Qeveria ka miratuar një vendim të rëndësishëm për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, i cili synon mbështetjen financiare të familjeve në nevojë dhe garantimin e shërbimeve bazë të furnizimit me ujë të pijshëm. Udhëzimi i ri përcakton metodologjinë për shpërndarjen dhe përdorimin e subvencioneve shtetërore për ofruesit e këtyre shërbimeve për vitin buxhetor 2025.
Në fokus të këtij vendimi është sigurimi i kompensimit të plotë për konsumin bazë të ujit për kategoritë vulnerabël. Subvencionet do të shpërndahen nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe do të mbulojnë vlerën 100% të konsumit deri në 5 metër kub ujë në muaj për çdo kontratë familjare në nevojë, sipas përkufizimeve të ligjit për asistencën sociale.
Kompensimi përfshin gjithashtu tarifën fikse, si dhe tarifat për kanalizimet dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Reduktimi i faturës do të aplikohet automatikisht nga shoqëritë ujësjellës-kanalizime përmes sistemit të faturimit mujor. Ky subvencion jepet vetëm një herë për çdo familje, pavarësisht nëse përmban më shumë se një anëtar që i përket kategorive të përfituese.
Për të përfituar nga fondi, shoqëritë rajonale apo lokale të ujësjellësit duhet të kenë nënshkruar kontratën e performancës me AKUK-në. Ato që nuk e kanë bërë ende këtë, nuk do të rimbursohen për zbritjet e aplikuara, dhe do ta përballojnë kostot nga burimet e veta deri në momentin e nënshkrimit të kontratës.
Në rastet kur mbetet fond i pa shfrytëzuar, ai mund të përdoret për të mbuluar kostot e energjisë elektrike nga ato shoqëri që operojnë mbi 75% të prodhimit të ujit me ngritje mekanike, një faktor ky që rëndon ndjeshëm në buxhetet e tyre.
Lista e përfituesve do t’u përcillet çdo muaj shoqërive UK nga njësitë e qeverisjes vendore përmes kanaleve elektronike dhe Regjistrit Kombëtar, ndërsa AKUK do të mbikëqyrë nga afër zbatimin e vendimit përmes strukturave të saj kontrolluese.
Ky vendim është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për modernizimin e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, në kuadër të marrëveshjes me Bankën Botërore dhe në përputhje me objektivat e Strategjisë Kombëtare të këtij sektori, duke garantuar një qasje më të drejtë dhe të qëndrueshme ndaj shërbimeve bazë për qytetarët.