HomeKryesoreShqipëria me Operator Uji/Rama paralajmëron reformë rrënjësore: Burg për ata që vjedhin,...

Shqipëria me Operator Uji/Rama paralajmëron reformë rrënjësore: Burg për ata që vjedhin, hiqen depozitat! (Aksion edhe për mbetjet). Reagon PD: Grabitja e radhës

Advertismentspot_img

U prezantua dje me 3 shtator, nisma për krijimin e Operatorit Kombëtar të Ujit. Kryeministri, Edi Rama dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku thanë se OPU mund të jetë gati për operim më 1 janar 2026.

“Sot me publikun do ndajmë një hap të rëndësishëm që do të hedhim së shpejti, lidhur me krijimin e Operatorit Kombëtar të Shpërndarjes së Ujit. Kemi pasur një trashëgimi shumë dramatike në sektorin e ujit, që kërkon investime të mëdha dhe administrim të përgjegjshëm”, deklaroi Rama në nisje të konferencës.

“Borxhet e larta, paaftësia në menaxhim e lidhur shumë edhe me politizimin ekstrem në këto ndërmarrje dhe mungesa e ekspertizës e shoqëruar me mungesë të investimeve në mirëmbajtje sollën situata shumë të pajustifikueshme”, tha kreu i qeverisë për kompanitë e ujësjellësit në vend.

“Po të shohësh hartën sot nga katër zona që furnizoheshin me ujë në 2013-ën dhe humbjet në rrjet që shkonin deri në 70%, kemi një panoramë terësisht ndryshe, por ama në raport me atë që ishte”, shtoi ai duke bërë një krahasim të situatës në këtë sektor që prej marrjes së pushtetit.

“Paaftësi e frikshme”, Vlora si shembull

Mori Vloren si shembull, duke theksuar se sot, “kapaciteti për furnizim është i pamjaftueshëm dhe niveli i papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë në nivel vendor është i frikshëm“.

“Raporti për situatën si u menaxhua në Vlorë është i frikshëm. E mora si rast sepse është ndër pikat më atraktive në turizëm. Borxhet e akumuluara nga këto ndërmarrjet të administruara në papërgjegjshmëri ekstreme, 13.6 mld arriti në 2020-ën. Harxho, shpërdoro, dridh zinxhirin dhe ngarko kompaninë e shpërndarjes së energjisë me borxhe”, deklaroi kryeministri.

Faza e parë e reformës, 100 mijë përdorues të rinj

Ai bëri me dije se në fazën e parë të reformës, ka pasur 100 mijë përdorues të rinj në rrjet dhe janë prerë një numër i konsiderueshëm lidhjesh të paligjshme. Sipas tij, nëntë nga 15 shoqëri rajonale të ujësjellësit nuk krijojnë më detyrime ndaj OSHEE-së.

“Njerëzit nuk pinë decentralizim në rubinet, pinë ujë, duan ujë dhe decentralizimi nuk është fragmentim dhe shkatërrim, por është përgjegjshmëri dhe shërbim. Sot kemi nëntë shoqëri rajonale nga 15 që nuk krijojnë më detyrime ndaj OSHEE-së. Është një hap i jashtëzakonshëm, pa diskutim. Patjetër që ka përmirësim të eficiencës që do ta përmendë ministrja, por ka një pikë ku duhet të ndalemi dhe ku është thelbi i reformës. Uji në qiell është diçka tjetër, në rubinet është diçka tjetër, sepse në momentin kur hyn në ekosistem, kthehet nga prodhim i natyrës në prodhim të njeriut. Është mall që përpunohet, shpërndahet, shitet dhe blihet. Është mall jetik dhe prodhimi i ujit kërkon përpunim kombëtar..

“Puna” e bashkive do i kalojë OPU-së, burg për atë që vjedh ujin

Kreu i qeverisë tha se me ujin do veprohet njësoj si me sektorin e energjisë elektrike, duke paralajmëruar masa të ashpra ligjore për këdo që abuzon.

“Të garantojmë suksesin që garantuam me energjinë elektrike! Njësoj siç bëmë me energjinë, ka ardhur koha që me këtë Operator, do jetë sinergjia e 15 shoqërive ekzistuese dhe me organet e tjera ligjzbatuese, do vendoset vija e kuqe mes atij që paguan dhe atij që vjedh, gjë që fatkeqësisht nuk e bënë bashkitë deri më sot! Ai që vjedh ujin duhet të penalizohet me heqje lirie!”, u shpreh kryeministri.https://www.youtube.com/embed/FDbwd2F9m2g?si=azXs2OVziXej_igA

Hiqen depozitat, lavazhet në “shënjestër”

Ai tha se në këtë sektor nuk janë qytetarët ata që abuzojnë, por të tjerë me qëllim fitimin, duke përmendur si shembull lavazhet nëpër lagje.

“Kjo është koha për të nisur punë me heqjen e depozitave që janë kthyer në pesha të jashtëzakonshme në palate të ndërtuara ku e ku më parë e që larg qoftë mund të bëhen burim katastrofash, por hap pas hapi”, tha kryeministri, gjë që do përmirësojë furnizimin me ujë.

“Hyrja në BE kërkon që ne të arrijmë në 2030-ën një krahasueshmëri të arsyeshme në furnizimin me ujë të popullsisë sa i përket standardeve europiane”, shtoi ai.

“Burimet e ujit janë të Republikës”

Sipas kryeministrit, në këtë vend nuk ka “njerëz me fat apo të pafat”, kur vjen puna te shfrytëzimi i burimeve ujore. Këto të fundit, e bëri të qartë se “i përkasin vetëm Republikës së Shqipërisë.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë që burimet ujore të Shqipërisë nuk janë të atij që i ka më afër, janë të Republikës së Shqipërisë. Në këtë vend nuk ka njerëz me fat që e kanë ujin afër apo të pafat që e kanë larg, ndërkohë që siç ua kam shpjeguar banorëve të Tragjasit, nuk ekziston në asnjë botë tjetër, përveç në atë të fantazive politike apo mediatike, rreth tryezës duke pirë raki, që qeveria t’i marrë ujin disave për t’ua dhënë disave. Kjo nuk ekziston”, deklaroi numri një i kabinetit.

Iu dha një përgjigje edhe kritikave lidhur me menaxhimin në lumin Vjosa, Tragjas, Shushicë apo burime të tjera ujore në vend.

“Prioriteti i prioriteteve është furnizimi me ujë i popullsisë. Nuk ka asnjë rast tendencë për të tharë!”, tha Rama.

Në plan, Operatori i Trajtimit të Mbetjeve

Pas krijimit të OPU-së, radhën e ai i Trajtimit të Mbetjeve, një problem tejet shqetësues sipas Ramës. Nuk kurseu ironitë për shqiptarët që hedhin mbetjet vend e pa vend.https://www.youtube.com/embed/Pzdzuv9p34c?si=QCJpVveuck-jUuc2

“Do fokusohemi tani tek faza tjetër e reformës. Ka qenë e nevojshme të kalonin këto faza, nuk mund të bëhej me nje kolpo të vetme. Pas Operatorit të Ujit, kalojmë në krijimin e Operatorit Kombëtar të trajtimit të Mbetjeve, bashkitë do i mbledhin dhe Operatori do i trajtojë.

Është e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë se në këtë proces, të furnizimit me ujë, të trajtimit të mbetjeve dhe rritjes së sipërfaqes së gjelbër është ana e mirë dhe ka një anë të errët që ka të bëjë me të gjithë ata që vjedhin ujë, apo hedhin plehrat në rrugë.

E bëjnë shqipot se turistët e huaj nuk e bëjnë, e bëjnë shqipot që lëvizin me makinë, shqipot e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, që ndalojnë në anë të autostradës, bëjnë fotografi dhe marrin plehrat e i hedhin aty. Se i kemi fotografuar. Edhe pikë panoramike, edhe pikë plehrash. Edhe fotografi me perëndimin e diellit edhe shishet e birrës të hedhura në tokë ‘Mirupafshim Shqipëria ime, shihemi verën tjetër’. Këto janë situata që kanë nevojë për solidaritet dhe masa drastike nga ana e qeverisë, por dhe ndërgjegjësim dhe rritje të kontributit të njerëzve”, mbylli kështu fjalën e tij Rama..

Ministrja Balluku shpjegoi sot, më 3 shtator, se si do funksionojë OPU.

Faza e parë u mbyll me sukses

Zëvendëskryeministrja Balluku, u shpreh se faza e parë e fragmentimit të 58 ndërmarrjeve në vend ka përfunduar, pavarësisht vështirësive të hasura.

“Unë nuk do desha që të përsëris sa i përket situatës që ne kemi gjetur sektorin e ujësjellësit kanalizime duke nisur nga viti 2013. Edhe prezantimi që do të ndjekë ndërkohë tregon një krahasim që ne kemi marrë me vitin 2020 si viti i fundit kur ne nisëm të ngjizim, e më pas të implementonim një reformë, e cila ka përmbyllur fazën e saj të parë“, tha ajo.

Si do funksionojë OPU

“Duke ndarë njëherë e mirë përgjegjësinë mes prodhuesit, shpërndarësit dhe në të ardhmen dhe furnizuesit. Në fazeën e dytë do qëndrojmë në ndarjen në dy komponentet, prodhim dhe shpëndarje dhe në janar 2027 do ndahet shpërndarësi te kompanitë e shpërndarësit dhe furnizuesit.”

U ndal te disa të dhëna të rëndësishme, sa i takon numrit të burimeve që kemi në vend.

“Kemi 1 175 sisteme ujësjellësi me 1602 burime të ujit të pijshëm”, tha Balluku.

“584 janë burime malore, kemi 589 sisteme pompimi dhe 584 sisteme gravitacionale. Të gjitha zonat që janë të furnizuara me sisteme pompimi siç është Durrësi, janë ndërmarrjet me koston më të lartë”, shtoi më tej.

Struktura e Operatorit të Prodhimit të ujit OPU, do të mbështetet në organizim rajonal për ndarjen hidrologjike në katër rajone.

Krijimi i tyre sjell optimizim të aseteve tona dhe të fuqisë ose burimeve njerëzore, duke përdorur kapacitetet që kemi për Shkodrën, Vlorë apo Gjirokastër”, tha ministrja.

Sipas saj, OPU do shërbejë si garantor i monitorimit teknik dhe laboratorik të rrjetit.

Shtoi se do ketë Qendrën e tij të Prodhimit, duke ulur kështu numrin e angazhimit të personave në këto procese.

Menaxhimi do bëhet nga një qendër e teknologjisë së lartë

Sipas Ballukut, menaxhimi i sistemit të shpërndarjes dhe prodhimit të ujit nuk do të realizohet më në 58 ndërmarrje bashkiake apo 15 të agreguara, por do të përqendrohet në katër zona rajonale të menaxhuara nga një qendër e teknologjisë së lartë. Kjo qendër do të përfshijë katër komponentë kryesorë: sistemin SCADA, sigurinë kibernetike, kontrollin e burimit deri te rubineti dhe rrjetin e fibrave optike që do të shoqërojë çdo investim të ardhshëm.

“Do të shënojë një përshpejtim të modernizimi teknologjik, i cili sigurisht nuk do të bëhet në 58 ndërmarrje bashkiake. Më i vështiri për t’u bërë në 15 ndërmarrje të agraguara, por shumë më i lehtë për t’u bërë në katër zona rajonale të cilat do të menaxhohen nga një qendër e teknologjisë së lartë, që do të ketë katër komponentë kryesorë që kanë të bëjnë me menaxhimin SCADA, me Cyber Security, që kur e themi çfarë ndodh me Cyber Security në sistemin e shpërndarjes apo të prodhimit të ujit. Sigurisht, është më i nevojshëm se të gjitha sistemet e tjera me thënë të drejtën, pasi flasim për sigurinë për sigurinë e një produkti që shpërndahet në çdo shtëpi e duhet të ishte i kontrolluar nga burimi deri tek rubinetë. E kjo, bëhet përmes të gjitha fibrave optike që do shoqërojnë të gjitha investimet prej këtej e tutje.“, tha ministrja.

Ajo shtoi se synimi është të kthejnë Shqipërinë në një vend turistik në 12 muaj. E gjitha kjo, sipas Ballukut do të japë mundësi, “që të kemi zhvillime të herëpashershme bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare me të gjithë ata partnerë që ne bashkëpunojmë”.

Nuk ka nevojë për ndryshime ligjore

Një tjetër informacion që vlen të përmendet është se nuk parashikohen ndryshime ligjore. Sipas zëvendëskryeministres Balluku, ligji e parashikon krijimin e operatorit të ri të ujit.

“Do ndaloja vetëm në një moment në kuadrin rregullator, që nuk do të jetë e nevojshme të kemi ndryshime ligjore pasi është e parashikuar në ligjin për menaxhimin e sektorëve që ne të kemi mundësinë e krijimit të një operatori për prodhimin e ujit. Sigurisht në respektim të plotë të autonomisë vendore, ashtu siç i kemi pasur në krah partnerët bashkitë në fazën e parë të kësaj reforme, duke qëndruar me 49% të aksioneve.”, tha Balluku.https://www.youtube.com/embed/b46n-4hKiWQ?si=qcT-2_3iMDO3ennO

56 zona urbane dhe 98 zona rurale që furnizohen 24 orë rresht me ujë të pijshëm

Po ashtu ministrja ka zbuluar të dhënat lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm, nga viti 2013 deri më sot.

Gjatë fjalës së saj, Balluku tha se në krahasim me vitin 2013 kur kishte vetëm 4 zona urbane që furnizoheshin 24 orë me ujë të pijshëm, sot kemi 56 të tilla. Si dhe 98 zona rurale që furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm.

“Do desha edhe një herë që të kujtonim dhe të kalonim me shifra se si ka qenë situata. Në vitin 2013 furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë ka qenë vetëm në 4 zona urbane. Sot kemi 43 zona urbane të furnizuara me ujë në 24 orë dhe kemi 13 kantiere, duke e çuar në 56 zona urbane me furnizim 24 orë.

Sot kemi 98 zona rurale me furnizim 24 orë dhe nga ana tjetër kemi 45 kantiere urbane të cilat janë duke u përfunduar. Na mbeten 16 zona dhe kur po bënim prezantimin strisha thoshte 100% por kërkova shifrën e saktë sepse do thonin që po bëjmë premtim. Pra kemi edhe 16 zona urbane për të përfunduar të gjithë këtë process të gjatë.”, përfundoi ministrja Balluku.

Reforma në ujësjellësa/ Kreu i PD, Berisha: Grabitja e radhës e Ramës

Ndryshe nga kryeministri që foli për reformë në sektorin e ujit, Sali Berisha e akuzoi kreun e qeverisë se po tenton përmes ngritjes së Operatorit Kombëtar grabitjen e radhës.

“Pasi e shkriu Këshillin dhe e emëroi veten kryetar të Këshillit Kombëtar të Ujit, tani mesa duket do të shkrijë, do ta marrë përsipër me një agjenci në mënyrë që ato para të ujësjellësve t’i vjedhin vetë dhe të mos i vjedhin kryetarët e bashkive.”

Sipas kryedemokratit, edhe menaxhimi i burimeve ujore do të ketë të njëjtin fat si ai i mbetjeve. “Pasi shpenzoi 400 milionë dhe e quajti reformën e të gjitha reformave, atë të plehut, u katandis si gjel mbi pleh.”

Berisha foli me shqetësim për rritjen e çmimeve, teksa tha se me këto paga qytetarët nuk plotësojnë as nevojat më minimale.

“Eurostat konstaton se rroga minimale në Shqipëri ka mbetur 408 euro. Çmimet janë stratosferike. Ju garantoj se me këto çmime do plasë morri në të katër anët e vendit. Dhe zgjebja.”

Edhe në këtë dalje, kreu i opozitës nuk i shpëtoi interesit të medias se kur do të mblidhen strukturat drejtuese të Partisë Demokratike.

“Shumë shpejt do e caktojmë! Shumë shpejt.”

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular