Një letër e dorëshkruar nga ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, drejtuar financierit Jeffrey Epstein, është zbuluar së fundmi nga Wall Street Journal, në kuadër të një hetimi të ri mbi marrëdhëniet personale të Epstein me figura të njohura të elitës globale.
Letra është gjetur brenda një albumi luksoz dhe të lidhur me lëkurë, të përgatitur nga Ghislaine Maxwell në vitin 2003 me rastin e 50-vjetorit të lindjes së Epstein, disa vite përpara arrestimit të tij të parë për krime seksuale në vitin 2006.
Albumi përmban rreth 60 letra urimi nga personalitete të njohura, përfshirë Donald Trump, investitorin Leon Black, stilisten Vera Wang dhe botuesin Mort Zuckerman.
Megjithatë, sipas gazetës, letra e Clinton-it konsiderohet si më e rëndësishmja dhe më e dalluara në përmbajtje.
Në dedikimin e tij, i cili përmban shkrimin e njohur të Clinton-it, thuhet, sipas Wall Street Journal:
“Është ngushëlluese, apo jo? Që ke qëndruar gjatë gjithë këtyre viteve të mbushura me mësime dhe dije, aventura dhe [fjalë e pakuptueshme], dhe gjithashtu ke ruajtur kureshtjen fëminore, dëshirën për të bërë ndryshim dhe ngrohtësinë e miqve.”
Zëdhënësi i Bill Clinton ka refuzuar të komentojë mbi përmbajtjen e letrës, duke iu referuar një deklarate të mëparshme nga viti 2019. Në atë deklaratë thuhej se Clinton kishte shkëputur çdo kontakt me Epstein mbi një dekadë përpara arrestimit të tij të fundit në vitin 2019.
Po atëherë u sqarua se ish-presidenti kishte kryer katër udhëtime me avionin privat të Epstein dhe kishte vizituar një herë shtëpinë e tij në Manhattan, gjithnjë i shoqëruar nga agjentë të Shërbimit Sekret, në kuadër të punës së tij me Fondacionin Clinton.
Për ekzistencën e këtij albumi ishin folur edhe më parë nga viktima të Epstein, ndërsa avokati i tyre, Brad Edwards, deklaroi së fundmi për MSNBC se “ekzistenca e librit është një fakt i padiskutueshëm.”
Vëllai i Jeffrey Epstein, Mark Epstein, e ka konfirmuar për Wall Street Journal se ishte pikërisht Ghislaine Maxwell ajo që e kishte përgatitur këtë dhuratë, me ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe një punuesi librash në Nju Jork.
Përveç letrës së Clinton-it, albumi përmban edhe materiale me përmbajtje më të diskutueshme. Teksti i atribuuar Donald Trump-it përfshin një vizatim të një gruaje nudo, një element që Trump e ka mohuar kategorikisht si “fals,” madje duke ngritur padi kundër autorëve dhe botuesve të raportit.
Letra të tjera të atribuuara investitorit Leon Black dhe avokatit Alan Dershowitz përmbajnë poezi, foto humoristike dhe komente sarkastike që sot konsiderohen, në minimumin e tyre, të papërshtatshme.
Zbulimi i ekzistencës dhe përmbajtjes së këtij albumi hap sërish pyetje të mëdha mbi përmasat e rrjetit të marrëdhënieve të Jeffrey Epstein me botën ndërkombëtare të biznesit, politikës dhe artit, në një kohë kur dënimi i Ghislaine Maxwell për përfshirjen në rrjetin e abuzimit seksual të të miturve ka hedhur një hije të rëndë mbi shumë nga emrat e përfshirë.
Çështja mbetet ende e hapur në disa drejtime gjyqësore dhe nuk është e qartë nëse përmbajtja e këtij albumi përfshihet në rishikimin e fundit të dosjes Epstein nga autoritetet amerikane.