Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka ndarë një mesazh lidhur me situatën e zjarrëve në vendin tonë, të cilat shënuan momente tmerri për shumë banorë në zona të ndryshme.
Unioni evropian në Shqipëri, ka ndarë mesazhin e Gonzatos përmes një postimi në rrjete sociale, duke e shoqëruar dhe me pamje të trishta nga momentet e flakëve.
Gonzato u shpreh falenderues ndaj të gjitha forcave në vend që kanë punuar për rastet emergjente. Po kështu, ai ambasadori u shpreh krenar se si BE-ja ka treguar solidaritet ndaj Shqipërisë në këto momente të vështirë, duke marrë për bazë ndihmat e dhëna nga ndërkombëtarët për shuarjen e flakëve.
“Është e trishtë të shohësh kaq shumë pemë, shtëpi dhe fshatra të tërë nën kërcënimin e zjarreve në Shqipëri.
Një falënderim i madh shkon për zjarrfikësit dhe të gjithë ata që po punojnë pa u lodhur për të përballuar këtë emergjencë.
Jam gjithashtu krenar të shoh Bashkimin Evropian dhe Shtetet Anëtare të saj duke treguar solidaritet në këtë moment të vështirë.
Kjo është gjithashtu një kujtesë se duhet ta trajtojmë natyrën me kujdes dhe të veprojmë me përgjegjësi për ta mbrojtur dhe ruajtur atë,” Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Sakaq, situata në vend duket se është stabilizuar. Në një njoftim të fundit nga Ministria e Mbrojtjes, në të paktën 24 orët e fundit janë shënuar 57 vatra zjarri, nga të cilat 29 janë aktive.
