HomeRajoniProtesta kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë: Po u bëhet padrejtësi luftëtarëve të...

Protesta kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë: Po u bëhet padrejtësi luftëtarëve të UÇK-së

Ka nisur protesta në Prishtinë, e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL) kundër vendimeve të Gjykatës Speciale ndaj ish-komandantëve të UÇK-së. Një numër i madh i qytetarëve po vazhdojnë t’i bashkohen protestës së thirrur në sheshet e Prishtinës.

“Jemi mbledhur për drejtësi, kundër padrejtësisë”, janë fjalët me të cilat nisi kjo protestë.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, gjatë fjalës së tij, u shpreh se Gjykata Speciale është anti-UÇK dhe po deformon historinë.

“Kjo Gjykatë ne e dimë se është një Gjykatë e njëanshme, kundër anti-UÇK, një Gjykatë anti-shtetit të Kosovës”. Ai shton: “Gjykata Speciale po deformon historinë tonë, nën petkun e drejtësisë së cilën e ka përdhosur kjo Gjykatë, po bën padrejtësi ndaj atyre që u ngritën për liri, dinjitet dhe ekzistencë njerëzore. Luftëtarët e UÇK-së ishin përgjigja legjitime e popullit tonë, të shtypur kundër një regjimi kriminal, siç ishte Serbia në krye me Millosheviçin”.

Në protestë ishte e pranishme edhe bashkëshortja e Jakup Krasniqit, i cili po gjykohet aktualisht në Hagë. Bashkëshortja e Krasniqit tha se Gjykata Speciale nuk duhet të shpallë aktgjykim dënues në emër të popullit.

“Jam shumë e emocionuar, gjykata duhet ta ketë parasysh që aktgjykimin dënues nuk duhet ta marrë ne emër të popullit, ky është emri i popullit, ne presim që ata të lirohen shumë shpejt. Është dashur edhe më herët të organizoheshin protesta dhe nuk duhet të ndalen deri në gjykimin përfundimtar”, ka thënë ajo.

Në protestë mori pjesë edhe ish-hetuesja e Gjykatës së Hagës, Nevenka Tromp. Ajo deklaroi se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar” dhe theksoi se selektiviteti në zbatimin e ligjit dëmton besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë.

Tromp kritikoi ashpër vonesat në proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke përmendur se ata ndodhen prej pesë vitesh në paraburgim pa një vendim përfundimtar. Ajo paralajmëroi se është e rrezikshme “kur drejtësia vihet në funksion të narrativave politike” dhe kujtoi se vetë udhëheqësit që sot gjykohen ishin ata që mbështetën krijimin e Dhomave të Specializuara, duke besuar në një proces të drejtë dhe të shpejtë, besim që, sipas saj, tashmë është thyer.

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj nisi të këndonte para kamerës këngën për heroin Adem Jasharin. Më pas ajo u shpreh: “Unë jam me fat që s’e kam votuar Gjykatën Speciale. Është vendimi më i mençur që kam bërë në historinë parlamentare”.

Ndërkohë Faik Shehu, nënkryetar i OVL-UÇK dega në Has deklaroi: “Gjykata e cila është themelu mbi bazën e drejtësisë, është duke ba padrejtësi ndaj popullit që është persektu nga Serbia”.

Në protestë foli dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe ish-deputetja, Vasfije Krasniqi. Ajo tha para kamerave: “Sot kam dalë këtu për t’i mbrojtur vlerat tona kolektive. Është pak me vonesë, por shpresoj që të jetë protestë e fortë për t’i mbështetur vlerat tona të UÇK-së”.

Me moton “Kundër padrejtësisë”, organizatorët thanë se synojnë të tërheqin vëmendjen për mbajtjen e komandantëve të luftës, në Hagë.

Pak më herët, kryetari i OVL-së, Hysni Gucati, në një lidhje live me Klan News tregoi se çfarë mesazhi do të jepet gjatë protestës.

“Mesazhi do jetë shumë i qartë. Ne do t’i drejtohemi Gjykatës Speciale, e cila është një gjykatë e padrejtë, e cila është duke punuar dhe vepruar shumë padrejtësisht ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Mesazhin më të mirë do e dërgojnë qytetarët e Kosovës. Ai do të jetë mesazhi më i mirë”, tha ai.

Kujtojmë se ish-drejtuesit e UÇK-së, mes të cilëve edhe ish-presidenti Hashim Thaçi gjenden në paraburgim në Hagë prej vitit 2020 të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular