Ministri i Mjedisit i Kosovës, Liburn Aliu, ka njoftuar të mërkurën se ka dhënë dorëheqjen nga detyra qeveritare për shkak të zgjedhjes së Dimal Bashës në postin e kryetarit të Kuvendit.
“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorëzova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim,” njoftoi Aliu përmes rrjetit Facebook.
Ministri tha se zgjedhja e djeshme e kryeparlamentarit nuk është në frymën e idealit “që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”.
“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua,” shkroi Aliu.
Pas shumë muajsh përpjekje, Kuvendi i Kosovës ka tashmë kryetarin e ri. Dimal Basha do e ushtrojë këtë pozitë falë 73 votave të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. LVV-ja e vlerësoi lart kandidaturën e tij, ndërsa PDK-ja opozitare ngriti dilema nëse Basha është i denjë të shërbejë në këtë pozitë.
Por, Kuvendi sërish nuk ka arritur të konstituohet plotësisht, i bllokuar nga zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb. Lista Serbe me nëntë deputetë propozoi të martën emrin e Sllavko Simiqit për nënkryetar dhe këmbënguli te kandidatura e tij, por për tri herë më radhë Simiq nuk i mori votat e nevojshme.
Kryeparlamentari Basha, duke konstatuar se Lista Serbe nuk ka dashur ta propozojë një emër të dytë për nënkryetar të Kuvendit, vendosi që propozimi nga ky subjekt të kalojë me short.
Nga shorti dolën katër kandidatë për votim (Vera Çeraniq, Stefan Kovaçeviq, dhe Nenad Rashiq, bashkë me Liljana Stefanoviq e cila refuzoi të votohej për nënkryetare), tre prej tyre u votuan, porse asnjëri s’i mori votat për të marrë pozitën e nënkryetarit, çka çoi në shtyrjen e seancës për të enjten.