Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama rrëfen në një intervistë për revistën “Newsbomb.al” shumë të pathëna nga jeta familjare, por edhe një mendim të saj për reformat dhe intensitetin që ka filluar të punojë qeveria në fund të mandatit të tretë e në vigjilje të mandatit të katërt.
“Kam krijuar një distancë të sigurt higjienike nga pushteti…I kam rezistuar çdo përpjekjeje për të më konsideruar si paradhomë të zyrës së Edit dhe i kam bërë ballë çdo keqkuptimi kur njerëz të afërt a të panjohur, më janë adresuar si pëshpëritëse në veshin e tij”, shprehet Linda Rama.
Pak kohë më parë në një media gjermane kryeministri Edi Rama tha se opozitën e vërtetë e kishte në familje, duke nënkuptuar debatet me Lindën.
Por Linda Rama thotë se në familje nuk krijojnë dy jetë paralele, atë politike e atë familjare. Padyshim që gjërat fliten mes tyre, por Linda tregon se ajo kryen në familje ato detyra të çdo nëne e gruaje tjetër, që nga zgjimi i Zahos në mëngjes, e deri tek nxitimi për të mos kapur trafikun e rënduar të çuarjes së tij në shkollë.
Linda tregon në intervistë se prej 4 muajsh është bërë gjyshe për herë të dytë, pasi Rea, vajza e saj, ka sjellë në jetë një një vajzë, Rui. E tashmë familja e tyre është rritur shumë me gjithë fëmijët që vijnë vërdallë.
“Zaho, Avi dhe Rui janë tre zogj që, kur jemi së bashku, na mbështjellin me një larmi të hatashme zërash e tingujsh, të qarash e të qeshurash, zënkash, ngacmimesh e përqafimesh fëminore. Ndërsa momentet intime familjare secili i konsumon për veten, ndryshe nuk do të quheshin intime”, tregon Linda Rama.
Më tej, si eksperte e shoqërisë civile, Linda ka folur edhe për ndjesitë e përjetuara nga letra që një grup deputetësh të Partisë Demokratike dërguan në institucionet ndërkombëtare duke u kërkuar atyre ta përjashtonin nga punët studimore meqenëse ishte bashkëshortja e kryeministrit.
“Fillimisht mu duk një çudi e madhe që përfaqësimi më i lartë institucional opozitar, në vigjilje të fushatës elektorale, i kishte mbledhur të gjitha forcat dhe firmat e veta, për të më hequr nga puna mua. Jo Edin. Domethënë në atë moment parazgjedhor për opozitën pushteti për t’u luftuar nuk ishte Edi me të vetët, por isha unë dhe studimet e mia”, shprehet Linda.
Gjatë kësaj interviste, Linda Rama u është përgjigjur edhe shumë pyetjeve të tjera; për punën e saj, për familjen, për ritmin e vrullshëm të Rilindjes Urbane 2.0, për debatin mbi sistemin fiskal, për marrëdhëniet ndërkombëtare, sfidat dhe idhujt që e frymëzojnë.