Hunter Biden, djali i ish-presidentit amerikan Joe Biden, foli pa dorashka për gjithçka dhe për të gjithë, në një intervistë treorëshe të dhënë për një kanal në YouTube.
Hunter, i përfshirë aktualisht në çështje gjyqësore, komentoi mbi debatin e babait të tij me Donald Trump, një përballje që çoi vetëm pak ditë më vonë në tërheqjen e Joe Biden nga gara presidenciale.
Por më shumë sesa për debatin, Hunter nxori gjithë zemërimin e tij ndaj demokratëve që, sipas tij, ushtruan presion ndaj babait të tij që të tërhiqej, përfshirë edhe aktorin George Clooney.
“Debati i Joe Biden me Trump ishte absolutisht i tmerrshëm”, tha Hunter Biden, sipas The Guardian. Sipas tij, presidenti ishte i detyruar të tërhiqej përndryshe “demokratët do ta luftonin në çdo hap”.
Hunter tha se performanca e dobët e babait të tij erdhi sepse ishte “plotësisht i rraskapitur”. “I jepnin Ambien [bar për gjumë me recetë] që të mund të flinte. Pastaj ngjitet në skenë dhe duket si një drer përballë dritave të makinave. Kjo i shërbeu çdo rrëfimi të ndyrë që donte të thurte kushdo”.
Duke komentuar ashpër George Clooney-n, ai shpërtheu: “Q**** Clooney dhe të gjithë ata përreth tij. Nuk jam i detyruar të jem ‘ai i miri’”. Ai madje u pajtua me një deklaratë të regjisorit Quentin Tarantino, i cili kishte thënë se Clooney nuk është aktor i vërtetë: “Jam dakord me të. Ai është vetëm një markë tani”.
Hunter vuri në pikëpyetje edhe të drejtën e Clooney-t për të ndërhyrë në politikë: “Çfarë të drejte ke ti të shkelësh jetën e dikujt që ka dhënë gjithçka për të shërbyer vendin e vet? Dhe ta bësh këtë me një faqe të plotë reklame në të ndyrin New York Times?”
Sipas Hunter Biden, zemërimi i Clooney-t ndaj babait të tij vjen për shkak të kritikave që Joe Biden kishte bërë ndaj vendimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për të lëshuar urdhër arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i akuzuar për krime lufte.
Amal Clooney, avokate për të drejtat e njeriut dhe bashkëshortja e aktorit, ishte një nga ekspertët ligjorë që rekomanduan nxjerrjen e këtij urdhri.
“Clooney ankohej te stafi i lartë i Shtëpisë së Bardhë se ishte jashtëzakonisht i zemëruar që presidenti kritikoi vendimin e gjykatës dhe nuk i njohu meritat Amal-it”, shpjegoi Hunter.
Në fund, ai mohoi çdo lidhje me rastin e kokainës së gjetur në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2023, duke theksuar se është i pastër dhe i kthjellët që nga qershori i vitit 2019.
“Pse do të çoja kokainë në Shtëpinë e Bardhë dhe ta lija në një dollap jashtë… dhomës së situatave në Krahun Perëndimor?”, u shpreh ai me ironi.