HomeEkonomiBSH: Tarifat dhe mjedisi i jashtëm sjellin paqartësi dhe ndikojnë edhe në...

BSH: Tarifat dhe mjedisi i jashtëm sjellin paqartësi dhe ndikojnë edhe në ekonominë shqiptare

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Mjedisi ekonomik ndërkombëtar mbetet i brishtë, i ndikuar nga konfliktet gjeopolitike dhe paqartësia mbi politikat tregtare. Megjithëse tarifat tregtare pritet të jenë më të ulëta se parashikimet fillestare dhe tregjet financiare kanë treguar njëfarë stabiliteti, rritja globale parashikohet të ngadalësohet. Ekonomia evropiane, sipas të dhënave të fundit, u rrit me 1.3% në tremujorin e parë të vitit 2025, ndërsa inflacioni ra në 2% në tremujorin e dytë, i ndikuar nga çmimet e ulëta të energjisë dhe mbiçmimi i euros ndaj dollarit. Banka Qendrore Evropiane uli dy herë normën e depozitës njëditore, duke e çuar në 2%, dhe e mbajti të pandryshuar në mbledhjen e fundit.

Këto janë disa nga konstatimet e Bankës së Shqipërisë në raportin më të fundit të politikës monetare.

Në këtë sfond, ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri gjatë gjysmës së parë të vitit. Inflacioni ka shënuar një rritje të lehtë, në 2.3% në tremujorin e dytë, kryesisht nga çmimet e ushqimeve dhe qirave, ndërsa inflacioni afatgjatë mbetet nën objektivin prej 3%. Aktiviteti ekonomik u zgjerua me 3.4% në tremujorin e parë, i mbështetur nga konsumi privat e publik, investimet dhe eksportet. Rritja u mbështet kryesisht nga sektori i shërbimeve, ndërsa ndërtimi dha një kontribut më të vogël dhe industria e bujqësia mbetën më të dobëta.

Tregu i punës ka ruajtur stabilitetin: punësimi në sektorin privat jobujqësor është rritur, papunësia ka rënë në 8.7% dhe pagat janë rritur me 9.6%. Kushtet financiare kanë mbetur të favorshme, me norma interesi të ulëta dhe gatishmëri të lartë të bankave për kreditim. Kredia për sektorin privat u rrit me 15.4% në tremujorin e dytë, duke u mbështetur veçanërisht nga kreditimi i familjeve.

Banka e Shqipërisë parashikon që ekonomia të vijojë të rritet pranë potencialit në afatin e mesëm, ndërsa inflacioni të arrijë objektivin prej 3% në fillim të vitit 2026. Rritja pritet të mbështetet nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe eksporteve, me turizmin që do të vijojë të japë kontribut pozitiv, edhe pse me ritme më të moderuara.

Këshilli Mbikëqyrës vendosi ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%, duke gjykuar se kushtet financiare janë të përshtatshme për rikthimin e inflacionit në objektiv. Megjithatë, Banka e Shqipërisë paralajmëron se mjedisi i jashtëm mbetet kompleks dhe se politikat monetare do të përshtaten në varësi të informacionit të ri dhe zhvillimeve ekonomike. /ekofin.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular