Uljen më të ndjeshme e ka përjetuar arsimi bazë. Rreth 7 mijë nxënës në arsimin 9-vjeçar dhe 2565 gjimnazistë më pak kishte në bankat e shkollës në 2025, krahasuar me vitin e kaluar.
“Nëse e intepretojmë automatikisht lidhet me impaktin se sa fëmijë kanë ardhur në jetë në 10 vjecarin e fundit dhe cili është largimi i popullsisë në këto zona, sepse ndryshon periferia me Tiranën. Fakti që kemi uljen më të madhe në arsimin 9-vjeçar, është ajo që lexon pikërisht pasojën pse ne nuk kemi më të paktën dy fëmijë për familje? Pra drejtpërdrejtë e lidhur me mungesën e politikave sociale mbështetëse dhe financiare për ciftet e reja. Ndërkohë presim kur vjen dita e shkollës e themi jemi pa fëmijë!”, tha Suela Kocibellinj-eksperte edukimi.
Rënia e regjistrimeve në shkolla më 2.6% përllogaritur më vitin e kaluar duke shkuar numri në total në gati 406 mijë, në vlerësimin e ekspertes së edukimit Suela Koçibellinj është rezultat i nënvlerësimit të shifrave të pakësimit të fëmijëve ndër kohë, duke pasur edhe mungesë të një strategjie të dedikuar mbi këtë fenomen.
“Të paktën këto shifra duhen marr në konsideratë për të ridimensionuar, riorganizuar politikat arsimore. Nuk është thjesht një shifër thjesht u reduktuan, apo alarmi që shumë mësues mund të ndiejnë që unë mund të iki nga puna… kjo mund të jetë ndikim i drejtpërdrejtë. Por nga ana tjetër për strategjinë duhen marr në konsideratë ku jemi e ku duam të shkojmë? Sepse po plaket shoqëria, sepse ke nevojë të prioritizosh se ku do zhvillosh arsimin, të parashikosh në 5 vjecarin e ardhshëm cili do jetë kontigjeni për të regjistruar në shkolla, për të parashikuar cila do të jetë nevoja e mësuesve që të duhen në treg, profilet më të kërkuara”.
Shqetësuese janë edhe masat e ndërmarra për bashkimin e shkollave 9 vjeçare me të mesme për shkak të rënies së numrit të nxënësve, duke shkaktuar mbyllje të institucioneve arsimore kryesisht në zona rurale…
“Mbyllja e një shkolle dhe e një qëndre shëndetësore është domethënie shumë e madhe për shuarjen e atij komuniteti”.