jam i vetëm, malli më ka vrarë”, ai e zhvesh shpirtin deri në pikën më të brishtë.
Në “Jetoj brenda një gruaje”, poezia që mban dhe titullin e librit, gruaja shfaqet si forca që jep jetë, si lule që aromatizon ekzistencën e poetit, ndërsa ai vetë është si bilbili që s’pushojnë së kënduari, pavarësisht heshtjes përreth.
Poeti nuk flet thjesht për mungesën e saj, por për përqafimin, për frymën e saj, për buzët dhe ëndrrat që ajo mbart. Në poezinë “Kënga e vetmisë”, ai e pranon se kur dashuria largohet, gjithçka tjetër zbehet, humbet ngjyrën, humbet kuptimin.
E veçantë është edhe poezia “Kur të vdesim”, që si një elegji intime, sjell një varg të rrjedhshëm dhe plot kuptim. Poeti shpreson që pas ikjes së tyre, të mbetet një kujtim, një njeri që do flasë mirë për ta, për dashurinë e tyre që sfidoi kohën.
Shumë nga poezitë e këtij libri janë si biseda me detin, me hënën, me Zotin, figura të mëdha që dëgjojnë poetin dhe mbajnë sekretet e tij.
Ai e përshkruan fytyrën e gruas me një ëmbëlsi dhe ndjeshmëri që rrallë gjendet.
“Lëng jasemini nxjerr goja jote”, një krahasim që e shndërron gruan në një krijesë engjëllore, ndërsa në sytë e saj lexon gjithë universin. Lotët e saj janë si burime të shenjta që përjetësojnë ndjesinë.
Ky libër është poetikë e shpirtit njerëzor, është një grishje për të ndalur kohën dhe për të dëgjuar zërin e dashurisë që shpesh zhurma e botës na e mbulon.
Gjuha e poetit është e qartë, e drejtpërdrejtë, por gjithmonë e ngarkuar me ndjeshmëri dhe figuracion. Libri është i kuptueshëm për çdo lexues, qoftë ai i përditshmërisë apo ai që vjen nga bota akademike.
“Jetoj brenda një gruaje” është tashmë në bibliotekën time, në rreshtin e librave që nuk lexohen një herë të vetme. Ky është një libër që lexohet me zemër. Sepse nuk është thjesht një përmbledhje poezish.
Është një jetë e ndjerë, e shkruar dhe e jetuar me dashuri.

