HomeAktualitetInceneratori i Elbasanit, arrestohet vëllai i deputetit të PS, i kapen armë....

Inceneratori i Elbasanit, arrestohet vëllai i deputetit të PS, i kapen armë. Gati prangat për disa zyrtarë, në fokus edhe zv. kryetarë bashkish të qarkut

Policia e Elbasanit ka konfirmuar arrestimin e vëllait të deputetit të PS, Saimir Hasalla, Denis Hasalla. Në kuadër të hetimeve për aferën e inceneratorit të Elbasanit, policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa, mes tyre edhe në atë të Denis Hasallës, ku është zbuluar një sasi municioni të paautorizuar. Raportohet se Denis Hasallës iu janë gjetur në banesën 30 fishekë dhe u vendos në prangat e policisë. 
“Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i: D. H., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak”, njoftoi policia.

Municioni luftarak u zbulua në shtëpinë e vëllait të deputetit socialist gjatë kontrolleve në kuadër të hetimeve për çështjen e inceneratorit të Elbasanit.

Me urdhër të prokurorisë dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Elbasanit, janë ushtruar gjatë mëngjesit të sotëm 14 kontrolle në banesa të zyrtarëve, përfshirë edhe administratorin e kompanisë koncesionare “ECO-ELB”, Leli Kraja.

Kujtojmë se Saimir Hasalla arriti të merrte mandatin e deputetit, pasi u shpall fitues në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

OPERACIONI

Prokuroria e Elbasanit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndërmarrë një operacion të gjerë kontrollesh në kuadër të një hetimi penal për abuzim financiar me inceneratorin e Elbasanit dhe Eco Alb.

Me urdhër të prokurorisë dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Elbasanit, janë ushtruar gjatë mëngjesit të sotëm 14 kontrolle në banesa të zyrtarëve dhe përfaqësuesve të përfshirë, përfshirë administratorin e kompanisë koncesionare “ECO-ELB”, Leli Kraja, raporton gazetari Fatmir Popja.

Në fokus të hetimeve janë gjithashtu disa zëvendëskryetarë bashkish të qarkut Elbasan, si dhe drejtorë juridikë dhe të Financave, të cilët dyshohet se kanë pasur rol aktiv në marrëdhëniet institucionale dhe financiare me kompaninë që menaxhon mbetjet urbane.

Kontrollet zhvillohen në një moment kur Prokuroria ka përfunduar fazën e marrjes në pyetje të 43 personave, të cilët janë thirrur për të dhënë shpjegime lidhur me funksionimin dhe menaxhimin financiar të inceneratorit.

Hetimi është regjistruar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Keqmenaxhimit të mbetjeve”, ndërsa burime pranë Policisë së Elbasanit bëjnë me dije se hetimi ka avancuar ndjeshëm.

Pritet që në ditët në vijim të ketë masa sigurie ndaj disa zyrtarëve lokalë, për shkak të dyshimeve për abuzim me fonde publike në bashkëpunim me kompaninë “ECO-ELB”.

Hetimi, që është konsideruar voluminoz dhe kompleks, është hapur në vitin 2024, dhe ka kaluar në fazën e analizës së marrëdhënieve institucionale dhe financiare mes kompanisë “ECO-ELB” dhe tetë bashkive të qarkut Elbasan.

Bëhet fjalë për pagesa të kryera për katër lloje shërbimesh, përfshirë dhe procesin e djegies së mbetjeve, i cili sipas hetimeve është kryer pjesërisht, për periudha të kufizuara, ose nuk është kryer fare, ndonëse pagesat janë realizuar rregullisht.Të dhënat zyrtare të transaksioneve sipad prokurorisë janë si vijon.Bashkia Gramsh ,72 transaksione, në vlerën e 209 milion lekëve të vjetra.

Bashkia Librazhd ,65 transaksione, me vlerë 265 milion lekë të vjetra.Bashkia Prrenjas ,71 transaksione, në vlerën e 223 milion lekëve të vjetra.

Bashkia Cërrik ,71 transaksione, me një shumë totale mbi 308 milion lekë të vjetra.Për secilën nga këto bashki po verifikohet nëse shërbimet e kontraktuara janë kryer realisht dhe në përputhje me kontratat.

Ndërsa kontrollet dhe verifikimet e dokumentacionit vijojnë, organet e drejtësisë po përqendrohen edhe në përgjegjësinë individuale të zyrtarëve që kanë firmosur kontratat dhe kanë urdhëruar pagesat.

Sipas burimeve të sigurta me hetimin, çështja pritet të zgjerohet më tej, ndërsa masa konkrete ndaj zyrtarëve të përfshirë pritet të merren në ditët në vijim.

Kjo është një tjetër çështje që shton dyshimet për abuzim me fondet publike në sektorin e menaxhimit të mbetjeve, duke vendosur sërish inceneratorët në qendër të vëmendjes së drejtësisë dhe opinionit publik.

Ndërkohë, situata mjedisore në Elbasan është rënduar ndjeshëm, pas një tjetër ngjarjeje të rëndë në fushën e mbetjeve, ku në muajin qershor të këtij viti, landfilli u përfshi nga flakët për disa ditë me radhë, duke shkaktuar ndotje masive të ajrit dhe shqetësim të madh për banorët përreth.

Djegia e mbetjeve dhe pamundësia për të kontrolluar situatën ngritën pikëpyetje serioze mbi funksionimin e inceneratorit dhe kapacitetet e tij reale.

Kjo ngjarje shërbeu si një nga nxitësit për thellimin e hetimit, për shkak të dyshimeve se shërbimet e kontraktuara për menaxhimin dhe djegien e mbetjeve nuk janë zbatuar siç parashikohet.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular