Një tjetër shqiptar bie në prangat e drejtësisë ndërkombëtare. Policia Kombëtare e Republikës Dominikane, në bashkëpunim me INTERPOL-in e Santo Domingos, ka arrestuar shtetasin shqiptar Soni Pepa, 40 vjeç, i kërkuar nga autoritetet shqiptare për përfshirje në një nga ngarkesat më të mëdha të kokainës që kanë kapur autoritetet evropiane vitet e fundit.
Sipas informacioneve zyrtare, Pepa akuzohet për një sasi prej 11 tonësh kokainë, nga të cilat 600 kilogramë u sekuestruan në Roterdam, Holandë, mes datave 7 dhe 8 nëntor 2020. Gjithashtu, ai dyshohet se ka financuar blerjen e 10 kilogramëve të tjerë në të njëjtin qytet.
Burimet bëjnë me dije se 40-vjeçari ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal ndërkombëtar, i cili operonte në disa shtete të Europës dhe Amerikës së Jugut, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Ngarkesa e drogës dyshohet se është nisur nga porti i Villetas në Paraguai, me destinacion përfundimtar portin e Antverpit në Belgjikë.
Arrestimi i Pepës është kryer pasditen e së mërkurës, më 3 shtator, në zonën e Distriktit Kombëtar. Gjatë momentit të ndalimit, autoritetet i kanë gjetur një pasaportë shqiptare, dokumente italiane, pesë telefona celularë të koduar dhe shuma të konsiderueshme parash në dorë.
Aktualisht, i ndaluari ndodhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Imigracionit të Republikës Dominikane dhe pritet të deportohet drejt Shqipërisë, në koordinim me zyrën e INTERPOL Santo Domingo.
Hetimet vijojnë për të zbuluar lidhjet e tjera të mundshme të rrjetit kriminal ndërkombëtar.