Miliona studentë dhe nxënës në Gjermani mezi presin pushimet verore. Por kur fillojnë ato për kë? Çdo vit kjo temë ringjall mosmarrëveshje midis shteteve federale – një ritual tipik gjerman.
Pse nuk i kanë të gjithë nxënësit dhe shkollat në Gjermani pushimet verore në të njëjtën kohë?
Rreth 11.4 milionë fëmijë dhe të rinj ndjekin shkollat në Gjermani. Nëse ata dhe familjet e tyre do të shkonin të gjithë me pushime në të njëjtën kohë, pasoja do të ishte bllokim edhe më i madh i trafikut në autostrada, trena dhe hotele të mbipopulluara.
Kjo është arsyeja pse 16 landet e Gjermanisë i fillojnë pushimet në kohëra të ndryshme. Kështu, për shembull, në Saksoni, pushimet verore gjashtëjavore në vitin 2025 kanë filluar në fund të qershorit, ndërsa në Bavari ato do të fillojnë në fillim të gushtit.
Kjo periudhë e zgjatur e pushimeve verore është gjithashtu në interes të sektorit të turizmit. Hotelet, plazhet dhe parqet e argëtimit kanë vizitorë gjatë disa muajve dhe jo vetëm një ose dy muaj kur janë pushimet.
Kush vendos se kur do të jenë pushimet në lande?
Arsimi në Gjermani është përgjegjësi e landeve dhe jo e federatës, pra landet vendosin dhe jo qeveria federale në Berlin. Prandaj, landet janë ato që marrin vendime në mënyrë të pavarur për pushimet shkollore.
Megjithatë, ministrat e arsimit të të gjitha 16 landeve koordinohen mes vete, në të ashtuquajturën Konferencë të Ministrave të Arsimit (Kultusministerkonferenz). Atje, ata planifikojnë së bashku datat e pushimeve disa vite më parë. Për më shumë se 50 vjet, ata janë përpjekur të harmonizojnë të gjitha interesat në këtë mënyrë.
Kohëzgjatja e mësimeve duhet të jetë afërsisht e njëjtë në të gjitha landet. Shkollat kanë nevojë edhe për kohë të mjaftueshme për provime e teste para pushimeve dhe festave.
Pse ka grindje çdo vit?
Sepse çdo land do të donte të kishte datat më të mira për pushime. Pra, jo vetëm kohë të mjaftueshme për provime, por edhe sa më shumë diell, fluturime të lira me avionë dhe hotele më të lira për pushime. E çmimet dhe kushtet dallojnë në mes të korrikut nga fundi i gushtit.
Ndaj ka grindje mes përfaqësuesve të landeve se cili prej tyre do të ketë në dispozicion kohën më të mirë për pushime dhe çmimet më të mira për udhëtime.
Megjithatë, mosmarrëveshjet më të mëdha janë me landet: Bavaria dhe Baden-Württemberg, të dyja në jug të Gjermanisë. Ato nuk duan të futen në rotacione, por duan që gjithmonë pushimet t’i kenë të fundit.
Më parë, këto lande justifikoheshim me faktin se fëmijët në shkollat në rajonet bujqësore duhet të ndihmojnë me korrjet e verës. Sot ata i referohen festës Pfingsten.
A ka ndonjë zgjidhje në horizont?
Ende jo. Për vite me radhë, përfaqësues të landeve të tjera u kanë bërë thirrje Bavarisë dhe Baden-Württembergut të bashkëpunojnë. Për shembull, Ministrja e Arsimit e Renanisë Veriore – Vestfalisë (NRW) Dorothee Feller, deklaroi në një intervistë me Westdeutsche Allgemeine Zeitung: “NRW do të donte po ashtu që pushimet të fillojë më vonë.”
Megjithatë, vit pas viti, këto dy lande jugore i hedhin poshtë propozimet e tilla. Kryeministri bavarez Markus Söder i CSU-së konservatore ka hedhur poshtë këto propozime edhe në deklarimet e fundit. Ai tha në debatin aktual: “Ne kemi ritmin tonë të pushimeve, i cili, si të thuash, është i gdhendur në ADN-në e bavarezëve.”
Por edhe nëse Bavaria dhe Baden-Württembergu do të ndryshonin mendje, ndryshimi do të ishte i mundur vetëm pas pesë vjetësh – sepse të gjitha datat janë dakorduar për pesë vitet e ardhshme.
A ekziston ky problem edhe në vende të tjera?
Gjermania nuk është i vetmi vend ku pushimet verore fillojnë dhe mbarojnë në kohëra të ndryshme. Në Holandë, për shembull, ka tre zona rajonale me fillime të ndryshme të pushimeve verore. Megjithatë, pushimet atje ndryshojnë më së shumti për dy javë, ndërsa oraret caktohen nga Ministria qendrore e Arsimit.
Në disa vende të tjera, si Britania e Madhe, sistemi i rotacionit është diskutuar për një kohë të gjatë. Edhe disa vende të tjera, si Franca, kanë një fillim të ndarë të pushimeve – por nuk ka dallime për pushimet verore të gjata.
Debati vjetor rreth fillimit të pushimeve midis jugut të Gjermanisë dhe pjesëve tjetra të vendit mbetet një ritual veror në këtë vend, një temë e përhershme gjermane./DW