HomeBotaProjektligji i ri i taksave, raporti i Kongresit Amerikan: Parashikohen 3.4 trilionë...

Projektligji i ri i taksave, raporti i Kongresit Amerikan: Parashikohen 3.4 trilionë dollarë deficit, rreth 10 milionë qytetarë do mbeten pa mbulim shëndetësor

Zyra jopartiake e Buxhetit të Kongresit (CBO) publikoi të hënën parashikimin përfundimtar mbi ndikimin e legjislacionit kryesor të Presidentit Donald Trump në borxhin kombëtar dhe familjet amerikane.

Sipas CBO-së, ligji i nënshkruar nga Trump më 4 korrik, i njohur si “megabill”, do të rrisë deficitin federal me 3.4 trilionë dollarë gjatë dekadës së ardhshme dhe do të lërë pa sigurim shëndetësor rreth 10 milionë persona.

Edhe pse ligji parashikon më shumë se 1 trilion dollarë kursime përmes shkurtimit të shpenzimeve federale për shëndetësinë, kryesisht nga programi Medicaid, CBO vlerëson se kostoja totale e paketës do të jetë shumë më e madhe se përfitimet buxhetore që sjell.

Sipas CBO-së, barra më e madhe financiare vjen nga zgjatja e përhershme e lehtësimeve tatimore të miratuara nga administrata Trump në vitin 2017.

Komisioni i Financave i Senatit, përgjegjës për politikën fiskale, ka mbështetur masa që do të reduktojnë të ardhurat nga taksat për qeverinë federale me rreth 4.5 trilionë dollarë gjatë dekadës së ardhshme, një shumë që përfshin edhe ndryshimet e shtuara gjatë debatit në Senat, shkruan Politico.

Sipas parashikimit të ri të CBO-së, rreth 10 milionë persona do të mbeten pa sigurim shëndetësor si pasojë e ligjit të ri, një numër pak më i ulët se vlerësimi fillestar prej 11.8 milionësh. Rënia lidhet kryesisht me heqjen e një dispozite që do të përjashtonte nga mbulimi rreth 1.4 milion emigrantë pa dokumente.

Ndërkohë që emigrantët pa dokumente nuk përfitojnë nga Medicaid sipas ligjit federal, 12 shtete amerikane dhe Distrikti i Kolumbias ofrojnë mbulim shëndetësor për ta nga fondet e veta. Drafti fillestar i ligjit përfshinte penalitete për këto shtete, por ato u hoqën në versionin final.

Gjithashtu, ligji hoqi një dispozitë që synonte të shkurtonte fondet për shtetet që kishin zgjeruar Medicaid-in nën ligjin për Kujdes të Përballueshëm (Affordable Care Act) të vitit 2010, pas kundërshtimit nga këshilltarja parlamentare e Senatit.

Me kërkesë të senatorëve republikanë, CBO zhvilloi një analizë shtesë duke përdorur një metodë alternative llogaritjeje, e cila nuk e konsideron si kosto fiskale zgjatjen e lehtësimeve tatimore të vitit 2017, me arsyetimin se mosrritja e taksave nuk duhet të konsiderohet si shpenzim.

Sipas kësaj metode alternative, ndikimi në deficit reduktohet ndjeshëm në vetëm 366 miliardë dollarë. Megjithatë, kjo qasje nuk përfaqëson metodologjinë zyrtare të CBO-së dhe ka shkaktuar reagime të forta, pasi bie ndesh me parimet e pranuara të llogaritjes fiskale.

WhatsApp Image 2025-07-21 at 22.37.29
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular