Policia e Sarandës ka vënë në pranga dy vëllezër, të akuzuar si autorë të plagosjes së një nëne dhe djalit të saj pasditen e djeshme në lagjen nr. 4 të qytetit.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti për parkimin, kur vëllezërit Romeo dhe Fabion Laze, pronarë të një lavazhi, sulmuan me sende të forta nënë e bir, N. A. dhe E. A.
Përplasja ndodhi rreth orës 17:45 të së dielës, ku u përfshinë të paktën gjashtë persona. Viktimat u goditën me grushte, shkopinj dhe sende të forta, duke marrë plagë të rënda.
Të plagosurit u transportuan me autoambulancë drejt Spitalit të Sarandës, ku morën ndihmën e parë. Ata kishin goditje të shumta në kokë dhe trup, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Fillimisht policia shoqëroi katër persona, ndërsa pas hetimeve arrestoi në flagrancë dy prej tyre, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje në bashkëpunim”.
Vellezerit e arrestuar janë Romeo Laze, 45 vjeç dhe Fabion Laze, 39 vjeç.
E shkuara e dy vellezerve
Të dy rezultojnë persona me precedentë të shumtë penalë. Në maj 2011, vëllezërit Laze u akuzuan për plagosjen me sende të forta të dy vëllezërve Avdiu. Në tetor 2014, Fabion Laze u arrestua për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Në dhjetor 2015, Romeo Laze u arrestua për “dhunë në familje” dhe “dëmtime të tjera me dashje”, ndërsa në gusht 2021 u ndalua për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
Më herët, në shkurt 2025, Prokuroria e Sarandës sekuestroi dy pasuri, dy automjete dhe një biznes të Romeo Lazes. Ndërkohë, Fabion Laze rezulton me precedentë penalë në fushën e narkotikëve edhe jashtë shtetit.