Ministria e Financave dhe Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor kanë lëshuar Udhëzimin e Përbashkët, i cili përcakton kriteret, procedurat dhe treguesit për shpërndarjen e Grantit të Bazuar në Performancë (GBP) për bashkitë gjatë vitit 2025. Ky grant, me një fond total prej 460 milionë lekësh, synon të nxisë efikasitetin dhe cilësinë e qeverisjes lokale në Shqipëri.
Qëllimi dhe financimi i grantit
Ky udhëzim, i firmosur nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, shpjegon se qëllimi kryesor i GBP-së është të fuqizojë bashkitë për të përmirësuar administrimin dhe ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët, të nxisë kulturën e praktikave të mira në administratën publike vendore, dhe të promovojë konkurrencën midis bashkive për të arritur standarde të larta shërbimi, shkruan rtsh.al. Fondi i grantit është i bashkëfinancuar ku 200 milionë lekë janë nga buxheti i shtetit si transferta e pakushtëzuar sektoriale.
Ndërsa 260 milionë lekë do të jenë nga burime të huaja, respektivisht nga Qeveria e Konfederatës Zvicerane (përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SIDA), bazuar në një marrëveshje të ratifikuar. Bashkitë kanë liri të plotë për të përdorur fondet e përfituara, me përjashtim të shpenzimeve për personel dhe shpërblime.
Treguesit e performancës për përfitim
Vlerësimi i bashkive për shpërndarjen e grantit do të bëhet mbi bazën e kritereve të qarta, të përcaktuara në anekset e udhëzimit. Fondet do të ndahen proporcionalisht me peshën e secilit tregues të përmbushur. Treguesit kryesorë dhe pesha e tyre në përqindje janë:
Plani i Mbarështimit të Pyjeve 25%
Plani Vendor i Menaxhimit të Mbetjeve 10%
Plani Vendor Social 10%
Plani Vendor i Arsimit Parauniversitar 10%
Plani Vendor i Integritetit 5%
Plani Vendor i Barazisë Gjinore 5%
Treguesit e matjes së performancës 5%
Treguesi i detyrimeve të prapambetura 10%
Treguesi i realizimit të buxhetit 10%
Treguesi i taksës mbi pasurinë e paluajtshme 10%

Përveç shumës proporcionale me peshën e treguesve, bashkitë mund të përfitojnë edhe një shumë shtesë të kufizuar, e cila llogaritet në bazë të fondeve të mbetura të pashpërndara dhe peshës së treguesve të përmbushur.
Procedurat e aplikimit dhe vlerësimit
Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV) do të publikojë thirrjen për aplikim në faqen e saj zyrtare dhe do të njoftojë të gjitha bashkitë.
“Bashkitë duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm në AMVV jo më vonë se data 17.9.2025, ora 16:00. AMVV do të ofrojë këshillim dhe seanca informuese për bashkitë gjatë procesit të aplikimit.”, shkruhet në Udhëzim, shkruan rtsh.al.
Vlerësimi do të kryhet nga një Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve (KVA) i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Pushtetit Vendor, Ministrisë së Financave, Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë dhe ministrive përkatëse sipas fushës së treguesit.
“AMVV do të publikojë rezultatet paraprake të vlerësimit dhe do t’u japë bashkive 3 ditë kohë për komente. Më pas, KVA do të miratojë vlerësimin përfundimtar dhe AMVV do të shpallë tabelën përfundimtare të rezultateve.”, theksohet në Udhëzim.
Monitorimi dhe auditimi
Bashkitë kanë detyrimin të mbajnë evidencë të plotë të përdorimit të fondeve dhe të raportojnë pranë Ministrisë së Financave.
Të gjitha fondet e GBP-së i nënshtrohen auditimit sipas legjislacionit në fuqi. Për më tepër, donatorët (SDC/SIDA) kanë të drejtën të kryejnë monitorime në terren dhe të kërkojnë auditim për raste specifike kur shuma e grantit e përdorur në një projekt të vetëm është më e madhe se 4 milionë lekë.
/rtsh.al/