HomeTe tjeraDëshmia e rrallë e piktorit të njohur për bisedën me Lasgushin në...

Dëshmia e rrallë e piktorit të njohur për bisedën me Lasgushin në ‘84-ën: Nxora një nxënës jashtë se bënte zhurmë, por ai filloj të qajë! Kur e pyeta për emrin, më tha se ishte Ramiz Alia…

Poeti i madh Lasgush Poradeci, thuri mijëra vargje. Por pakkush e vlerësonte. S’kishte shumë rëndësi, ai shkruante e shkruante. Ndoshta vetëm për veten. Atë që ndiente e hidhte në disa copa letrash, frymëzohej nga gjithçka, por mbi të gjitha nga natyra. Në majin e vitit 1984, poeti i madh e shprehu hapur atë që ndiente, atë që e gërryente nga brenda. I mbyllur në katër muret e banesës dhe në oborrin e vogël të shtëpisë njëkatëshe, Lasgush Poradeci shtynte ditët e fundit të jetës. Në memorien e poetit të madh, kishte edhe brengat e mëdha, por mbi të gjitha të punës së tij, për vargjet që thuri. Agim Janina në vitin 1984, mundi t’i marrë një intervistë, ku Poradeci shpërtheu mllefin e tij për atë që kishte kaluar. Por mendimet për artin e poetit të shquar mbetën për shumë kohë të ‘arkivosura‘ në sirtare.

Poeti i madh, u shpreh kundër censurës që ishte vendosur për artin, por që kurrë nuk ua tha njerëzve të pushtetit të asaj kohe, pasi ishte i bindur se do të përfundonte në burg. Nuk mund të shprehej lirshëm dhe për këtë ai ishte i sigurtë. “Ke frikë të thuash një fjalë, pasi të spiunojnë”, – shprehej Lasgushi. Kultura për të kishte marrë fund, po ashtu edhe arti ishte në një survejim të plotë.

Artistët kishin frikë të shpreheshin lirshëm si në shkrime, ashtu edhe në pikturë, skulpturë dhe vepra të tjera të mëdha. Kur ishte në moshë të vogël, takoi Fan Nolin dhe deri sa mbylli sytë përgjithmonë, e vlerësoi atë si një poet të madh. Ndërsa vargjet e Gjergj Fishtës, i recitonte me ndjejë dhe dëshirë. Të dy i kishte njohur nga afër. Për disa muaj, ai iu përkushtua profesionit të mësuesit të vizatimit në Gjimnazin e Tiranës. Kishte qenë mësues i Odhise Paskalit, po kështu edhe i Ramiz Alisë. Madje, Alinë e kishte qortuar në klasë, pasi mendoi se ishte ai shkaktari i zhurmës së krijuar dhe kishte filluar të qajë.

Por tashmë gjërat ndryshuan. Në periudhën kur Poradeci thurte vargje dhe ndihej i pafuqishëm për t’i botuar, Ramiz Alia merrej me çështjet e propagandës, artit dhe të kulturës. Cila ishte gjendja e poetit të shquar. Si ishte mbyllur në banesë dhe përse po harrohej? Si jetonte Poradeci në kufijtë e mjerimit? Përse mendonte se arti dhe kultura ishin drejt rrënimit? Si survejohej veprimtaria e tij si poet e shkrimtar? Përse nuk kishte besim te drejtuesit e lartë të artit dhe të kulturës? Si i kishte njohur shkrimtarët e mëdhenj, si Fan Noli dhe Gjergj Fishta? Të gjitha këto enigma i tregoi Poradeci në majin e vitit 1984, kur i kishte kaluar të ‘80-at.

Dëshmia e Agim Janinës për takimin me Lasgushin

Një mëngjes maji të vitit 1984, duke mos ditur se kujt t’i drejtohesha për vendndodhjen e poetit, mora udhën për në Zyrën e Adresave. “Nuk ka adresë me mbiemër të tillë. Poradeci është mbiemër qyteti dhe nuk e kemi në regjistrat tanë”, – u përgjigj nëpunësja, duke mbledhur buzët dhe vuri duart mbi regjistrat. Kërkoje me Llazar Gusho. “Kështu po”! Pas disa çastesh më zgjati adresën e poetit, të shkruar në një pusullë. “Shtëpia gjendet në rrugën pas hotel ‘Arbanës’, në unazën e qytetit. Ka kohë që nuk është lyer. Hyrja shtrihet brinjazi me rrugën. Një shtëpi e thjeshtë, njëkatëshe pa gardh, me një oborr po aq të vogël rrethe-qark, mbjellë me pemë të ndryshme”. Ky ishte përshkrimi që më bënë për vend-ndodhjen e Poradecit.

Sapo u futa në shtëpi, kontaktin e parë e pata me poetin e madh. Lasgushi kishte një portret që të linte mbresë, të cilin më vonë ishte e pamundur ta harroje. Në kokë një kapuç prej gëzofi të zi lëkure, pak të rrjepur nga përdorimi i gjatë. Qimet e mjekrës i ishin zbardhur plotësisht, të rralluara, të gjata ngaqë kishin kohë pa u hequr. Sytë e vegjël të zinj i shkëlqenin dhe gjithë fytyra e tij, ishte si një zbehtësirë hënore, por sytë e gjallë sikur digjeshin nga brenda. Trupi i shkurtër dhe i rënduar së tepërmi nga pesha e viteve, ishte veshur me një xhaketën marinari të zi, të mbërthyer në mes nga një rrip i gjerë oficerësh, me dy kunja të mëdha.

Një shall i pambuktë i mbështillej në qafën e hollë dhe në vend të pantallonave, kishte veshur pizhame. Në këmbë mbante një palë papuçe leshi. Si papuçet ashtu edhe pizhamet, ishin të arnuara. Lasgushi në pamje dukej sikur tregonte njëfarë mospërputhjeje me kohën. Këtë e shprehte kudo: në veshje, në bisedë, në qëndrim, në vështrim. Në dorë shtrëngonte një llastik e, pas tij ishte lidhur një profesor i hollë. Tërhiqte me to qenin me flokë të gjatë, që i vareshin deri në tokë. Ishte një revoltë ndaj kohës në të cilën jetonte. Nuk isha përgatitur se si duhej ta thërrisja, por meqë kisha shkuar për ta pyetur për shkollën e vizatimit e pyeta:

Si jeni profesor?

“Mirë”!

“Më ka dërguar tek ju Paskali, – zura të flas. – Kemi kuvenduar mbi Shkollën e Vizatimit”.

“Ashtu, paskeni kuvenduar me Paskalin?! Hë…”- më hodhi edhe një sy të shpejtë e të ngulët, duke rrudhur paksa vetullat e rëna dhe tha: “E kam mik Paskalin. Skulptor i madh. Ka bërë shumë monumente të bukura”.

Si ju venë punët?

“Punët venë mirë, kur i bën mirë”!

Moti ju ka ngacmuar ndopak?

“Tirana ka klimë të keqe në verë. Unë nuk e duroj dot. Më zihet fryma. Jam mësuar me klimën e Pogradecit, me ajrin e pastër, me liqenin”.

Mund të më flisni diçka për shkollën e vizatimit?

“Për shumë larg po më pyet. Gjërat edhe harrohen. Por më kujtohet se kam dhënë mësim në Gjimnazin e Tiranës dhe plotësoja orët në shkollën e Paskalit. Posi, kam dhënë mësim në atë shkollë. Mbaj mend që jepja lëndën e vizatimit. Zgjodha vizatimin, se me të isha i lirë të merresha me punët e mia. Nxënësit ishin të vegjël, ja kështu rrinin shumë urtë dhe na nderonin shumë. Në kohën time, të gjithë kishim respekt të madh për mësuesin. E nderonim. Ndërsa tani nuk të nderojnë fare”.

Ç’mendim keni për artin?

“Sot nuk bën dot art. Arti është ngatërruar me politikën. Jemi akoma në revolucion. Ke frikë të thuash një fjalë, se të spiunojnë. Unë isha profesor me dy diploma. Kisha studiuar në Austri dhe njerëzit më nderonin, por i ka fajet Lufta Botërore. Ajo i zhvlerësoi gjërat. Prit kur të plasë ndonjë luftë e re botërore. Miliona njerëz u vranë në Luftën Botërore, dëgjon? Miliona shpirtra!

Jo vetëm tek ne, por në Francë, Gjermani, Itali, po kështu është. Arti është bërë politikë. Ranë ministrat dhe u bënë ministra ata që nuk dinin. Artin sot nuk e lënë të lirë. Fol po deshe! Të rri xhebraili mbi krye! Jo se unë do të flas keq për Enverin, por për veprat e artit, po fole keq, të shtypin. I ka fajet lufta. Sot janë bërë njëlloj të gjithë. Njëlloj si mësuesi e si profesori. Nuk ka respekt”.

Përse nuk i botoni shkrimet tuaja në revista, gazeta, apo të shkruani libra?

“Artin e bëjnë individët, artistët. Ja dua unë të shkruaj se si bëhet një portret, si bëhet hunda, goja, buzët, po kush ta boton?! Gazeta, revista është në duar të njerëzve që nuk marrin vesh nga arti. Në kohën time, qeveria nuk përzihej në punët tona. Artisti jetonte më vete, bënte ç’të donte. Arti ishte i shkëputur nga politika. Artistët ishin idealistë. Kishin ideal. Ndërsa sot, nuk ka ideal! Artin nuk e vlerëson njeri”.

Pse mendoni se nuk ka artistë sot?

“Nuk të lënë! Sepse po shkove tek ministri për punë arti, nuk të pret njeri, dhe po të pritën, ai që të pret është njeriu që nuk merr vesh nga arti. Pse ka ardhur ky?! – thotë ai me vete dhe nuk të vlerëson fare. Çudi kanë ngritur edhe shtëpi kulture. Nuk e di pse i thonë shtëpi kulture, kur aty nuk ka pikë kulture. Sot arti është bërë politikë, ai kontrollohet. Artisti nuk ka nevojë për politikën. Ai duhet të krijojë më vete, i shkëputur nga shoqëria, larg politikës, të mbyllet në dhomën e tij, bile ta mbyllë derën me shtatë palë çelësa dhe sikur topat të bien, të mos e hapë, por të vazhdojë të shkruajë poezi.

Të mos presë vizita, sepse arti ka më shumë rëndësi se sa vizita. Artisti punon me mend, me tru dhe jo me duar. Arti kërkon artistë të vërtetë. Do njerëz të ngritur, me kulturë. Unë shkruaj poezi. Ato nuk bëhen menjëherë, duan kohë. Unë nuk kam shkruar shumë, por ato që kam shkruar i kam mbajtur gjatë nëpër duar para se t’i botoja. Me një vjershë, kam qëndruar edhe tetë vjet, pa e kam botuar. Në atë kohë Paskali bënte një vepër arti, një statujë dhe shkonte i thoshte që do ta vendosim këtu dhe askush nuk ia kthente llafin.

Në ato kohëra Bashkia e Korçës i propozoi Paskalit, që të bënte engjëllin mbrojtës të qytetit. Dhe atë do të bënte, por dikush nga të pranishmit, anëtar i bashkisë tha që; le t’ia lemë vetë skulptorit të bëjë atë që do. Paskali na bëri “Luftëtarin Kombëtar”. Punë e mirë shumë. Nuk u përzje bashkia në punët e artit, pa kemi atë vepër të vyer të Paskalit. Arti duhet të jetë i shkëputur nga politika. Veprat e artit nuk i bënë ministrat dhe as kryeministrat, por i bënë artistët e mëdhenj”!

Nolin e keni njohur nga afër?

“Noli ka qenë i madh shumë. Poet. Erdhi në Poradec dhe unë që në atë kohë isha i vogël, iu ngjita pas, sepse e njihja dhe kisha lexuar diçka nga poezitë e tij. Deri atëherë kisha shkruar vjersha, por akoma nuk kisha botuar. Noli ishte njeri shumë i madh, njeri që ndihmonte artistët, ndihmonte talentet, aty ku ata gjendeshin, apo ku shfaqnin ndonjë prirje. Ai i nxiste ata që donin të shkruanin, se kush të jepte bursë, ministrat?! Ata ishin injorantë! Më pas Nolin e kam njohur më mirë. Ishte poet, por edhe njeri i madh. Kam pasur korrespondencë me të. Ai ishte shumë i dashur dhe i thjeshtë. Nuk e mbante kokën lart. I ndihmonte të gjithë”.

Andrea Kushin e keni njohur?

“Edhe Andrea Kushin e kam njohur. Ishte mësues. Unë isha profesor. Andrea ishte mësues i thjeshtë. Jepte mësim në vizatim. Unë u mora me poezi, jam poet lirik. Fishta është epik”.

E keni njohur nga afër Gjergj Fishtën?

“Posi! Fishta është poet i madh dhe i fuqishëm. Po ku e kuptojnë këta. Fishta ka qenë njeri me kulturë të madhe. Sot e kanë lënë mënjanë, në shkolla nuk e studiojnë. Dëgjo se çfarë shkruan Fishta.

Ah kadalë, Nikollë, t’vraftë Zoti!

Se s’ke pa shqiptar me sy

Mu më thonë Oso baroti

që e djeg veten me gjith’ ty”!

Si i mbani mend kaq mirë vargjet e Fishtës?

“Një poet i mirë, jo vetëm poezitë e tij i mban mend të tëra, por edhe poezitë që ka lexuar dhe i kanë pëlqyer duhet t’i mbajë mend. Ja me lekët që fitova nga botimi i parë i poezive, bleva shtëpinë ku po kuvendojmë sot. Në kohën time, arti çmohej shumë. Sot he…”!

Në shoqërinë “Miqtë e Artit” a keni marrë pjesë?

“Jam kundër shoqërive. Nuk dua të marr pjesë në asnjë shoqëri. Nuk kam pranuar kurrë, dëgjon, kurrë të marr pjesë nëpër shoqërira, sepse arti duhet të mbetet art. Unë jam poet. Dua të punoj në shtëpinë time, të thur vargje. Asnjëherë nuk kam marrë pjesë në asnjë shoqëri! Jam kundër tyre. Kanë ardhur e më kanë thënë, që të futem në ndonjë prej tyre, por unë asnjëherë nuk kam pranuar. Paskali po. Ai ka marrë pjesë në shoqërira. Ai e bëri shkollën e vizatimit. Paskali është i madh.

Ai shkoi tek ministri i Arsimit, Marash Ivanaj, dhe i tha që të hapnin shkollën e vizatimit. Marash Ivanaj, ishte njeri me kulturë. Ku pranonte ai çdo njeri të bisedonte me të, ndërsa Paskalin e pranoi, se ai ishte personalitet, ndaj dhe e dëgjoi. Kam dhënë mësim në Gjimnazin e Tiranës. Jepja vizatim. Nuk jam unë për të dhënë mësim. Nuk dua. Kështu e kam natyrën. U jepja të vizatonin ndonjë vesh rrush në pjatë, apo ndonjë mollë e dardhë, ndërsa vetë ulesha në tavolinën e mësuesit e, bëja poezi. Ja kështu i kam bërë poezitë”.

A kujtoni ndonjë ngjarje që ju ka mbetur në mendje gjatë kohës kur ju ishit mësues vizatimi?

“Po më kujtohet një orë mësimi, ku teksa shkruaja, dëgjova zhurmë në klasë dhe sytë i hodha tek një fëmijë. Iu afrova dhe me zërin qortues dhe ndëshkues, i thashë; ‘Dilni jashtë’! Nxënësi u çua dhe filloi të qajë. Më erdhi keq, duke kuptuar që ai nuk kishte faj dhe i shkova pranë. Nxënësi ishte Ramiz Alia. Ramizi zuri të qajë. Ai nuk kishte bërë zhurmë. Më erdhi keq. Ia fshiva lotët me shami, e përkëdhela në kokë duke e qetësuar. Më pas e ula në bangë. Pasditeve mblidheshim nëpër kafene dhe diskutonim shumë për artin. Nuk bënim llafe.

Por arti do sakrifica, duhesh të jesh i gjerë në shpirt, të kesh poezinë brenda, ta përkëdhelësh rimën, jo me një ditë, jo me një muaj, jo me një vit. Tamam si Nositi. Me pikturë jam marrë për qejf. Kam shumë portrete të shokëve, si të Mitrush Kutelit, të cilin e kam pasur shok e mik të afërt. Edhe ai ka qenë nga Poradeci. Kam pikturuar Aleks Çaçin, Naim Frashërin, Zef Skiroin, profesorin tim, Eqrem Çabejn, kur ka qenë i shtruar në në spital në Athinë”.

Po ajo piktura aty e varur në mur e kujt është?

“Është nëna ime. E kam vizatuar në çastet e fundit të jetës, pak kohë para se të vdiste! Ajo qëndroi dhe unë desh Zoti e bëra ja kështu në madhësi natyrale. Ne artistët e bëjmë artin, ku gjen sot njerëz që të bisedosh për artin. Arti dhe artistët janë bërë komercialë. Ti eja përsëri si në shtëpinë tënde dhe ta gjejmë atë që do. Ka ca ditë që nuk jam mirë. Ja shiko se si jam! (tregon trupin e dobët)”. Memorie.al Nga Agim Janina

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular