Shqipëria u vizitua në 6 muajt e parë të vitit nga 4.76 milionë të huaj të cilët janë një miks, mes interesit kulturor, kulinar por edhe atij të detit dhe rërës. Rritja në muajt e parë të vitit, edhe pse më modeste se një vit më parë, sërish foli për një destinacion që ngjall kuriozitet, teksa vera pritet të jetë një tjetër kapitull që po shfaqet me luhatje.
Pritshmëritë e operatorëve turistikë janë që sezoni veror të shënojë më pak turistë se sezoni veror i vitit të kaluar dhe shkak për këtë pesimizëm janë bërë rezervimet paraprake individuale, që ishin më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Bëhet fjalë për rezervimet që vijnë nga Europa Perëndimore nga ku po vjen pjesa më e madhe e të huajve që kulturën e planifikimit të pushimeve e kanë pjesë të tyre duke mos lënë gjëra për “last minute” (rezervim të minutës së fundit.
Vetëm italianët në një përqindje të vogël mund të jenë një rast i rezervimeve të momentit të fundit, nisur nga afërsia dhe alternativat e transportit që janë më të larmishme dhe ofertat që mund të gjejnë.
Gjithsesi, të huajt po vijojnë të vijnë dhe të shumtë janë ata që Shqipërinë e konsiderojnë një zbulim të bukur, një vend që nuk duhet humbur, një alternativë për pushime ekonomike dhe ushqim të mirë.
Komentet pozitive nuk mungojnë në rrjete sociale dhe platformat e posaçme për udhëtimet si Tripadvisor apo Google Review ashtu sikurse nuk mungojnë ato negative madje deri në ekstrem për një vend që “fama” turistike e gjeti disi të papërgatitur.
Këto platforma, të cilat bashkojnë zërat e miliona turistëve, duhet të jenë në fakt pasqyra ku qeveria, biznesi dhe gjithë industria turistike sheh veten dhe korrigjon atë që nuk shkon.
“Monitor” përzgjodhi për rajone të ndryshme në vend, disa nga kritikat që kanë të huajt sa i takon turizmit, për t’i dhënë zë dhe si një formë për të reflektuar në mënyrë që Shqipëria të vijojë të ketë shkëlqimin turistik që po përjeton viteve të fundit.
Por cilat janë në fakt disa nga aspektet që të huajt vlerësojnë dhe kritikojnë këtë vit? Hapësirat më të shumta të plazheve publike këtë vit, janë një nga pikat që vlerësohet. Të huajt përgjithësisht parapëlqejnë të shkojnë drejt këtyre hapësirave nisur edhe nga fakti që e vizitojnë vendin tonë si turistë në buxhet.
Duan të shpenzojnë pak dhe çadrat e shezlonet nuk janë diçka që e shohin si të arsyeshme për ta paguar, aq më shumë me çmime të kripura ku në disa plazhe 15-20 euro është standard.
Dashurojnë ushqimin dhe mikpritjen e vendasve ashtu sikurse kritikojnë çmimet e ekzagjeruara që aplikohen për disa shërbime në industrinë turistike vetëm sepse janë turistë.
Mbetjet janë një kryefjalë e përbashkët e të gjithëve, nga Jugu në Veri dhe i shqetëson normaliteti me të cilin vendasit lënë mbeturinat në plazhet që frekuentojnë apo mënyra sesi sillen me natyrën.
Ndërtimet që kanë pushtuar bregdetin, sidomos në Jug, janë pjesë e albumeve fotografike që ngarkohen në platforma ku sigurisht fjalët nuk janë për t’i përgëzuar, por për ndryshimin dramatik që po i bëhet peizazhit mahnitës që po zëvendësohet me beton.
Por si e sheh sot bota me syrin e saj një vend të vogël si Shqipëria? Nga Saranda në Velipojë çfarë po thonë turistët për ne.
Saranda ndan turistët, e bukur por kaotike dhe çmimet janë të shtrenjta
Saranda mbetet një nga destinacionet e parapëlqyera të të huajve të cilët joshën për të vizituar Jugun e Shqipërisë nga “thirrja” e plazheve të kristalta, perëndimeve idilike apo jetës vibrante të qytetit.
Për rrjedhojë, pritshmëria dhe realiteti që gjejnë, shpesh i bën vizitorët të ndahen në dy ekstreme. Pra, Sarandën ose do ta duash ose do ta urresh. Panorama që të shfaqet në komentet e shumta që mund të hasësh varet se cilës platformë i drejtohesh.
Në Google Review, për vende specifike në Sarandë do të gjesh një miks mes komenteve pozitive dhe negative por në Tripadvisor, thuajse të gjithë vlerësimet e reja janë negative.
Kjo ka ulur vlerësimin e përgjithshëm të destinacionit në 2.7 nga 5 që duhet të jenë. Por çfarë kanë kritikuar në fakt pushuesit?
Tepër e mbipopulluar, rrugët dhe shoferët të tronditin. Plazhi publik është 1/10. Turp që kaq shumë plazhe janë privatizuar.
E vetmja gjë e mirë për këtë vend ishte mundësia për të dalë për në Korfuz. Kisha shumë dëshirë të vija këtu, por jam e zhgënjyer. Ka kaq shumë vende më të mira për të vizituar. Mos u lodh fare të vish deri këtu për këtë zhgënjim”, – komenton Michele T.
Një tjetër turist duket se kritikon tendencën për të mos qenë i drejtë me turistët sa i takon konvertimit të eurove që lënë si dhe çmimet e shtrenjta. “Kudo hajdutë të tmerrshëm. Mashtrojnë turistët në çdo vend.
Kini kujdes mashtrojnë me Euro dhe Lek, ushqimi është i shtrenjtë dhe i tmerrshëm” komenton Lendrit K.
Mbipopullimi i qytetit kur ndërkohë i mungon infrastruktura për të përballuar këtë fluks është një shqetësim që përsëritet vit pas viti. Një pushues britanik Robert J (Ipswich, UK) i cili vizitoi Sarandën me familjen e cilësoi gabim qëndrimin në Sarandë pikërisht për këtë arsye.
Ishte një gabim të qëndronim në Sarandë, është një destinacion shumë i ngarkuar turistik, por nuk ka infrastrukturë për të mbështetur fluksin e turistëve. Ka disa restorante të mira, por nuk mjaftojnë për të kompensuar mungesat.
Plazhet në qytet janë të ndotura dhe të mbushura, kështu që të duhet makinë, që do të thotë të përjetosh ndjesinë të dhënit të makinës me stilin e tmerrshëm të vendasve që është e frikshme dhe e rrezikshme” nënvizon ai.
Kaotizmi dhe mënyra sesi vendasit sillen në timon duket se është bërë shkak për një seri komentesh negative.
“Mendoj se kam qenë mjaft bujar që i kam dhënë dy yje, dhe kjo vetëm sepse kemi ngrënë disa vakte shumë të mira me çmime të arsyeshme megjithatë drejtimi i makinës është kaotik, parkim nuk ka dhe jemi vetëm në qershor (jo sezoni i pikut).
Mund ta kuptoj që të rinjtë mund të shijojnë jetën e natës këtu, por nëse kërkoni pushime çlodhëse si unë, me pak eksplorim largohuni nga Saranda!
Do të rekomandoja ta vizitoni Shqipërinë, por shkoni në veri ku ka plazhe shumë të mira dhe vende interesante historike” shprehet një tjetër turist.
Një tjetër arsye për zhgënjim duket se është petku shkëlqyes që Sarandës i është veshur në artikujt promovues dhe ndoshta pritshmëritë janë bërë aq të larta sa realiteti duket si mashtrim.
Antonia komenton se kishte shumë pritshmëri por në realitet drejtimi i makinës këtu është shumë i komplikuar, nuk ka vende parkimi, nuk ekziston as një sistem i mirë autobusësh. “Jemi shumë të zhgënjyer nga kjo përvojë dhe nuk do të kthehemi më” thotë ajo komentin e saj.
Ksamili, vlerësohen plazhet por jo shërbimi, problem mbetjet, muzika, dendësia e çadrave
Ksamili këtë sezon duket se ka rikuperuar disa pikë në imazh nëse u referohemi komenteve që turistët që e kanë vizituar kanë bërë në Google Review. Sigurisht meritat për këtë i merr natyra e cila e ka bekuar këtë rajon me plazhe mahnitëse dhe peizazhe që rrëmbejnë zemrat e atyre që i shohin.
Por edhe në këtë rast, Tripadvisor ndryshe nga Google ka marrë më shumë vlerësime negative për Ksamilin dhe kjo lidhet më shumë me mënyrën sesi menaxhohet sezoni në një nga perlat turistike të vendit që është kthyer në imazhin promovues ndërkombëtar.
Turistët kritikojnë dendësinë e çadrave që vendosen në plazhe, mbeturinat që gjenden kudo apo garën që lokalet bëjnë me njëri-tjetrin se cili e ka muzikën më të lartë.
Komentuesi 0586irenet në Tripadvisor që vizitoi Ksamilin çift shkuan se nuk do ta vizitojë kurrë më.
“Aspekte pozitive: Deti i bukur dhe mikpritja e shqiptarëve. Për pjesën tjetër, vend tepër turistik, pa mundësi shpëtimi, edhe nëse përpiqesh të gjesh një plazh më të izoluar nuk është e mundur; çadrat janë të gjitha ngjitur me njëra-tjetrën (nga 15 € e sipër) me shezlonë të vjetër e të rrënuar.
Qendra e Ksamilit është një karnavale, një grumbull restorantesh të shtrenjtë dhe me cilësi të dobët. Përreth ka plot mbeturina. Nuk kam qenë në vende të tjera në Shqipëri, por këtu me siguri nuk kthehem më” vlerëson ai.
Sarah nga Italia, e cilëson se plazhet janë si në Karaibe, por atmosfera irrituese.
“Plazhet e Ksamilit janë padyshim të bukura, por… Janë shumë të vogla dhe shezlonët praktikisht janë ngjitur me njëri-tjetrin.
Që nga mesi i qershorit plazhet janë të tejmbushura me fëmijë, të cilëve prindërit ua lejojnë çdo gjë, duke krijuar një ambient shumë të zhurmshëm që e bën të pamundur çdo formë relaksi. Kudo ndihet se qyteti është përshtatur shumë shpejt për turizëm masiv, ka lokale ngado.
Supermarketet e vegjël nuk kanë thuajse asgjë nga ato që duhen për një pazar normal, duke i detyruar njerëzit të hanë jashtë në vende aspak të lira. Supermarketet kanë çmime tepër të larta, më të larta se në Itali.
Në plazhe nuk ka rregulla, njerëz që pinë duhan, bërtasin. Trafiku në rrugë është i tmerrshëm, turistët në këmbë dhe makinat ndajnë rrugët pa asnjë logjikë. Për dy shezlonë dhe një çadër duhet të paguash të paktën 20 euro (rrallë 15), por çmimet rriten edhe më shumë për çdo shërbim shtesë.
Tualetet e plazheve janë nën pragun e së pranueshmes. Është një vend që po rritet me shpejtësi për të tërhequr turistët, por ndërkohë, përveç lokaleve, nuk ka ofruar shërbime të tjera të domosdoshme.
Preferojnë (në mënyrë këmbëngulëse) pagesën cash, pa dhënë fatura dhe fakti që do të paguash me kartë, me përjashtime të rralla, nuk mirëpritet dhe shpesh nuk e fshehin irritimin.
Nëse zgjidhni Ksamilin, përgatituni të shpenzoni shumë, madje edhe për shërbime që nuk janë aspak në lartësinë e pagesës. Do të kthehesha vetëm për plazhet, por për asnjë arsye tjetër” shprehet ajo.
Nga mbeturinat te ndërtimet e parkimet, çfarë zhvlerëson bukurinë e Jugut
Plazhet në Jug të vendosur duket sikur janë në një bursë të luhatshme ku vit pas viti, herë fitojnë e herë humbin pikë. Problematikat e tyre mbeten të vjetra apo edhe të reja që vijnë me zhvillimin që pëson zona ku ndodhen.
Borshi që një vit më parë ishte plazhi ku dominuan kryesisht vendasit dhe plazhi me çmimet më ekonomike duket se këtë vit është bërë një pikë e preferuar edhe për të huajt, të cilët janë të ndarë në opinionet që kanë.
Frederique Bertrand, i cili vizitoi së fundmi këtë plazh, komenton se ka cigare kudo dhe uji nuk është shumë i pastër. Në fund ai shton se nuk e rekomandon.
Komentuesi tjetër Der Ehrliche që i ka dhënë vetëm tre yje rendit si problem sjelljen jo shumë të përgjegjshme të vendasve, sa u takon organizimeve që bëjnë në plazhe dhe pastrimit të mbetjeve.
“Plazhi është i gjatë dhe ka shumë vende parkimi, falas. Të gjithë njerëzit në plazh janë të këndshëm – kryesisht shqiptarë. Ujë i bukur. Plazh me guralecë. Mund të ecni gjatë dhe larg nëse doni. Dallgë të këndshme.
Gjenden edhe hapësira shumë të mira për hije, nëse gjeni ndonjë të lirë.
Ndonjëherë ka shumë ndërtime spontane, vende të improvizuara për zjarr dhe “barbecue”. Njerëzit bëjnë “barbecue” dhe ndezin zjarre në hapësira të hapura dhe asgjë nuk pastrohet. Duhet kujdes me zonat e hapura të plazhit, larg klubeve, sepse ndonjëherë mund të ecni mes bajgave të lopëve.
Një hotel i ri po ndërtohet këtu, do të jetë një kompleks gjigant, dhe pakënaqësia tashmë është shprehur me grafiti. Është mjaft interesante të shihet si po zhvillohet ky vend”, – vlerëson ai.
Adrian Martinez, një tjetër vizitor, nënvizon se plazhet nuk janë shumë të mbushur por rrugët janë kaotike dhe si kudo këtu ka mbeturina. Të njëjtën përshtypje ka lënë edhe Carlo Regazzo.
“Plazh i zakonshëm, me guralecë, ujë relativisht i pastër, shumë vende për të ngrënë, por i zhytur në atë neglizhencën e zakonshme shqiptare: mbeturina kudo, rrugë të pakalueshme, kaos me makinat, duhet të përshtatesh, nëse mundesh” shprehet ai.
Për Dhërmiun duket se investimet e bëra në lokale plazhi janë mbresëlënëse por muzika e lartë dhe mungesa e parkimit janë arsye për stres.
“Nuk ka vende parkimi të mirëfillta. Kështu që bëhet shumë e vështirë të gjesh ku të parkosh makinën, ose duhet të paguash 5 euro dikujt që ka liruar një copë tokë të braktisur. Për këtë arsye, ne në përgjithësi nuk do të shkojmë më në Dhërmi”, – komenton një turiste britanike.
Lianne M nga Holanda shprehet se plazhi është shumë i bukur, por “pothuajse të gjithë beach club-et konkurrojnë se cili vendos muzikën më të lartë. Prandaj, çlodhja në plazhin e Dhërmiut është e pamundur”.
Çmimet janë një tjetër arsye për kritikë. “Kush vjen në Shqipëri me idenë e çmimeve të ulëta duhet ta harrojë. 15 euro për një çadër plazhi. Mund të mos duket shumë e lartë, por duhet të ishte 5 euro.
Të mos flasim për çmimet në minimarkete: 4 euro/kg për bananet dhe 4 euro për një akullore të paketuar.
Kjo është dyfishi i çmimeve në Tiranë, të cilat tashmë janë të larta”, komentoi një pushues italian, Mario Bianchi pas një vizite në plazhin e Drimadhes. Petr PetrK shprehet se teksa plazhet janë pjesa e bukur e vendit ka një tjetër anë që nuk është edhe aq e bukur.
“Realitet i trishtuar janë kantieret e ndërtimit pas plazhit, nuk dua ta përfytyroj të ardhmen e këtij vendi” shprehet ai.
Livadhi dhe Himara duket se janë plazhet që kanë marrë më pak kritika në këtë rajon nisur këtu edhe nga prania e plazhit publik në njërën anë, alternativave më të shumta të pazareve në qytet, si dhe çmimeve jo shumë të ekzagjeruara të shezloneve përfshi këtu edhe mundësinë e parkimit.
Durrësi, pritshmëri të ulëta, por vlerësimi pozitiv më i qëndrueshëm në platforma
Durrësi që mbetet aktualisht modeli më i qëndrueshëm i turizmit në vend duket se e reflekton këtë edhe në komentet që merr nga turistët individualë që e vizitojnë.
Qyteti dhe plazhet rrethues të tij ndoshta nuk janë më idealet nëse krahasohen me Jugun por avantazhi i madh që kanë është se janë ranorë dhe më të përshtatshëm për familjet me fëmijë, çmimet më ekonomike, oferta e larmishme për aktivitetet që mund të zhvillosh.
Pikërisht këto i kanë siguruar qytetit një vlerësim me 4.1 nga 5 në Google Review. Ndryshe nga sa ndodh me Jugun, ata që vijnë në qytet nuk kanë prtishmëri shumë të larta për plazhin dhe ujin dhe gjithsesi një pjesë e mirë e tyre befasohen pozitivisht.
Michele Braone komentoi pozitivisht përvojën e tij në qytet.
“Shëtitorja buzë detit është e bukur, me shumë bare, restorante dhe veçanërisht tezga që shesin suvenire të çdo lloji. Por më së shumti më pëlqyen spektaklet e shitësit të akullores, me konët që fluturonin dhe zhdukeshin” shprehet ai.
Lenka Kováčová, një tjetër turiste, vlerëson faktin që ka një plazh publik dhe që është relativisht i pastër. “Duhet të paguash për shezlonët, por ne nuk i përdorëm. Ka shumë bare dhe biznese të ndryshme.
Gjenden edhe karusela” nënvizoi ai. Berkin Tasgun vlerëson se deti është me rërë, ndaj mund të duket pak i pistë, por në fakt është krejt në rregull.
“Paguam 700 lekë (7 €) për dy shezlonë. Zgjodhëm të blinim birra dhe snacks nga marketi dhe jo nga pronari i shezlonëve, gjë që ishte një ide e mirë” nënvizoi ai. Por jo të gjithë e kanë parë kaq pozitivisht. Valiantsin Pcholkin e komenton si vendin më të pistë në botë ku i është dashur të notojë.
“Gjithçka është në mbeturina” shprehet ai. Ade P.O. që vizitoi Durrësin në javën e dytë të korrikut vlerëson se 90% e plazhit është i mbushur me shezlonë dhe çadra me pagesë, por ka tabela që e tregojnë qartë se plazhi është publik, dhe ka disa hapësira të vogla ku njerëzit ulen me peshqirët e tyre në tokë ose çadrat e sjella nga shtëpia.
“Plazhi me rërë është relativisht i pastër. Po bëhen përpjekje për mbledhjen e mbeturinave dhe përmirësimin e pastërtisë. Uji është relativisht i pastër, por është i ngjashëm me Mar Menorin dhe është i cekët pavarësisht sa larg shkon.
Nuk ka dallgë. Frekuentohet nga vendas dhe familje. Nuk ka dushe. Shëtitorja është plot me bare, restorante, dyqane. Pas orës 18:00, atmosfera (dhe temperatura) është më e këndshme” shprehet ajo.
Plazhi i Currilave është një tjetër pikë që ka hyrë pozitivisht në vlerësimet e turistëve, të cilët komentojnë se është i përshtatshëm për familjarët por duhet të vini herët në mëngjes të gjeni parkim dhe shezlonë bosh.
Krejt e kundërta në fakt duket se ndodh me Qerretin që i takon Kavajës. Pavarësisht sesa popullor është ai, turistët kritikojnë se uji është i pisët, dhe nuk ka dhoma zhveshjeje. Pavarësisht standardit të ulët, të paktën çmimet gjykohen se janë të arsyeshme.
“Kalova një javë me një grup miqsh. Standard shumë i ulët.
Nga njëra anë palma, nga ana tjetër grumbuj mbeturinash, erë kanalizimesh, plazhi nuk pastrohet, nuk i kushtohet shumë vëmendje pastërtisë. Restorantet me çmime të pranueshme.
Dyqanet janë shumë më të lira. Qëndruam në një apartament, akomodimi ishte shumë i mirë, 50 euro nata për apartament për 2 persona” vlerëson Ònika Màthè në Google Review.
Pylli me pisha shihet si një avantazh. Miguel komenton se plazhet private janë mirë, por publikët të pistë, dhe pylli me pisha pas tyre nuk mund të ishte në gjendje më të keqe. Mbeturinat janë të shpërndara kudo.
Kurse Oleh Us e krahason me Detin Azov, shumë i cekët, uji është i turbullt nga rëra.
“Por pozitiv është fakti se ka një pyll halor aty pranë, që krijon hije” shprehet ai. .
Shëngjini mes dy kontrasteve, Rana e Hedhun merr zemrat e të huajve
Promovimi i turizmit në mediat ndërkombëtare që zakonisht ka si fjalë kyçe të qenët destinacion i lirë dhe si foto plazhet e Jugut ka bërë që eksplorimi i të huajve në plazhet e Veriut të jetë më i ulët. Sigurisht prania e tyre nuk mungon por nuk është aq e dukshme sa në Sarandë, Vlorë apo Durrës.
Kureshtarët që kanë zgjedhur Veriun kanë arritur të shkëpusin të paktën nga Shëngjini “dunën” e magjishme të rërës e njohur si Rana e Hedhun.
Për pjesën e Shëngjinit kjo duket të jetë pika më e rekomanduar për t’u vizituar sipas Google Review. Plazhi i qytetit kritikohet për shezlonet e shumtë, jo se tek Rana nuk ndodh diçka e tillë ama.
“Plazh ranor. Fatkeqësisht uji është shumë i errët dhe duket i ndotur. Këndshëm për t’u zhytur për një orë si ndalesë gjatë rrugës dhe kjo është e gjitha”, – komenton Nadia për Shëngjinin.
Një turist francez Val0u38 rekomandon që kush do të vizitojë këtë zonë për plazh të mos humbasë kohë në qytet.
“Ka shumë plazhe të tjera më të mira dhe jo shumë larg.
Ky plazh është plot me shezlonë shumë pranë njëri-tjetrit, e pamundur të qëndrosh në qetësi, ndaj nuk u vendosëm fare aty, shumë i ngarkuar për ne. Gjithashtu shumë e vështirë të parkosh” komenton ai.
Por krejt ndryshe nga plazhi i qytetit i njëjti vizitor komenton se Rana e Hedhun është mjaft interesante dhe mund të kalosh gjithë ditën aty.
“Ka një plazh shumë të bukur me rërë, shumë i madh, ideal për fëmijët sepse deti është i cekët dhe ka parkim falas kudo.
Ka disa bare, dhe morëm me qira shezlonë e çadër. Na pëlqeu shumë ky plazh, pasi është i qetë dhe larg turmave të plazhit të Shëngjinit, ku shezlonët janë ngjitur me njëri-tjetrin.
Ndodhet vetëm 5 km larg qytetit” shprehet ai. Një tjetër vizitor Christian Chelu vlerëson pozitivisht këtë pjesë e bregdetit shqiptar.
“Një dunë mahnitëse që bashkohet papritur me detin. Fatkeqësisht, vendasit hedhin mbeturina kudo dhe duket se nuk kanë asnjë problem të rrinë të rrethuar nga plehrat në plazh”, – shprehet ai.
Duke parë kantieret e ndërtimit që kanë zënë vend kudo nëpër bregdet duket se edhe në pjesën e Ranës së Hedhur ekziston frika se mund të nisë të ndërtohet.
“Plazh publik, i gjithi për vete shpresoj të mos fillojnë së shpejti të ndërtojnë resorte. Megjithatë, rëra ishte pak e pistë, me shumë mbeturina të hedhura”, nënvizon një tjetër pushues.
Velipoja më pak e promovuar, por vlerësime pozitive
Plazhi i Velipojës mbetet ndoshta ndër më pak të promovuarit por vlerësimet në Google Review edhe pse të pakta e cilësojnë atë të një niveli 4.5 nga 5.
Ky është një rezultat mjaft i mirë në raport me gjithë plazhet e vendit por kjo më së shumti lidhet me faktin që vizitorët që hyjnë online për të bërë një vlerësim janë ende në numër të kufizuar.
Gjithsesi komentet pozitive të Velipojës nuk mungojnë dhe lidhen më së shumti me ngarkesën më të paktë që ka rajoni me turistë, çmimet ekonomike ku mund të gjesh shezlone mes 500-1000 lekë apo ushqimit me çmim të lirë që mund të hash në restorante.
Emil Haas komenton se plazhi është me rërë, i pastër dhe i qetë ndërsa Shams Haque që shoqëron komentin e tij me foto të plazhit dhe ushqimit shprehet se ky është një plazh i mrekullueshëm për të kaluar pushimet.
Rritja e çmimeve në struktura akomoduese në Durrës dhe në Jugun e vendit kanë bërë që Velipoja dhe Shëngjini të jenë kryesisht destinacone edhe më të përqendruara se më parë për shqiptarët e Kosovës./MONITOR