Stoku i detyrimeve të prapambetura nga ndërmarrjet e ujësjellës – kanalizimeve ndaj OSHEE Group vijoi rritjen edhe gjatë muajve të parë të vitit 2025.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave rezulton se deri në fund të majit 2205, ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve e kanë rritur borxhin në 33.3 miliardë lekë, nga 32.6 që rezultonte në fund të vitit 2024. Pjesa më e madhe e këtij borxhi janë kamatëvonesa.
Në përgjigje të këtij rezultati dhe për të zbutur situatën kritike, deri në Mars 2025 janë arritur marrëveshjet e transferimit të aktivitetit të shërbimeve UK dhe si rrjedhojë janë krijuar 14 shoqëri UK rajonale nga 15 të parashikuara sipas reformës.
Mbetet 1 bashki e cila ende nuk ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit për krijimin e shoqërisë rajonale dhe ajo është Tirana.
Ashtu si edhe në fund të vitit 2024, edhe në 3-mujorin e parë të vitit 2025, pesë ndërmarrje kanë pjesën më të madhe të detyrimeve (principal pa kamatëvonesa) ndaj OSHEE Group sh.a, me një detyrim prej 9.98 miliardë lekë, nga 9.93 miliardë në fund të vitit 2024;
Ashtu si edhe në vitin 2024 renditja e detyrimeve nuk ka ndryshuar, me UK Durrës që kryeson detyrimin me 5.67 miliardë lekë nga 5.62 mld që kishte në 2024; UK Fier detyrohet 0.84 milardë lekë nga 0.83 miliardë në 2024 dhe UK Shkodër 0.81 miliardë lekë nga 0.77 miliardë që kishte në 2024.
Detyrimet e UK Vlorë kanë pësuar një rënie të lehtë, nga 1.86 miliardë në 2024 në 1.79 në tremujorin e parë të 2025, ndërsa detyrimet e UK Patos kanë mbetur në njëjtat nivele si në fund të vitit 2024, përkatësisht 0.87 miliardë lekë. /ekofin.al
