Nga Laureta Petoshati
Nuk ka shumë kohë që ka dalë për publikun romani “Duartrokitësit” e shkrimtarit, gazetarit dhe skenaristit Bashkim Hoxha, i cili është autor i romaneve të suksesshme si “Heronjtë e viagrës”, “Një ditë si Skënderbeu”, “Gruaja e shiut” dhe “Kronikat e mjegullës”. Romani, brenda të cilit ngjarjet zhvillohen në një hark prej pothuajse gjashtë muaj ka në thelb lirinë e individit në shoqërinë e sotme. Në të, brenda rrëfimeve, dialogjeve, monologjeve dhe përsiatjeve të brendëshme të personazheve autori lë të kuptohet se kriza politike shqiptare e ditëve të sotme ka shumë shkaqe komplekse, por pikesëpari vjen si pasojë e mos-shkëputjes tërësore nga mendësia totalitare, ku udhëheqësi, apo partia në pushtet, janë në qendër të gjithçkaje, sikur të jenë në qendër të universit. Ata që mbajnë në këmbë diktaturën dhe zvogëlimin e lirisë janë duartrokitësit, që i japin oksigjen udhëheqësve të sotëm, duke i duartrokitur me intensitete të ndryshme sipas drejtuesit të duartrokitësve. Duartrokitësit lindin nga nevoja, pra nga varfëria ekonomike, e cila bëhet shkak i një rrënimi shpirtëror, për të mos thënë dhe krimi, sepse gënjeshtra, e cila e bën të bardhën të zezë dhe anasjelltas, me duartrokitje i zgjat jetën arbitraritetit dhe mungesës së demokracisë. Por duartrokitësit lindin dhe nga indokrinimi që u errëson sytë dhe nuk shohin qartësisht botën me ngjyart e vërteta të saj. Të dy këta lloj duartrokitësish janë dhe dy personazhet kryesore të këtij romani: Klajdi dhe Jona.
Romani është tablo e shoqërisë së sotme dhe e mendësisë së saj. Fakte të vërteta të bëra bashkë me ato të imagjinuara nga autori Bashkim Hoxha, të shkruara me një zhdërvjelltësi dhe pikësynim për të dhënë një mesazh të qartë mbi lirinë si domosdoshmëri për zhvillimet demokratike, janë mjaft të dobishme për denoncimin që i bën autori fenomenit të përbotshëm të duartrokitësve. Edhe pse romani është mjaft shprehës dhe modern, sepse trajton një temë universale, prapëseprapë, me një përmbajtje mjaft të matur dhe me ngjarje e vende autentike shqiptare si Amfiteatri i Durësit, Kukësi, Tirana, ai tregon hartën ku zhvillohen ngjarjet në mënyrë të drejpërdrejtë. Ky roman, ku forma është në përputhje me përmbajtjen, të krijon në mendje një dramë: atë të shoqërive të sotme populiste. Por duartrokitësit nuk kanë lindur sot.
Fenomeni i duartrokitësve është i dokumentuar që nga koha e Neronit në Romën e lashtë. Të sotmen me të shkuarën e lashtë i risjell në mendje dhe i bashkon roli i skllavit poet në pranga te poema simfonike e titulluar “Prangat e një skllavi” të luajtur nga Klajdi. Aty prangat ishin një imitim i stërmadhuar i atyre në muzeumin arkeologjik të Durrësit, ku skllavin e kanë gjetur të varrosur bashkë me to. Stadiumi, shkallaret, britmat, prangat dhe duartrokitjet janë mjete që krijojnë disa reminishenca mbi jetën e familjes së personazhit kryesor, Klajdit, por dhe rreth ngjarjeve apo filmave me gladiatorë që atij i kanë treguar, apo ka parë. Por njëkohësisht, edhe pse autori Bashkim Hoxha nuk e përmend askund, këto pranga të skllavit poet, krijojnë te lexuesi shqiptar reminishencën me prangat e gjetura në duart e shkrimtares disidente shqiptare Musine Kokalari kur i transferuan eshtrat pranë njerëzve të saj. Në ato shkallare amfiteatri ishin duartrokitur skllevërit që luftonin me bisha dhe nuk ktheheshin më gjallë si te shprehja latine: “Avē Imperātor, moritūrī tē salūtant!”(Përshëndetje Perandor, ata që janë duke vdekur po të nderojnë me dorë). Madje Klajdi, sipas autorit Bashkim Hoxha ishte jo vetëm emri real i skllavit poet, por njëkohësisht dhe i personazhit Klajdi nga Durrësi, i cili kishte mbaruar Universitetin e Arteve në Tiranë për aktor dhe ishte ende i papunë. Puna që gjen hëpërhë ishte duartrokitës, sa të gjente një punë apo rol më të mirë që të mos ushqehej nga prindërit pensionistë dhe të mos ia jepte e ëma rrobaqepëse lekët për paketën e cigareve. Drama e tij shpirtërore dhe mërzitja shkojnë paralel: ai është i biri i një ish të burgosuri politik, që ka provuar burg për agjitacion e propagandë sipas nenit 55 se kishte bërë sarkazmë mbi regjimin ndërsa shkonte që të blinte qumësht herët në mëngjes për të birin e tij duke i thënë një të panjohuri, që e kishte denocuar, këto fjalë: “E ke dëgjuar atë shprehjen: më erdhi qumështi i nënës në majë të hundës? Tani duhet thënë ndryshe. Duhet thënë qumështi i babait. Ngrihemi që në tre të mëngjesit për ta siguruar.” Futja në burg me anë të një gjyqi ku pjesëmarrësit duartrokisnin për të atin ishte një dramë e madhe. Duket e qëllimshme nga ana e autorit Hoxha, vendosja e emrave latinë si në kohën e Perandorisë Romake: Klajdi e Jul, por dhe e babait që urrente skllavërinë e duartrokitjeve. Në latinisht “birit” i thuhet “liber – liberi” që do të thotë “i lirë”, sepse një njeri është me të vërtetë i lirë kur është bir i një babai dhe “qumështi i babait” vërtetë është vënë për sarkazën ndaj regjimit të dikurshëm, por dhe me qëllimin se babai të ushqen me ndjenjën e lirisë. Në këtë roman flitet se si duartrokitësit në rreshtat e studiove të mëdha televizive, ku gazetarët dhe politikanët në vend që të jenë në marrëdhënie të kundërta janë në të njëjtën linjë veprimi, brohorasin dhe miratojnë me duartrokitje deklaratat dhe fjalimet publike, që thonë në mënyrë të përllogaritur apo si tu shkrepet, por që mund të jenë të dëmshme për publikun. Se çfarë janë duartrokitësit për një studio televizive, apo për një politikan, e shpjegon vetë autori Bashkim Hoxha në gojën e trajnuesit të duartrokitësve: “Ne jemi ata që mbajmë në këmbë VIP-at në atë sakrificën tonë të heshtjes tretur në turmë. Ja pse ju krahasova më parë me shkrepësen. Ne ndezim zjarrin dhe vetë digjemi. Jemi çfarë ata duan të dëgjojnë. Jemi e vërteta dhe orientimi i publikut. Vlejmë shumë.” Por nuk janë vetëm këta lloj duartrokitësish. Janë dhe ata që mbështesin me rrjetet sociale komunikimin politik të kryeministrit dhe që sulmojnë ashpër me emra të rremë kundërshtarët politikë apo polemizuesit. Një nga këta është Jona, e cila ka disa llogari në rrjetet sociale me 12 emra të ndryshëm, qofshin të gjinisë femërore apo mashkullore. Ndryshe nga Klajdi, i cili ka vrarje ndërgjegjeje për punën që bën në kundërshtim me parimet që është rritur, Jona, përkundrazi, e bën me pasion këtë punë të partisë, për të cilën është ushqyer me një dashuri të pastër dhe pothuajse sublime. Ata njihen në një udhëtim, të ulur pranë njëri-tjetrit, për të shkuar drejt Kukësit, ku kryeministri do të bënte një përurim dhe do ti duheshin duartrokitësit.
Aty do të lindë shkëndija e tyre e dashurisë, vetëvetiu, pa kuptuar. Udhëtimi i tyre drejt Kukësit është si udhëtimi i brendshëm i një njeriu në ndërgjegjen e tij, nëse më vonë ata mund të bëhen shokë jete, pra gjysma e njëri-tjetrit. E plota e tyre është çdo familje shqiptare, apo shoqëria jonë e ndarë, por e bashkuar në diversitet, që kërcënohet herë pas here nga ajo që nuk është reale, por e stisur. Sipas romanit të Bashkim Hoxhës kemi dy Shqipëri: një të ekranit (të imagjinuar në 3D) dhe një reale. Gjendjet shpirtërore të këtyre dy personazheve kryesorë, por dhe të shumë duartrokitësve, flasin për një dimension të brendshëm të tyre që kushtëzon mundësitë dhe marrëdhëniet me vetëveten dhe të tjerët, por edhe tregojnë me intensitet të ndryshueshëm një përqasje psikologjike në përshkrimet që bën autori. Këtu mund të përmendim; marrëdhënia e Klajdit me të atin, e Julit me prindërit dhe Amandën, e Jonës me gjyshin, Klajdin, partinë, e djalit të ri që mban një T-shirt me ngjyrën mavi të Rilindjes me Klajdin dhe duartrokitësit e tjerë, etj.
Ankthi i Jonës nga zhgënjimi që pëson nga kupola e partisë dhe kryesisht nga kryeministri, që donin ta përdornin si femër shtrati për të huajt, që shkruanin relacione në organizatat ndërkombëtare, apo frikërat e Klajdit se nuk do të gjendte punë kurrë e mund të largohej nga atdheu, përzier nga gjendja e pafuqisë ndaj kupolës së sofistikuar shtetërore, aq sa Jona tenton të kryejë vetëvrasje, janë përshkruar me mjeshtëri nga autori Hoxha sikur këta të jenë personazhe kafkiane. Mbas shembjes së bindjeve, apo idealeve që ishin menduar të palëkundura nga Jona, kemi një ndërgjegje kritike përballë idhujve apo miteve të rremë, të ushqyera nga indokrinimi apo televizionet, si duartrokitës të tyre ku siç thotë autori : “Turma e entuziastëve herë-herë ngjan me një varrezë kolektive, ku arsyetimi i individëve ka vdekur”, apo kur vë në gojën e babait të Kljadit fjalët: “Një punë si ajo nuk të nderon. Ti duartroket varfërinë tënde. Është absurde ta mendosh një gjë të tillë.”
Libri është shkruar me një kulturë të madhe. Për të treguar kulturën e një brezi që punoi me vëtëmohim dhe nuk fitoi as një pension dinjitoz, autori fut te duartrokitësit një mësuese letërsie të dalë në pension, Violetën, e cila me dialogjet e saj i jep një shkallë të lartë komunikimi rrëfimit në këtë roman. Ajo është bërë duartrokitëse nga nevoja ekonomike, sepse pensioni nuk i del as për ilaçet, por dhe për të thyer vetminë. Libri është një rrëfim ku nuk mungon as ironia dhe sarkazma që shkojnë në rritje si te libri “Infinite Jest” (Shaka e Pambarimtë) e David Foster. Si fillimi dhe fundi i romanit kanë synim paradigmatik , sepse skenat me gladiatorë kanë për qëllim të tregojnë luftën e njeriut për lirinë dhe për jetën nën dritën e së vërtetës gjatë gjithë historisë njerëzore. Ky libër flet për shenjtërinë e lirisë dhe madhështinë e familjes, që me dashurinë e saj njerëzore rrit njerëz të denjë për shoqërinë.