Giuseppe Raimondo Vittorio Baudo, i njohur për publikun me emrin Pippo, “zoti” i televizionit italian, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Me ndarjen e tij, mbyllet një kapitull i artë i ekranit në Itali, raportojnë mediat italiane.
Një figurë unike dhe e pakrahasueshme, Pippo Baudo ishte shumë më tepër se një prezantues: shoëman, autor, aktor, zbulues talentesh, artistësh, këngëtarësh e aktoreve të mëdha, ai mbetet simboli i përjetshëm i televizionit publik Italian, shkruan RAI.
Një jetë në skenë: nga Settevoci te Sanremo
I lindur më 7 qershor 1936 në Militello në Val di Catania, në shpatet e Etnës, Pippo Baudo pati një karrierë që zgjati gati 60 vjet në ekran. Emri i tij u lidh me programe të paharrueshme si:
• Canzonissima
• Domenica In
• Fantastico
• Varietà
• Luna Park
• Novecento
Por mbi të gjitha, Festivali i Sanremos mbeti “shtëpia” e tij artistike. Pippo e drejtoi atë 13 herë, një rekord absolut që askush nuk e ka thyer.
Pippo Baudo, emri i vërtetë Giuseppe Vittorio Raimondo Baudo, ishte një nga figurat më të mëdha të televizionit italian. Ai lindi më 7 qershor 1936 në Militello in Val di Catania dhe për gati 60 vjet, ishte një emër i pandarë nga ekranet italiane.
Në vitet ’70, kontribuoi në themelimin e televizionit lokal Antenna Sicilia, ndërsa në vitin 1987 kaloi për një periudhë të shkurtër në Mediaset, pas një përplasjeje me presidentin e RAI-t, Enrico Manca. Aty prezantoi emisionin “Festival”, por shumë shpejt u rikthye në RAI, ku vijoi sukseset me programe si “Gran Premio” dhe “Serata d’Onore”.
Gjatë karrierës së tij, Baudo prezantoi shumë emisione të njohura si “Novecento”, “Sabato Italiano”, dhe për vite me radhë “Domenica In”. Por mbi të gjitha, do të mbahet mend për rekordin e tij në Festivalin e Sanremos, të cilin e drejtoi 13 herë – më shumë se çdo prezantues tjetër, përfshirë edhe Mike Bongiorno.
Baudo ishte jo vetëm një prezantues i shkëlqyer, por edhe një zbulues talentesh dhe krijues programesh që lanë gjurmë në historinë e televizionit. Ai mbetet një figurë e pazëvendësueshme në kulturën italiane.