HomeAktualitetShtatë gurore të braktisura në Dajt do të kthehen në zona të...

Shtatë gurore të braktisura në Dajt do të kthehen në zona të gjelbra/Nis projekti për rehabilitimin e zonës

Advertismentspot_img

Mali i Dajtit, simboli natyror i Tiranës dhe një nga zonat më të frekuentuara nga vizitorët dhe turistët, do të përfshihet në një projekt të gjerë për rikthimin e natyrës së dëmtuar nga ndërhyrjet njerëzore.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka shpallur një tender publik për rehabilitimin e shtatë guroreve të braktisura dhe zonave përreth tyre që janë dëmtuar nga ndërtimet e paligjshme, rrëshqitjet e dheut dhe marrja e inerteve.

Gurorët e identifikuar janë të shpërndarë përgjatë rrugëve që përshkojnë Dajtin, nga Qafë-Mollë e deri në rrugën drejt Bulqizës, dhe përbëjnë disa nga plagët më të dukshme të mjedisit në këtë park kombëtar. Në to është ndërprerë çdo aktivitet prej vitesh, por pasojat kanë mbetur të hapura: shpate të zhveshura, terrene të rrezikshme dhe një peizazh i cënuar.

Qëllimi i projektit është që këto hapësira të mos mbeten më “gropa të harruara”, por të shndërrohen në zona të gjelbëruara, me pyllëzim, rigjenerim natyror dhe potencial për përdorim edukativ apo rekreativ.

Ndërhyrjet përfshijnë edhe zona të tjera në Park, ku tokat janë dëmtuar rëndë nga erozioni apo ndërtime të mëparshme, duke i kthyer ato në hapësira të pashfrytëzueshme dhe të rrezikshme për biodiversitetin dhe për vizitorët.

Ky projekt është pjesë e përpjekjeve të AKZM për të rregulluar trashëgiminë mjedisore të dëmtuar dhe për ta kthyer malin e Dajtit në një destinacion të qëndrueshëm turistik dhe ekologjik.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular