Sipas një udhëzimi të ri, shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri do të duhet të miratojnë dhe paraqesin Planin e Biznesit çdo 5 vjet.
Udhëzimi i ri, është një ndryshim dhe shtesë në udhëzimin ekzistues, i cili miratonte treguesit dhe kriteret për subjektet e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve.
Me ndryshimin e ri, pika 12 e udhëzimit të mëparshëm, e cila i referohej “Miratimit të Planit të Biznesit 5-vjeçar”, është hequr. Në vend të saj, është shtuar një pikë e re, 3/1, e cila specifikon qartë se subjektet e ujësjellës-kanalizimeve “çdo 5 vjet duhet të miratojnë Planin e Biznesit”.
Për zbatimin e këtij udhëzimi janë ngarkuar Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe vetë shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve. Kjo masë synon të sigurojë një planifikim më të mirë dhe transparencë afatgjatë në menaxhimin e këtij shërbimi publik. /rtsh.al/