HomeOP EDCilësia e universiteteve kërkon investime dhe reformim

Cilësia e universiteteve kërkon investime dhe reformim

NGA PROFESOR MYQEREM TAFAJ  

Qeveria përmes Bordit të Akreditimit paraqiti dje një raport për gjendjen e cilësisë së arsimit të lartë shqiptar, i bazuar në rezultatet e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe të programeve të studimit. Nuk dëshiroj të merrem me detajet e raportit, por po përmend disa të dhënat kryesore të tij që flasin qartë për gjendjen reale të këtij sektori në vitin e 13-të të qeverisjes “Rama”.

Shpopullimi masiv ka bërë që numri i studentëve të ulet gati 40%, megjithatë numri i programeve të studimit është rritur 2,5 herë (kur Shqipëria kishte gati 165 mijë studentë, ishin rreth 550 programe studimi, sot kur janë më pak se 120 mijë studentë janë 1300 programe studimi!). Për 12 vjet nuk janë akredituar as 40% e programeve (prej tyre gati 95% janë programe të IAL jo publike dhe më pak se 20% i përkasin IAL publike!). Në vitin 2024 qenkan 43% e pedagogëve dhe asistentëve me diplomë Master, kur, me gjithë Brain Drain masiv, në Shqipëri njihen çdo vit rreth 80 doktorata të kryera jashtë vendit (vetë Qendra e Shërbimeve Arsimore jep listën me 244 doktorata dhe tituj të fituar në universitetet e huaj të njohur në vitet 2021-2023). Ku shkojnë këta të rinj të kualifikuar? Përse nuk emërohen në universitetet tona? Si është e mundur, që në vitin 2025, të mos jetë akoma kriter rekrutimi për asistent apo pedagog në universitetet tona grada shkencore “Doktor”, praktikë kjo e zakonshme në vendet e Rajonit. Madje, vetë universitetet e Rajonit shkojnë më tej dhe kërkojnë që një pjesë e doktoratës të jetë kryer jashtë vendit dhe me një bashkudhëheqës. Çfarë pengese ka të aplikohet edhe në universitetet tona, kur vetëm program Erasmus afron mundësi të mëdha për një pjesë ose të gjithë studimet e doktoratës. Si ka mundësi që, sot në Shqipëri të promovohesh për titujt më të lartë akademik pa një përvojë internacionale kërkimore jashtë vendit, të paktën për një vit pas studimeve të doktoratës, praktikë kjo në disa vende të Rajonit të Ballkanit? Çfarë pengese ka? Është plotësisht e mundur të aplikohet edhe në vendin tonë. Mundësitë për grante për postdoc janë shumë të shumta, jo vetëm përmes projekteve në kuadër të programit të kërkimit Horizon të BE, por nga disa fondacione të vendeve të ndryshme që japin bursa kërkimore.

E dhëna tjetër e këtij raporti: 46% e personelit akademik që jep mësim në sistemin e arsimit të lartë të vendit janë me kohë të pjesshme, sepse, siç e shprehën rektorët në takim, nuk ka buxhet për të emëruar asistentë dhe pedagogë me kohë të plotë. Raporti thotë që cilësia ka prirjen në rënie si në IAL publike ashtu edhe ato private, sidomos në programet e ciklit të dytë (Master), çka është shumë e rrezikshme, sepse të diplomuarit në nivelin Master emërohen në sektorin publik dhe punësohen në sektorin privat. Programet e studimit nuk janë të lidhura me tregun e punës dhe kanë nivel të ulët edhe në përmbajtje. Raporti jep edhe shumë të dhëna të tjera por, ai nuk thotë asgjë për studentët, në kuptimin se çfarë vlerësimi kanë ata për cilësinë e shkollimit të lartë në Shqipëri dhe sa i besojnë atij?

Raporti nuk shkruan asnjë fjali për nivelin e IT dhe digjitalizimit në arsimit të lartë shqiptar. Raporti ka plot dobësi të tjera, por sidoqoftë, ai identifikon shkaqet kryesore dhe i radhit ato, për nga ndikimi në gjendjen e cilësisë, si më poshtë: (1) cilësia e ulët e personelit akademik, (2) niveli i ulët i kurrikulave dhe përmbajtjes së tyre, (3) ngarkesa e lartë mësimore, (4) cilësia e ulët e teksteve dhe gjendja e keqe e bibliotekave, (5) niveli i pamjaftueshëm i laboratorëve dhe gjendja e godinave universitare, (6) niveli i ulët sasior dhe cilësor i kërkimit shkencor dhe (7) mungesa e lidhjes së programeve të studimit me tregun e punës. Edhe pse dy autorët kryesorë të raportit janë profesorë në fushën e ekonomisë në universitetet britanike, ata e përmendin por nuk i mëshojnë burimit të vërtetë nga ku rrjedhin shkaqet e renditura më sipër. Thembra e Akilit e gjendjes së cilësisë është niveli tërësisht i pamjaftueshëm i investimit për arsimin e lartë dhe struktura e organizimi i sistemit tonë të arsimit të lartë. Me një investim prej 0,45 % të GDP për arsimin e lartë nuk mund të pretendosh të kesh një sistem të arsimit të lartë që prodhon cilësi dhe është konkurrent as me vendet e Ballkanit. Nuk po i hyjmë se për çfarë shkon edhe ky financim nga buxheti apo nga tarifat e studentëve. Nga ana tjetër, struktura, organizimi dhe funksionimi i sistemit dhe institucioneve brenda tij është vite larg një sistemi modern universitar. Dhe kjo lidhet, më së pari, me ligjin e arsimit të lartë të vitit 2015, për të cilin mund të themi, tani pas 10 viteve të zbatimit të tij, se nuk krijoi asnjë premisë reale për progres në arsimin e lartë, përkundrazi solli disa përkeqësime. Kryeministri i pranishëm në prezantimin e këtij raporti tha se nuk ishte i kënaqur me gjendjen dhe kërkoi reformë në arsimin e lartë si dhe ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë. Por nuk tha nëse do të jenë arnime të ligjit aktual apo një ligj i ri. Në fakt, një reformë e sistemit të arsimit të lartë kërkon më shumë se sa ky raport dhe dokumenti i politikave që u prezantua në shkurt 2025.

Në asnjë nga këto dokumente nuk është bërë një vlerësim i plotë i sistemit, në të gjithë këndvështrimet si: (i) impakti në zhvillimin e gjithanshëm ekonomik e social, të tanishëm dhe perspektiv, të vendit (një nga karakteristikat bazë të universitetit të gjeneratës 4.0); (ii) autonomia institucionale dhe liria akademike; (iii) roli i studentëve dhe qasja e sistemit ndaj tyre; (iv) cilësia akademike e programeve dhe e kërkimit shkencor krahasuar me standardet internacionale; (v) cilësia e menaxhimit, vetëqeverisjes, llogaridhënies dhe transparencës, si dhe (vi) transferimi i dijes, lidhja me tregun e punës dhe impakti publik i IALve. Vlerësime të tilla tërësore të sistemeve të arsimit të lartë i bëjnë agjencitë e specializuara për rankime apo akreditime, ose organizata ndërkombëtare si Banka Botërore apo OECD etj.. Unë mendoj se parësor është vizioni i reformës. Ku duam të arrijmë? E thënë ndryshe, duam të zhvillojmë një sistem të arsimit universitar të standardeve internacionale, konkurrues me vendet e tjera, të paktën me vendet më të përparuara të Rajonit, si Sllovenia? Apo do të vazhdojmë të ecim me hapin e breshkës duke prodhuar raporte propagandistike? Po të vazhdojmë kështu, do të mbetemi siç jemi, edhe në 2030, 2035 apo 2040, pra si shkolla të larta, por jo universitete të nivelit internacional. Dhe po të mbetemi në këtë nivel, të rinjtë tanë do të braktisin akoma më shumë IAL tona dhe nuk dihet sa prej këtyre IAL-ve do të mbijetojnë. Ndërsa teza se IAL tona mund të “mbushen” dhe të mbijetojnë me studentë nga vendet e tjera, kryesisht të botës së tretë, mendoj se kërkon të paktën një dekadë për të arritur të kemi 2-3 % të studentëve nga vendet e tjera.

Psh,. Gjermania sot nuk ka më shumë se 20% studentë të huaj, edhe pse ka qenë shumë agresive në thithjen e studentëve të huaj në këto tri dekadat e fundit dhe ka një sistem të arsimit të lartë ndër më të mirët në botë. E kam fjalën për studentë dhe jo për turistë transit, që regjistrohen formalisht në IAL tona sa për të kaluar kufijtë si emigrantë për në Europë. E ritheksoj bindjen time se Shqipëria ka nevojë urgjente për universitete dhe shkolla të larta të nivelit internacional. Por kjo kërkon që sistemi ynë i arsimit të lartë të reformohet dhe transformohet në një sistem modern, sipas modeleve të vendeve të zhvilluara. Kryeministri përmendi përvojën e projektit për reformimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës sipas modelit të BOKU Vjenë. Sapo ka filluar ky projekt, ka rezultate premtuese në reformimin e programeve, por po na tregon se sa larg janë universitetet tona me ato të Austrisë, pra me universitetet e sotme europiane. Unë mendoj se një reformë transformuese e sistemit të arsimit të lartë shqiptar kërkon një konsensus të gjerë politik. Një reformë e njëanshme politike do të ishte afatshkurtër, sepse çdo shumicë qeverisëse do të bënte ndryshime të sistemit, çka do ta dëmtonin rëndë atë. Ky konsensus është i domosdoshëm jo thjesht për ligjin, por më së pari, për vizionin dhe strategjinë afatgjatë të arsimit të lartë shqiptar. Konsensusi duhet për të marrë disa vendime madhore, të cilët vendosin kolonat e një sistemi modern të arsimit të lartë. Ndër to, disa vendime kryesore do të ishin:

Vendimi i parë do të ishte që pragu i investimit për arsimin e lartë të ishte të paktën 1 % të GDP dhe asnjë shumicë qeverisëse të mos e shkelte dot atë. Kjo është domosdoshmëri për të zhvilluar një sistem modern të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Kryeministri u shpreh në takim se do të financonte kërkimin shkencor, por pasi të shikonte rezultate të nivelit internacional! Kjo është njësoj si të thuash, dilni e lypni fonde për kërkim, arrini rezultate, pastaj po u financojmë ne me fondet publike! Por për çfarë është investimi për arsimin dhe shkencën, për çfarë paguajnë taksapaguesit, vetëm për rrugë nga më të shtrenjtat në Europë, për ndërtimet urbane etj., etj.? Praktikat internacionale të reformave të arsimit të lartë dhe rritjes së cilësisë për rankime internacionale është krejt tjetër: qeveritë investojnë me përparësi dhe objektiva konkrete për disa vite, në mënyrë që universitetet e vendeve përkatëse të arrijnë objektiva konkrete në rankimet internacionale të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Jemi aktualisht në nivelin më të ulët të investimit në Europë dhe në Rajon, 0,45% e GDP. Me një buxhet prej 8,2 miliardë euro që ka vendi për vitin 2025 është plotësisht e mundur që buxheti për arsimin e lartë të dyfishohet për 2-3 vjet.

Vendimi i dytë: A do të vendoset statusi i pedagogut dhe kërkuesit shkencor si një profesion të mirëpaguar në Shqipëri, siç është ai në universitetet perëndimore, apo do të vazhdojmë me këtë status mediokër që kemi, ku pedagogët dhe kërkuesit duhet të bëjnë edhe një ose dy punë të tjera për të mbajtur familjet e tyre! Këtu fillon ndryshimi real. Nëse nuk merret ky vendim, nuk ka shans të ndryshoj asgjë në sistem. Në fund të fundit, nëse pedagogët dhe kërkuesit për 8 orë punë në ditë apo 40 orë pune në javë, paguhen me paga që nuk u mjaftojnë për të mbajtur familjet e tyre në kushtet e një kosto kaq të lartë të jetesës në Tiranë, ata nuk mund të jenë të motivuar për të bërë mësim dhe kërkim me cilësinë e kërkuar. Sot, në universitetet perëndimore, edhe pagat brenda kategorisë psh., kategorisë “Profesor”, janë të shkallëzuara dhe të mbështetura në performancën në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe transferimin e dijes. Pra, është vendim bazik: do të investoj Shqipëria për mendjen, siç investojnë vendet e zhvilluara, apo do të vazhdojë ta trajtojë mendjen si gjë pa vlerë dhe t’i akordojë paga sa për bukë. Shqipëria ka sot buxhet prej 8,2 miliardë euro, pra nuk është e varfër si vendet afrikane. Pra, e ka mundësinë reale për një investim të tillë. Por, është çështje vizioni dhe jo buxheti. Nëse do të aplikohej një status i pagës dhe kritereve të shpërblimit të pedagogëve dhe kërkuesve në Shqipëri, të krahasueshëm me ato të vendeve të BE, në raport me kostos së jetesës, atëherë do të fillonte një epokë e re për gjithë sistemin e arsimit të lartë, e cila do të fillonte me një politikë tërësisht të re të rekrutimeve dhe titujve akademik në universitete, me garë të hapur internacionale për pozicione pune të “Profesor” apo “Profesor i asociuar”, sipas planit të zhvillimit të burimeve njerëzore si dhe organizimit të “Profesurave” ose “Chair” në fusha e caktuara të kërkimit shkencor. Kjo do të çonte në rritjen e interesit, konkurrencës dhe motivacionit për pozicione e punës në universitete, sepse ka të ngjarë që një pjesë e konsiderueshme e diasporës akademike shqiptare, do të futej në garë për këto vende pune. Vende të tjera e ka shkelur këtë rrugë, psh. Polonia, Kroacia.

Vendimi i tretë do të ishte: Do të zhvillojmë një sistem modern të arsimit të lartë, që përbëhet kryesisht nga universitete të vërteta ku mësimi dhe lëndët burojnë nga kërkimi shkencor (research-based university)? Kjo është plotësisht e mundur të realizohet nëse përmbushen disa kushte. Kushti i parë është që çdo pedagog duhet të kryej edhe kërkim shkencor, çka duhet të pasqyrohet edhe në pagë. Kushti tjetër është infrastruktura laboratorike dhe ajo në tërësi në universitet (digjitale, biblioteka). Një kusht tjetër është rritja e fondit për kërkimin shkencor, në mënyrë që çdo pedagog të ketë mundësi reale të aplikojë për projekte kërkimore, me anë të të cilëve të hapë edhe vende pune për doktorantët e tij dhe studentë të Masterit që realizojnë tezat shkencoret. Ky është transformimi më i vështirë dhe më i kushtueshëm. Ai mund të realizohet gradualisht dhe përmes projekteve strategjike që paraqesin universitetet, të cilët miratohen nga ministria përmes komisioneve Ad hoc. Ka plot përvoja të mira edhe në vendet e Europës Lindore dhe Qendrore që kanë kryer vitet e fundit reforma të tilla. Zhvillimi i kolonës së Research – based University, brenda sistemit të arsimit të lartë nuk nënkupton injorimin e shkollave të larta ose kolegjeve universitare. Ato reformohen sipas modelit të “University of Applied Science” për të afruar programe studimi të orientuara më shumë në praktikë. Këto nuk janë vendimet e vetme, por ato më madhore. Janë edhe shumë vendime të tjera që kërkojnë konsensus të gjerë. Por, ajo që duhet të ritheksoj, është se reforma e arsimit të lartë është një reformë që kërkon një bashkëpunim të gjerë midis aktorëve politikë, botës akademike dhe faktorëve të tregut të punës. Modele për reforma të tilla ka plot në Europë dhe mund të zgjidhet një prej tyre që është më afër kushteve të vendit tonë psh., Sllovenia apo Kroacia, pa shkuar tek Austria apo vendet e tjera të BE.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular