Policia ka arrestuar një nga autorët e dhunimit të policit të burgjeve në Fier, ngjarje e ndodhur më 11 Mars 2025.
Në pranga ka rënë 38-vjeçari Eldi Nuren, ndërsa janë publikuar edhe pamjet e momentit kur prangoset nga forcat RENEA.
Gjykata e Fierit ka caktuar ndaj tij në muajin mars 2025, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim.
38-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me tre persona të tjerë, shtetasit me iniciale M. P., A. M., dhe E. R., ka goditur me grushte, për shkak të detyrës, punonjësin e IEVP Fier.
Blutë po punojnë për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Njoftim i Policisë:
Në vijim të kontrolleve të mbështetura te informacionet e siguruara në rrugë policore, me qëllim ndalimin e shtetasve të implikuar në rastin e datës 11.03.2025, kur u godit me grushte, për shkak të detyrës, një punonjës i IEVP Fier, shërbimet e Policisë së Fierit në bashkëpunim me forcat e Njësisë Speciale Renea, kapën dhe ndaluan një prej autorëve të dyshuar, shtetasin E. N., 38 vjeç, banues në Fier.
Në muajin mars 2025, Gjykata e Fierit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim.
38-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me shtetasit M. P., A. M., dhe E. R., ka goditur me grushte, për shkak të detyrës, një punonjës të IEVP Fier. Punohet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.