Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, deklaroi se pas zgjedhjeve, mund të ketë përpjekje nga mazhoranca për të dobësuar SPAK duke i hequr kompetencat.
Lala gjithashtu deklaroi se një problem për prokurorët, është mbarimi i mandatit 9-vjeçar dhe disa prej tyre që kanë hetuar bandat më të rrezikshme mund ta gjejnë veten në prokurori të rretheve ose në rrugë, çka do t’i rrezikonte, ndaj prokurorët e SPAK kërkojnë mundësinë e rikandidimit, por kjo mund të realizohet vetëm me ndryshimin e Kushtetutës.
“Një pjesë e prokurorëve në SPAK janë dhimbje koke për Edi Ramën. E gjithë klasa politike shqiptare, si majtas dhe djathtas, kanë interes të kontrollojnë këtë strukturë. Komisioni Xhafaj ishte mënyra më e sofistikuar që u përzgjodh nga mazhoranca për ta mbajtur ose për ta vënë nën kontroll. Por mendoj se do të zgjedhin strategji tjetër. Është e thjeshtë ta zhbësh një prokurori kur do, mjafton të mos i zgjasësh mandatin dhe këta 20 njerëz që janë atje, të ushtrojnë funksionin e prokurorit, në Sarandë pershembull. Një prokuror që ka goditur bandën e Troplinëve, një prokuror që ka goditur bandën e Suel Çelës, Franc dhe Hajdar Çopjas, grupe të tjera kriminale, në momentin që të nesërmen do të dalë në rrugë…
Mendoj se do të duan ti zhbëjnë kompetencat, me ndryshime ligjore, ti heqë përshembull hetimin e politikanëve dhe ta kthejë që hetohen nga prokuroaie e përgjithshme, dhe atje e ka të lehtë dhe të ndikueshme strukturën politika. Nuk ka nevojë ta zhbëjë si instiucion SPAK-un por i heq kompetencat dhe e lë si peshku pa ujë.
Mund t’i lërë kompetenca për krimin e organizuar, por nuk e shoh SPAK nëse nuk heton edhe krimin edhe politikën. Nëse bie një kriminel, ngrihen pesë të tjerë nëse kanë mbështetjen e politikës, në këtë aspekt mendoj se hetimi i krimit dhe politikës duhet të ecin paralelisht. A ka SPAK nevojë të fuqizohet? Mendoj se po. Tre vitet e para nuk pati rezultat”, tha ndër të tjera Lala.