Administrata e presidentit amerikan Donald Trump bëri publike të hënën mbi 230 mijë faqe dokumente të klasifikuara që lidhen me vrasjen e Martin Luther King në vitin 1968.
Publikimi i këtyre dokumenteve u bë pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga familja e liderit të shquar të të drejtave civile dhe të drejtave politike të afro-amerikanëve.
Me një urdhër të lëshuar më 23 janar, Trump kërkoi deklasifikimin e mijëra dokumenteve qeveritare lidhur me vrasjet e presidentit John F. Kennedy në vitin 1963, të vëllait të tij, senatorit Robert F. Kennedy, si dhe të Martin Luther King në vitin 1968.
Në mars, Arkivat Kombëtare amerikane publikuan dokumente deri atëherë të klasifikuara mbi vrasjen e presidentit Kennedy, një ngjarje që tronditi SHBA-të dhe botën, duke nxitur teori të shumta konspirative dhe spekulime.
Në prill, të njëjtën gjë bënë edhe për vrasjen e Bobby Kennedy, babait të ministrit aktual të Shëndetësisë në administratën Trump, Robert Kennedy Jr., i cili ishte edhe ministër i Drejtësisë në kohën e presidentit të vrarë, John F. Kennedy.
Sipas deklaratës së koordinatorës së shërbimeve amerikane të inteligjencës (DNI), Tulsi Gabbard, pjesa më e madhe e 230 mijë faqeve të publikuara lidhur me Martin Luther King burojnë nga hetimet e FBI-së mbi udhëtimet jashtë shtetit të personit të dyshuar si vrasës i tij, si dhe nga dëshmitë e personave që ndanin qelinë me të.
Sipas Gabbard, administrata aktuale amerikane “garanton transparencë të plotë lidhur me këtë episod tragjik dhe vendimtar në historinë e vendit tonë.”
Megjithatë, fëmijët e Martin Luther King-it shprehën përmes një deklarate të përbashkët shqetësimin se këto dokumente mund të keqpërdoren për të sulmuar trashëgiminë e babait të tyre dhe arritjet e lëvizjes për të drejtat civile që ai udhëhoqi.
Ata kujtuan se gjatë gjallësisë së tij, Dr. King ishte shënjestruar nga një “fushatë dezinformimi dhe ndjekjeje”, e organizuar nga drejtori i atëhershëm i FBI-së, J. Edgar Hoover, me qëllim për të shkatërruar reputacionin e tij dhe të lëvizjes për të drejtat civile në përgjithësi.
Fëmijët e tij gjithashtu theksuan se nuk kanë besuar kurrë dhe ende nuk besojnë se James Earl Ray, një përkrahës i ndarjes racore, ishte fajtor për vrasjen e babait të tyre më 4 prill 1968 në një motel në Memphis, ku Dr. King kishte shkuar për të mbështetur punëtorët e pastrimit që ndodheshin në grevë. James Earl Ray vdiq në burg në vitin 1998.