Skema piramidale “XEUX”, ose siç njihet ndryshe “TXEX”, nuk është e para dhe as e fundit që shfaqet në rrjetet sociale.
Skema funksiononte thjesht: një individ i rekomandonte dikujt tjetër, duke krijuar një efekt zinxhir, ku secili merrte komisione nga tjetri. Por, në fund, mashtruesi që krijon platformën arrin objektivin e depozitave dhe më pas largohet nga “loja”.
Shahin Dokuzi, ekspert për kriptomonedhat, shprehet: “Platformat mashtruese kanë ekzistuar gjithmonë, por tani duket se shqiptarët po mashtrojnë vetë shqiptarët. Si popull kemi maninë e fitimit të shpejtë dhe, për shkak të mungesës së informacionit, investojmë pa menduar gjatë. Në fund, kjo sjell vetëm humbje.”
Sipas tij, këta individë përdorin rrjetin social Telegram, ku krijojnë grupe, postojnë video dhe foto me efekte reklamuese, madje sajojnë fitime të përditshme për të joshur viktimat. Përmes kësaj taktike, ata mashtrojnë qytetarët me kërkesa për shuma relativisht të vogla, zakonisht 1 mijë apo 2 mijë euro.
“Ideja është që të tërheqin njerëzit me shuma të vogla. Shumë më kanë pyetur rreth këtyre platformave dhe, edhe pse u them të mos investojnë, përsëri hyjnë. Telegram-i nuk ka verifikime si WhatsApp-i, ndaj edhe nëse një faqe mbyllet, ata hapin një tjetër menjëherë,” shton Dokuzi.
Ekspertët theksojnë se investimet në faqe të dyshimta me fokus kriptovalutat po kthehen gjithnjë e më shumë në kërcënim për individët shqiptarë. Mungesa e informacionit dhe dëshira për fitime të shpejta i bën qytetarët pre të lehtë për këto skema mashtruese. Prandaj, sipas tyre, ndërgjegjësimi është mbrojtja e vetme.