Policia e Elbasanit ka konfirmuar arrestimin e vëllait të deputetit të PS, Saimir Hasalla, Denis Hasalla.
Në kuadër të hetimeve për aferën e inceneratorit të Elbasanit, policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa, mes tyre edhe në atë të Denis Hasallës, ku është zbuluar një sasi municioni të paautorizuar.
Raportohet se Denis Hasallës iu janë gjetur në banesën 30 fishekë dhe u vendos në prangat e policisë.
“Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i: D. H., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak”, njoftoi policia.
Municioni luftarak u zbulua në shtëpinë e vëllait të deputetit socialist gjatë kontrolleve në kuadër të hetimeve për çështjen e inceneratorit të Elbasanit.
Me urdhër të prokurorisë dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Elbasanit, janë ushtruar gjatë mëngjesit të sotëm 14 kontrolle në banesa të zyrtarëve, përfshirë edhe administratorin e kompanisë koncesionare “ECO-ELB”, Leli Kraja.
Kujtojmë se Saimir Hasalla arriti të merrte mandatin e deputetit, pasi u shpall fitues në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.