HomeAktualitetBIRN: Lista e gjatë e pritjes për proteza ortopedike favorizon korrupsionin në...

BIRN: Lista e gjatë e pritjes për proteza ortopedike favorizon korrupsionin në spitale!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Mungesa kronike e protezave ortopedike në spitalet publike shqiptare detyron qindra pacientë që të paguajnë nën dorë ose t’i blejnë nga xhepi përmes një sistemi që favorizon korrupsionin.

Rreth 8 muaj më parë, Lumja, 65 vjeçe, iu drejtua Spitalit Universitar të Traumës për shkak të dhimbjeve në këmbë. Përgjigja që mori pas ekzaminimeve ishte tronditëse: ajo duhej të bënte operacion këmbën dhe të vendoste protezë.

Por përtej problemeve shëndetësore, pacientja u përball edhe me një faturë financiare.

“E pyeta mjekun sa shkon si operacion? Si operacion tha, është falas, por ti do blesh vetëm protezën,” tregon Lumja. “Sa kushton proteza, e pyeta? Më tha që proteza për këmbën që të duhet kushton 3,500 euro,” shtoi ajo.

Ndërsa kostoja e protezës ishte shumë e lartë, Lumja thotë se kërkoi një zgjidhje alternative për ta përfituar atë falas, por në sistemin shëndetësor publik, asaj i duhej të priste deri në 3 vjet. Në këto kushte, ajo i shtriu dorën fëmijëve për ndihmë dhe e bleu protezën sipas udhëzimeve të mjekut.

“Të çonte vetë doktori me recetën në dorë dhe e blinim në farmaci afër Spitalit Ushtarak, që shisnin vetëm proteza. E bleva protezën dhe e çova te doktori dhe më pas më bëri operacionin,” theksoi ajo.

Ky nuk është një rast i izoluar.

Sipas një raporti të publikuar në maj 2025 nga shoqata Together for Life, pacientët shpesh përballen me vonesa të gjata për marrjen e protezave falas, dhe në shumë raste, detyrohen t’i blejnë vetë pajisjet e nevojshme për ndërhyrje.

Alma Lahe, eksperte e shoqatës “Together for Life” thekson se mungesa e protezave dhe pritjet e gjata krijojnë hapësirë për korrupsion, ku përfitojnë vetëm ata që paguajnë nën dorë. Në ndjekjen e një rasti të një pacienteje nga Elbasani, shoqata kishte zbuluar se lista e pacientëve në pritje për një protezë ishte me qindra, ndërsa numri i protezave në dispozicion shumë herë më i vogël.

“Këto mungesa krijojnë kushte për ‘lulëzimin’ e korrupsionit në marrjen e shërbimeve. Përfiton ai që është i gatshëm të paguajë nën dorë. Ata që nuk kanë mundësi pagese, ose e marrin shërbimin me vonesë, ose nuk marrin shërbim duke rezultuar me përkeqësim të gjendjes shëndetësore,” theksoi Lahe.

Reduktim dhe pritje të gjata

Mungesa e protezave ortopedike është një problem i mbartur prej të paktën dy dekadash në sistemin shëndetësor shqiptar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i pacientëve që kanë përfituar proteza falas në 5 vitet e fundit është 1735 persona.

Në vitin 2016, Ministria e Shëndetësisë dhe kryeministri Edi Rama premtuan se do t’u kursenin pacientëve kronikë rreth 2 milionë dollarë në vit duke u ofruar protezat falas. Ministria premtoi asokohe se protezat falas do të ofroheshin në shërbimet ortopedike të disa spitaleve rajonale.

Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se ky shërbim është kufizuar aktualisht në katër spitale rajonale nga tetë spitale që ofrohej më parë, ndërkohë që pacientët përballen me pritje të gjata për t’i siguruar ato falas.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, protezat falas ofrohen tashmë në shërbimet e ortopedisë në spitalet rajonale të Durrësit, Elbasanit, spitalit Memorial në Fier si dhe Spitali Universitar i Traumës.

Ministria deklaroi gjithashtu se në rastet urgjente, pacientët i siguronin protezat falas për një periudhë 15-20 ditë, ndërsa për rastet e tjera, koha më e gjatë e pritjes është 12 muaj.

Të dhënat e ofruara më parë nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë një realitet tjetër. Sipas një përgjigje të mëparshme, në Spitalin e Traumës dhe në Spitalin Rajonal të Fierit, koha mesatare e pritjes shkonte 3 vite.

I pyetur në lidhje me kohën e pritjes së pacientëve për protezat ortopedike në Spitalin Universitar të Traumës, mjeku ortoped, Arben Zeneli theksoi se pritjet mund të jenë edhe më të gjata.

“Në dijeninë time ka probleme. Që të mbyllen rastet e planifikuara, deri tani, me ritmin aktual mund të duhen 5 vite,” tha Zeneli për BIRN.

Alma Lahe nga “Together for Life” fajëson buxhetimin e ulët për sistemin shëndetësor edhe për mungesën e protezave, çka sipas saj sjell shërbime jo cilësore, jo të qëndrueshme dhe me kosto për pacientët.

“Nevojitet ndërhyrje serioze shumëdimensionale: analizë më e mirë e situatës, rritje buxheti dhe menaxhim i mirë i tij, si dhe ngritja e një sistemi funksional monitorimi dhe kontrolli me qëllim që shërbimi të mbërrijë tek pacienti,” tha Lahe.

“Ata që kanë nevojë për proteza, duke ndjekur procedurat e duhura, duhet të përfitojnë brenda një afati të arsyeshëm dhe pa kosto shtesë,” përfundoi ajo./BIRN

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular