HomeKultureAlbanologia rumune Oana Glasu vlerëson Ahmet Prençin dhe librin “Në emër të...

Albanologia rumune Oana Glasu vlerëson Ahmet Prençin dhe librin “Në emër të gjakut” dhe tregon historinë e saj të trishtë në ’97

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Nga Oana Glasu
E rilexova librin edhe një herë. Sepse më magjepsi në një mënyrë krejt të jashtëzakonshme. Sepse desha të shkund ankthin që më përfshin sa herë rikthehem, duke treguar, te pranvera shqiptare e vitit 1997 – kohë kur isha studente në Tiranë. Sepse, po, kam historinë time, ankthin tim që më ndjek ende, edhe sot, pas gati tridhjetë vitesh. Libri i Ahmetit më ktheu me gjithë shpirtin prapa në kohë, më ftoi përsëri të rikujtoj momente, por sidomos më bëri të ndjej mirënjohje e dashuri. Atë dashuri të thellë e pa kushte që kam për Shqipërinë dhe shqiptarët, dashuri që shumëkush nuk arrin ta kuptojë tek unë, pasi nuk gjen arsye të forta për të, duke ditur se unë jetova në Shqipëri në vitet më të rënda të ndryshimeve të saj. Sot e shoh veten si një e mbijetuar – të paktën e dy herëve vendimtare nga ato vite.

Në mars 1997 shpëtova falë një oficeri të Gardës së Republikës, fqinj me ne në kat, burrë nga Tropoja, që më mbrojti me trupin e tij duke më shtyrë nën shtrat, në dhomën e konviktit në Qytetin Studenti, që të mos bëhesha viktimë e një plumbi të humbur që theu dritaren. Qëllohej pa fre, në mënyrë kaotike, dhe rreziku im nuk ishte asgjë tjetër veçse rastësi tragjike. Oficeri nuk u mjaftua me kaq: mblodhi gjithë studentët rumunë, na futi në ARO-n e tij të vjetër të shërbimit dhe na çoi në ambasadë.

Një vit më vonë, duke u kthyer nga pushimet e dimrit, në Sofje ndihmuam me para një shqiptar që nuk kishte biletë. Ishim dy studente rumune, vetëm. Por ai që ndihmuam u kthye në tradhtar: në Maqedoni kërkoi të na shiste tek disa shqiptarë nga Kumanova, sapo liruar nga burgu për trafik prostitucioni. Por, si për çudi, gjuha ime shqipe dhe njohuritë për Shqipërinë e historinë e saj u bënë përshtypje aq të madhe, sa ata burra, në vend që të na rrezikonin, u kthyen në mbrojtësit tanë. Zgjuan nga gjumi një taksist dhe e urdhëruan të na çonte në Bllatë. Ai priste të paguhej nga shqiptari që ne kishim ndihmuar. Gjatë rrugës, taksisti na rrëfeu hapur se kishte ndërmend të na shiste vetë, si kompensim për borxhin.

Më në fund mbërritëm në pikën kufitare. Policët u habitën – dy rumune me vizë shqiptare, kalim i rregullt në kufi, gjë e rrallë. Në një lokal aty pranë, të zotët na ofruan pilaf. Në tavolinën ngjitur një djalë i ri, që bëri çmos të hynte në bisedë vetëm për të më thënë: “Ikni menjëherë drejt Tiranës, përndryshe do të shiteni.” U ofrua të na çonte vetë. Dhe unë e ndjeva se mund t’i besoja. Nuk gabova. Ishte një djalë nga Dibra, njeri me nder e shpirt.

U nisëm natën vonë për Tiranë. Ai na paralajmëroi me ndershmëri: nëse na dilnin bandat, nuk mund të na mbronte – nuk kishte armë. Ishte hera e parë që ndieja realisht praninë e tyre. Zoti dhe ky dibran na shpëtuan. Kur po afroheshim në Burrel, ra një shi i rëndë, me mjegull, si rrebeshet e verës. Nuk shihje përpara as një metër. Por ai shi i mbajti bandat mbyllur në shtëpi atë natë janari – dhe kështu arritëm gjallë e shëndoshë në Tiranë, por me një frikë që nuk mund të harrohet!

Çdo tregim i Ahmetit përbën për mua një roman më vete. Nuk mund të kalosh indiferent pranë librit të tij. Është shkruar mirë. Është shkruar me nerv, me gjakftohtësi. I gjithë libri, megjithëse me tregime të shkurtra dhe novela, ka tiparet e letërsisë realiste. Ahmeti shkruan thjesht, por me një gjuhë të gjallë, plot shprehje popullore dhe ngjyra dialektore aty ku duhen, me hollësi që i japin ngjyrë ngjarjeve dhe personazheve të krijuar. A ja vlen sot të jesh realist në letërsi? Unë them se PO!

Ahmeti nuk është krejt i ri në tregun letrar shqiptar, por me çdo libër bëhet më i mirë. Dhe zëri i tij dëgjohet, me fatin e një botuesi të mirë, me një komunitet miqsh që e lexojnë, e komentojnë dhe e inkurajojnë pa pushim. Të falënderoj, Ahmet, për këtë balsam të ndjenjave të mia nga rinia e kaluar në Tiranë! Desha vetëm të dëshmoj se gjithçka që ke shkruar ka ekzistuar dhe ja, nuk mund të harrohet. Libri yt mbetet një mësim për të rinjtë. Dikush duhej ta linte të shkruar dhe gëzohem që ishe ti. Më duket sikur më ke shkruar edhe mua një pjesë të jetës.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular