Deputeti i sapozgjedhur i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, ka dalë në një deklaratë për mediat këtë të martë, më 12 gusht, nga ku ka denoncuar abuzimet që sipas tij po bën Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Himçi thotë se qeveria socialiste ka rritur Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), duke e cilësuar atë një “grabitje të re ndaj qytetarëve”.
Në deklaratën për mediat, Himçi shton këto tarifa janë rritur deri më 70-80% të vlerës.
“Qeveria e Edi Ramës ka vendosur një tjetër goditje të rëndë për xhepat e shqiptarëve, duke rritur në mënyrë të paprecedentë tarifat e shërbimeve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Nga një analizë e detajuar e vendimit qeveritar, rezulton se tarifat janë rritur në masën 70–80%, për pothuajse çdo shërbim që ofron ASHK, duke prekur:
• Certifikatat e pronësisë;
• Regjistrimet e kontratave të shitjes, dhurimit apo shkëmbimit;
• Regjistrimin e hipotekave;
• Regjistrimin e lejeve të legalizimit;
• Kopjet e dokumentacionit.”, tha Himçi.
Ai shtoi se kjo rritje nuk është thjesht një shifër mbi letër, por është një barrë e papërballueshme për:
“Bizneset që kërkojnë shërbime hipotekimi; Individët që blejnë apo shesin pasuri të paluajtshme; Avokatët dhe noterët që pajisen me kopje dokumentacioni; Mbi të gjitha, banorët e fshatit, të cilët detyrohen të paguajnë tarifa të fryra për çdo parcelë veçmas, duke shumëfishuar kostot për një familje bujqësore.”
Në vend që të ofrojë përmirësim të shërbimeve, sipas Himçit, ASHK po vepron në të kundërtën, duke rritur çmimet pa asnjë transparencë apo analizë ekonomike. Ai akuzoi qeverinë se nuk po afron zyrat e kadastrës në zonat rurale, por po detyron qytetarët të udhëtojnë, të presin me muaj dhe të përballen me zvarritje të panevojshme.
“Në vend që të përmirësojë shërbimin, qeveria rrit çmimin. Në vend që të afrojë zyrat e kadastrës në zonat rurale, qeveria i detyron qytetarët të udhëtojnë, të presin me muaj, e të përballen me zvarritje e burokraci të pafund. Në vend që të analizojë performancën e specialistëve të ASHK-së dhe të ndëshkojë paaftësinë e militantizmin, qeveria ka zgjedhur të grabisë qytetarët përmes tarifave të rritura. E gjitha kjo bëhet pa asnjë transparencë, pa studim ekonomik, pa një analizë financiare të kosto përfitimit, dhe në kundërshtim me parimet e shtetit ligjor. Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të tërheqë menjëherë këtë vendim arbitrar, të anulojë rritjen e tarifave dhe të kthejë paratë e mbledhura padrejtësisht.”, shtoi Himçi i cili do t’i bashkohet Kuvendit në muajin shtator.