Sali Berisha tashmë e ka vulosur se nuk do të respektojë neni “Basha” dhe nuk do ta fusë partinë në zgjedhje të reja për kryetarin.
Askush nga drejtuesit e lartë nuk e ka opsion fjalën dorëheqje dhe në pozicionet e tyre pritet të qëndrojnë deri në fund të mandatit që i lejon statuti i Partisë.
Por, deri atëherë, ndryshimi i grupit parlamentar do të imponojë ndryshime në kryesinë demokrate.
Aktualisht e përbërë nga 33 anëtarë, 14 janë anëtarë exofficio, mes të cilëve edhe grupi “Bardhi” i integruar pak më shumë se një vit më parë për shkak të pozicioneve që një pjesë e deputetëve demokratë mbanin në Komisionet Parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë.
Ndryshimi i përbërjes së grupit të deputetëve dhe emrat që do të marrin pozicione drejtuese në komisionet parlamentare me nisjen e legjislaturës së re, do të spostojnë jo pak figura nga kryesia e PD.
Zheni Gjergji, u fut në në kryesi në mars të 2024, kur grupi Bardhi iu bashkua Sali Berishës, për shkak se drejtonte Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë.
Tashmë ajo nuk është më deputete dhe as drejtuese e Komisionit, e si e tillë duhet t’ja lërë vendin në kryesi ligjvënësit që do ta zëvendësojë në krye të komisionit parlamentar të shëndetësisë.
E njëjta gjë me Dhurata Çupin, e cila ishte nënkryetare e PD në Komisionin e Ligjeve.
Në kryesi ajo u fut pikërisht për shkak të këtij pozicioni. Vendin e saj në kryesinë demokrate do të duhet ta zërë emri i ri që do të mbajë postin e nënkryetarit të ligjeve në Kuvend.
Edhe Ferdinand Xhaferri duhet të lirojë karrigen e tij në kryesinë e PD. Ai u fut për shkak se ishte nën-kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare gjatë kohës që ishte deputet.
Si deputet u afrua në kryesi edhe Helidon Bushati, por as ky i fundit nuk u rizgjodh ndaj pozicioni i tij si anëtar exofficio vihet në pikëpyetje.
Por shtatori do të qartësojë edhe fatin e të tjera figurave që në kryesi u futën po ashtu, për shkak se mbanin një post parlamentar, por që janë rizgjedhur deputetë. Jorida Tabaku e rikonfirmoi mandatin falë mbi 20 mijë votave për emrin e saj në listën e hapur të Tiranës.
Por nuk dihet nëse Berisha do ta zëvendësojë në krye të Komisionit të Integrimit. Bashkë me të, nëse nuk rikonfirmohen në pozicionet në Kuvend, jashtë kryesisë ngelen edhe dy emra të tjerë që ishin në listë të sigurt, nënkryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj apo kreu i grupit Gazment Bardhi, për të cilin kreu i PD ende nuk ka folur nëse do ta lërë drejtues të deputetëve apo do ta zëvendësojë.