Mashtrimi me fondet e IPARD II për bujqësinë, për të cilat Shqipëria do të duhet të rikuperojë edhe 73 parregullsi dhe për të cilat vendit i është pezulluar pa afat mbështetja e mëtejshme financiare, ka detyruar autoritetet të marrin masa, duke përfshirë përcaktime specifike edhe në Kodin Penal.
Kështu, mbrojtja e interesave financiare të Bashkimit Evropian tashmë do të gjejë vend edhe në një dispozitë të posaçme që rregullon evazionin financiar në draftin e propozuar të Kodit Penal.
Dispozita synon të adresojë forma të ndryshme të mashtrimit financiar, që nga përdorimi i dokumenteve të rreme e deri te keqpërdorimi i fondeve, kur ato kanë si efekt dëmtimin e burimeve buxhetore të BE-së. Për secilën vepër penale në kuadër të evazionit tatimor dhe financiar, kur kjo kryhet ndaj fondeve të BE-së parashikohet shtesë dënimi deri në një të tretën.
Më konkretisht, parashikohen si vepër penale në lidhje me shpenzimet që nuk kanë të bëjnë me prokurimin, çdo veprim ose mosveprim që përfshin përdorimin ose paraqitja e deklaratave ose dokumenteve të rreme, të pasakta ose jo të plota, që ka si efekt shpërdorimi ose mbajtja e gabuar e fondeve ose aseteve nga buxheti i BE ose buxhetet e menaxhuara nga ose në emër të tij; po kështu edhe moszbulimi i informacionit në kundërshtim me një detyrim specifik, me të njëjtin efekt; ose keqpërdorimi i këtyre fondeve ose aseteve për qëllime të ndryshme nga ato për të cilat ato janë dhënë fillimisht.
Po kështu, e njëjta mënyrë përbën vepër penale sa u përket shpenzimeve që lidhen me prokurimin për përfitime të paligjshme.
Vepra penale me burimet e TVSH-së
Po kështu, dispozita parashikon në lidhje me të ardhurat që rrjedhin nga burimet e veta të TVSH-së çdo veprim ose mosveprim që lidhet me: përdorimin ose paraqitjen e deklaratave ose dokumenteve të rreme, të pasakta ose të paplota, që ka si efekt zvogëlimin e paligjshëm të burimeve të buxhetit të BE ose buxheteve të menaxhuara nga ose në emër të tij; moszbulimin e informacionit në kundërshtim me një detyrim specifik, me të njëjtin efekt; ose aplikimi i gabuar i një përfitimi të përfituar ligjërisht, me të njëjtin efekt;
Po kështu përbëjnë vepër penale skemat mashtruese ndërkufitare në lidhje me përdorimin ose paraqitja e deklaratave ose dokumenteve të rreme, të pasakta ose jo të plota në lidhje me TVSH-në, që ka si efekt pakësimin e burimeve të buxhetit të BE; moszbulimi i informacionit të lidhur me TVSH-në në kundërshtim me një detyrim specifik, me të njëjtin efekt; ose paraqitjen e deklaratave të sakta në lidhje me TVSH-në për qëllime të maskimit me mashtrim të mospagesës ose krijimit të gabuar të të drejtave për rimbursimin e TVSH-së.
Nëse evazioni serioz kryhet në çdonjerën nga format e parashikuara në këtë dispozitë, duke përdorur një shtet tjetër për të fshehur tatimin, që sjell si efekt cënimin e financave të BE, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet, parashikohet në draft.
Kryerja e veprës nga personi juridik
Për të gjitha veprat penale që lidhen me evazionin tatimor, përfshirë cenimin e interesave financiare të BE-së, Kodi i ri penal parashikon se nëse ato kryhen nga personat juridikë dënimi me gjobë do të jetë mbi pesëfishin e vlerës së evazionit serioz fiskal; deri në pesëfishin e vlerës së evazionit për çdo vepër tjetër të parashikuar në kreun për evazionin tatimor, si dhe nga dyfishi deri në trefishin e vlerës së evazionit të tentuar për t’u kryer;
Po kështu, në rastet veçanërisht të rënda, kur pasojat nga evazioni tatimor janë të larta, të përsëritura, të kryera me pjesëmarrjen e profesionistëve të veprimtarisë apo të subjekteve të krimit të organizuar, kur lidhjet e evazionit me territoret që kanë vështirësuar apo pamundësuar marrjen e informacionit të duhur tatimor me gjithë kërkesat e Autoritetit Tatimor, gjykata vendos mbylljen e veprimtarisë së personit juridik.
Ndërsa për veprat penale të lehta, kur çmohet e arsyeshme dhe në përputhje me natyrën e veprës penale të kryer, gjykata mund të vendosë ndaj personit juridik dhënien e jo më pak sesa dy dënimeve plotësuese në vend të dënimit kryesor, si: caktimin e një mbikëqyrësi ligjor, detyrimin që brenda tre muajve të marrë masat e përshtatshme organizative për të mos lejuar kryerjen e veprave penale, të mos marrë ndihmë nga shteti apo të mos hyjë në marrëdhënie me sektorin publik si dhe publikimin e vendimit gjyqësor. /ekofin.al