Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore ka njoftuar sot se bizneset në Tiranë do të kenë një afat më të gjatë për pagesën e taksave dhe tarifave vendore. Në bazë të një vendimi të ri të Këshillit Bashkiak Tiranë, data e fundit e pagesës është shtyrë nga 20 prilli në 31 maj të vitit pasardhës.
Ky ndryshim është përcaktuar në Vendimin nr. 59, datë 24.07.2025, i cili bën shtesa dhe ndryshime në vendimin ekzistues nr. 158, datë 26.12.2019, “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, të ndryshuar.
Çfarë parashikon vendimi i ri?
Sipas Drejtorisë së Taksave Vendore:
•Bizneset e kategorisë II kanë detyrim të shlyejnë pagesat deri më 31 maj.
•Detyrimet e reja, të cilat lindin pas datës 31 maj, duhet të shlyhen brenda 15 ditësh nga momenti i lindjes së detyrimit.
•Bizneset e reja të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) do të fillojnë pagesën që nga muaji i regjistrimit, dhe detyrimi do të llogaritet për çdo njësi ku zhvillohet aktiviteti.
Në tekstin e vendimit theksohet:
“Për kategorinë II. ‘Biznesi’, detyrimi paguhet brenda datës 31 maj. Afati i pagesës për detyrimet e lindura pas datës 31 maj është 15 ditë pas lindjes së detyrimit. Për subjektet e regjistruara rishtaz, detyrimi tatimor do të llogaritet për çdo njësi ku subjekti kryen aktivitet nga muaji korrent i regjistrimit pranë QKB-së”.
Njoftimet për bizneset, edhe në e-Albania
Vendimi parashikon gjithashtu që çdo komunikim zyrtar mbi detyrimet tatimore vendore do të bëhet jo vetëm nëpërmjet shërbimit postar dhe kanaleve elektronike sipas ligjit për komunikimet elektronike, por edhe përmes portalit qeveritar e-Albania, duke shtuar një kanal shtesë për transparencën dhe lehtësimin e aksesit të bizneseve.
Pse ka rëndësi ndryshimi?
Ky vendim vlerësohet si një lehtësim për bizneset, të cilat shpesh kanë evidentuar vështirësi për të përmbushur afatin e mëparshëm të pagesës. Shtyrja e afatit deri në fund të majit u jep subjekteve një hapësirë më të madhe për menaxhimin e likuiditeteve, ndërsa detyrimi i ri për pagesat brenda 15 ditësh për detyrimet që lindin pas kësaj date synon të ruajë disiplinën fiskale dhe të shmangë vonesat e mëtejshme.