Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se do të donte të përshpejtojë planet e tij për t’i dhënë fund praktikës së strehimit të emigrantëve që kërkojnë azil nëpër hotele në territorin e Mbretërisë së Bashkuar.
Starmer i tha BBC-së se mund ta realizonte këtë objektiv brenda vitit 2029, kur mbaron mandati i parlamentit aktual në këtë vend.
“Kur bëhet fjalë për hotelet që përdoren nga azilkërkuesit, dua që ato të zbrazen. Kam qenë shumë i qartë për këtë. E kuptoj plotësisht pse njerëzit janë kaq të shqetësuar për këtë çështje. E vetmja mënyrë për t’i zbrazur ato është një punë e rregullt dhe sistematike me rastet sa më shpejt të jetë e mundur, dhe më pas kthimi i atyre azilkërkuesve të paligjshëm që nuk duhet të jenë këtu. Mënyra për ta bërë këtë është duke punuar për të kapërcyer çështjet e prapambetura deri në fund të mandatit të këtij parlamenti”, tha Starmer.
Aktualisht, Britania e Madhe po përballet me një numër rekord kërkesash për azil, me shtimin e mbërritjeve të azilkërkuesve në anije të vogla, më shumë se 28,000 persona vetëm këtë vit.
Kritikët e strehimit të azilkërkuesve nëpër hotele thonë se kjo politikë tepër e kushtueshme ka vënë në rrezik edhe komunitetin lokal, ku janë shtuar edhe rastet e përfshirjes së tyre në krime.
Britania e Madhe po ashtu ka pezulluar aplikimet për ribashkim familjar të refugjatëve.
Ditët e fundit, qindra protestues kanë rrethuar hotelet që përdoren për të strehuar emigrantët. Javën e kaluar, Gjykata e Lartë britanike dha një urdhër për të ndaluar azilkërkuesit të strehoheshin në hotele, pasi një azilkërkues etiopian që jetonte atje u akuzua për vepra penale seksuale