Britania e Madhe ka vendosur një raund të ri sanksionesh ndaj të ashtuquajturit “flotë hije” të Rusisë, duke targetuar 135 anije cisternë si dhe dy kompani kryesore ruse, kompaninë detare Intershipping Services LLC dhe firmën e tregtimit të naftës Litasco Middle East DMCC.
Sipas qeverisë britanike, këto anije janë thelbësore për industrinë energjetike dhe të naftës së Rusisë dhe kanë transportuar që nga fillimi i vitit 2024 ngarkesa me vlerë mbi 24 miliardë dollarë.
Ministri i Jashtëm britanik, David Lammy, deklaroi se masat e reja “do të shpërbëjnë më tej flotën e fshehtë të presidentit rus Vladimir Putin” dhe do të shterojnë “arkën e luftës” ruse duke goditur të ardhurat kyçe nga nafta.
Qeveria britanike akuzon kompaninë Intershipping Services LLC se regjistron anijet nën flamurin e Gabonit, një praktikë që u mundëson anijeve të lëvizin mallra me vlerë deri në 10 miliardë dollarë në vit, për llogari të shtetit rus.
Po ashtu, sanksione u vendosën edhe ndaj Litasco Middle East DMCC për rolin e saj të vazhdueshëm në transportin e sasive të mëdha të naftës ruse, tha Londra.
Ambasada ruse në Londër nuk ka reaguar ende ndaj kërkesës së agjencisë Reuters për koment. Nga ana tjetër, Moska ka dënuar në mënyrë të përsëritur sanksionet perëndimore, duke i cilësuar “të paligjshme” dhe të rrezikshme për stabilitetin e tregjeve globale të energjisë.
Ndërkohë, të premten e kaluar, Bashkimi Evropian miratoi paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë, si pjesë e përpjekjeve për të ndëshkuar agresionin ndaj Ukrainës. Masat përfshijnë edhe goditje të reja ndaj sektorit të naftës dhe energjisë.
Në këtë kuadër, BE dhe Britania kanë propozuar një ulje të çmimit tavan për naftën bruto nga 60 në 47,60 dollarë për fuçi, me qëllim të kufizimit të mëtejshëm të të ardhurave të Kremlinit.