Kryeministri Edi Rama ka publikuar një tjetër video këtë të martë, më 12 gusht, lidhur me aksionin që po zhvillohet në të gjithë vendin, nga veriu në jug, për lirimin e hapësirave publike.
Në videon e publikuar nga Rama në rrjetet sociale, tregohet një moment nga aksioni i forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ku po lirohet hapësira e trotuareve, e zënë nga disa biznese rresht me tavolina, karrige dhe objekte të tjera
“Çlirimi vazhdon”, shkruan kryeministri.
Deri më tani kujtojmë se portali i ri qeveritar “Hapësira ime Publike”, ka regjistruar mbi 3 mijë raste ankesash nga qytetarët, sa i përket lirimit të hapësirave publike, vetëm pak ditë pas prezantimit të aplikacionit nga kryeministri.
Ky aksion është pjesë e projektit kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon rikthimin e hapësirave publike në shërbim të qytetarëve dhe komuniteteve lokale, duke përmirësuar cilësinë e jetës urbane dhe vendosur rregull në shfrytëzimin e pronës publike. Fushata synon funksionalizimin dhe rregullimin e hapësirave publike në të gjithë vendin, duke mbrojtur interesin e përbashkët dhe duke garantuar respektin për ambientet e përbashkëta.