HomePolitikeShqipëria kthehet nga Inteligjenca Artificiale për t’u bashkuar me BE-në, hedh për...

Shqipëria kthehet nga Inteligjenca Artificiale për t’u bashkuar me BE-në, hedh për konsultim publik Strategjinë Kombëtare 2025-2030

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Qeveria shqiptare ka bërë një hap të rëndësishëm drejt transformimit digjital, duke hedhur të enjten për konsultim publik projektvendimin “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Inteligjencës Artificiale të Shqipërisë 2025–2030 dhe të Planit të Veprimit”.

Ky dokument, i propozuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), synon të shndërrojë Inteligjencën Artificiale (IA) në një motor thelbësor për rritjen ekonomike, inovacionin dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Ndërsa pjesa tjetër e Evropës debaton për sigurinë dhe etikën e IA-së, Shqipëria duket se po e shfrytëzon atë si një mjet strategjik për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Vizioni i qeverisë, një shoqëri e drejtuar nga Inteligjenca Artificiale

Strategjia përcakton një vizion ambicioz: deri në vitin 2030, Shqipëria synon të jetë një shoqëri e fuqizuar digjitalisht, ku IA do të luajë një rol kyç në rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin e sektorëve strategjikë si shëndetësia, arsimi, bujqësia, transporti, energjia dhe turizmi.

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë shtypi në korrik, e ka çuar më tej këtë ide, duke sugjeruar se IA mund të shërbejë si një mjet për të zhdukur korrupsionin dhe për të rritur transparencën. Ai madje përmendi mundësinë e krijimit të një ministrie të drejtuar tërësisht nga inteligjenca artificiale.

“Në këtë mënyrë, nuk do të kishte nepotizëm apo konflikte interesi”, tha Rama, duke shtuar se ky veprim mund ta bëjë Shqipërinë vendin e parë që do të ketë një qeveri të drejtuar nga IA.

Objektivat kryesore dhe harmonizimi me BE-në

Dokumenti i ri strategjik, shkruan rtsh.al, është hartuar në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe synon një harmonizim të plotë me Aktin për Inteligjencën Artificiale të Bashkimit Evropian (EU AI Act). Ky përafrim ligjor konsiderohet thelbësor për procesin e integrimit evropian të vendit.

Ndër politikat dhe objektivat kryesore të përcaktuara në strategji janë krijimi i një kuadri rregullator të harmonizuar me standardet e BE-së; zhvillimi i infrastrukturës së qëndrueshme digjitale dhe të dhënave; forcimi i kapaciteteve kërkimore dhe inovative, si dhe i fuqisë punëtore; nxitja e ekosistemit të inovacionit dhe partneritetit publik-privat; garantimi i përdorimit etik, transparent dhe të besueshëm të IA-së.

Adresimi i sfidave dhe efektet e pritshme

Strategjia synon të adresojë disa nga problematikat kryesore me të cilat përballet vendi, duke përfshirë mungesën e një kuadri të plotë rregullator, kapacitetet e kufizuara teknike dhe hendekun digjital midis zonave urbane dhe rurale.

“Efektet e pritshme të zbatimit të këtij plani janë të shumta si përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike përmes automatizimit; rritja e transparencës dhe besimit të qytetarëve te institucionet; zhvillimi i tregut kombëtar të teknologjisë dhe tërheqja e investimeve; nxitja e inovacionit dhe kërkimit shkencor; përafrimi me standardet e BE-së, duke përshpejtuar integrimin evropian”, thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Inteligjencës Artificiale të Shqipërisë 2025–2030 dhe të Planit të Veprimit”.

Përdorimi aktual dhe planet e strategjisë

IA-ja është tashmë në përdorim në administratën publike shqiptare për të menaxhuar prokurimet publike, për të analizuar transaksionet tatimore dhe doganore, si dhe për të monitoruar territorin me dronë dhe sisteme satelitore. Ka gjithashtu plane për ta përdorur IA-në në kujdesin shëndetësor, arsim dhe sigurinë rrugore, duke synuar të ulen aksidentet fatale.

Strategjia Kombëtare e IA-së identifikon disa problematika kryesore që duhen adresuar:

Mungesa e kuadrit të plotë rregullator dhe institucional.

Kapacitete të kufizuara teknike dhe burimore.

Rreziqe etike dhe ligjore, si diskriminimi algoritmik.

Hendeku digjital mes zonave urbane dhe rurale.

Dokumenti ofron një plan të detajuar veprimi që ndahet në faza afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Zbatimi do të drejtohet nga AKSHI në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë, Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) dhe Ministrinë e Financave, me mbështetje financiare nga buxheti i shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë.

Përparësitë e dokumentit

  • Pozicionimin strategjik të Shqipërisë në procesin e transformimit digjital dhe inovacionit teknologjik, duke shfrytëzuar potencialin e IA-së për të përmirësuar shërbimet publike, konkurrueshmërinë e biznesit dhe cilësinë e jetës;
  • Harmonizimin me politikat dhe legjislacionin e BE-së, veçanërisht EU AI Act, duke siguruar një qasje të unifikuar për standardet e sigurisë, etikës dhe transparencës në përdorimin e IA-së;
  • Mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe punësimit përmes krijimit të tregjeve të reja, inovacionit në ndërmarrjet ekzistuese dhe nxitjes së startupe-ve teknologjike;
  • Zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, përmes programeve të edukimit dhe trajnimit në aftësi të avancuara digjitale dhe të IA-së, duke përfshirë bashkëpunimin mes sektorit akademik, privat dhe institucioneve publike.

Problematikat kryesore që Strategjia synon të adresojë

  • Mungesën e kuadrit të plotë rregullator dhe institucional për përdorimin e IA-së në Shqipëri;
  • Kapacitete të kufizuara teknike dhe burimore në institucionet publike dhe private për të zhvilluar dhe zbatuar zgjidhje të IA-së;
  • Përhapjen e ulët të kulturës digjitale dhe njohurive mbi IA-në në shoqëri, e cila kufizon përdorimin e saj të sigurt dhe të dobishëm;
  • Rreziqet etike dhe ligjore, përfshirë përdorimin e padrejtë, diskriminimin algoritmik dhe shkeljen e privatësisë së të dhënave;
  • Hendekun mes zonave urbane dhe rurale në qasjen dhe përdorimin e teknologjive të avancuara.

Efektet e pritshme të zbatimit të Strategjisë

  • Përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike përmes automatizimit dhe personalizimit të proceseve;
  • Rritjen e transparencës dhe besimit të qytetarëve ndaj institucioneve publike;
  • Zhvillimin e tregut kombëtar të teknologjisë dhe tërheqjen e investimeve vendase dhe të huaja;
  • Nxitjen e inovacionit dhe kërkimit shkencor në fusha të ndryshme, duke përfshirë shëndetësinë, arsimin, energjinë, bujqësinë dhe sigurinë publike;
  • Përafrimin me standardet dhe praktikat më të mira të BE-së, duke kontribuar drejtpërdrejt në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Përmbushja e kritereve të përafrimit me Bashkimin Evropian

  • Sigurimin e mbrojtjes së të dhënave dhe të drejtave themelore, përmes harmonizimit të rregulloreve kombëtare me standardet evropiane për sistemet me rrezik të lartë;
  • Zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe mekanizmave të mbikëqyrjes, duke garantuar monitorim dhe raportim efektiv të përdorimit të IA-së në sektorin publik dhe privat;
  • Vendosjen e standardeve teknike dhe procedurave të certifikimitnë përputhje me kërkesat e EU AI Act, për të siguruar sigurinë, cilësinë dhe besueshmërinë e sistemeve të IA-së;
  • Mbështetjen e inovacionit dhe përdorimit efektiv të teknologjive IA, duke favorizuar implementimin e zgjidhjeve digjitale që avancojnë qeverisjen, shërbimet publike dhe zhvillimin ekonomik, në përputhje me objektivat e integrimit digjital evropian.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular